Kosova Lindore të futet gjithsesi në dialogun në Bruksel!

Politika

Kosova Lindore të futet gjithsesi në dialogun në Bruksel!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 nëntor 2021 Në ora: 19:36
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, foto ilustrim nga "Bota sot"

Mes Kosovës dhe Serbisë procesi i dialogut nuk dihet se kur do të përfundojë, edhe pse ky proces ka nisur që nga vitit 2011.

Serbia është shteti i cili nuk i përmbahet detyrimeve ndërkombëtare, nuk i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara, dhe vazhdon t’i keqtrajtojë pakicat, sidomos shqiptarët atje.

Një prej shkeljeve elementare të të drejtave të shqiptarëve është edhe moslejimi i përdorimit të flamurit.

Për këtë gjendje ka reaguar edhe deputeti Shaip Kamberi i cili ka thënë: “Kur do të krijohen kushtet për përdorim të lirshëm, publik dhe zyrtar të simbolit kombëtar Shqiptar?

Ai madje ka thënë që Serbia është vendi i vetëm në rajon, i cili ua pamundëson pakicave nacionale që të përdorin lirshëm simbolet e tyre.

“Ka kaluar një vit nga fjalimi im për nevojën e përdorimit të lirë, publik dhe zyrtarë të simbolit tonë kombëtar, ndërkohë që Republika e Serbisë po vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon i cili, me ligj, ia pamundëson pakicave nacionale që të përdorin lirshëm simbolet e tyre “nëse janë identike me simbolet e shteteve të tjera”.

Por, a duhet të futet Kosova lindore në procesin e dialogut mes dy vendeve?

Analistët vlerësojnë se kjo gjë duhet të ndodhë dhe të këmbëngul shteti jonë pavarësisht kundërshtimeve nga Serbia apo edhe nga BE-ja.

Kelmendi: Kosova Lindore të futet në procesin e dialogut, të kërkohet reciprocitet për këtë

Profesori Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se është koha që në bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, të futet edhe tema e Kosovës Lindore, duke shtuar se kjo është koha e fundit që Kosova të veprojë në drejtim të ruajtjes së hapësirës së vet dhe të popullit shqiptar nën sundimin serb.

Image
Muhamet Kelmendi

Është koha e fundit që Kosova të veprojë në drejtim të ruajtjes së hapësirës shqiptare jashtë shtetit të vet dhe të popullit shqiptar nën sundimin serb. Nuk mund të ecet në një rrugë njëanësore dhe të interesave dhe vetëm të interesave naconal-shoveniste serbe. Kjo duhet të marrë fund. Hapja e temës së Kosovës Lindore është një çështje e qëlluar, për të mos thënë, shumë e vonuar. Dhe, natyrisht se pozita e shqiptarëve në Kosovën Lindore është çështje jetike për Kosovën. Është koha e fundit që Kosova të veprojë në drejtim të ruajtjes së hapësirës së vet dhe të popullit shqiptar nën sundimin serb”, ka thënë ai.

Sipas tij, ajo pjesë po asimilohet sepse territoret janë të zbrazëta, nuk ka kush të punojë, andaj Kosova për këtë gjendje duhet të kërkojë reciprocitet.

Ajo pjesë gradualisht me masa ekonomike dhe sociale, me ndjekje etj., po asimilohet. Tash kemi shumë territore që janë të zbrazëta. Kanë mbetur shtëpitë dhe tërë pasuria e patundshme djerrë. Nuk ka kush punon. Shqiptarët kanë ikur nga ajo anë. Kuptohet se kjo gjendje e obligon Kosovën të kërkojë reciprocitet në çështjen e minoriteteve, atij shqiptar në Kosovën Lindore dhe, këtij serb, në veri të Kosovës. Kjo çështje duhet të paraqitet në tavolinë në Bruksel”, shprehet ai.

Madje, ai deklaron se për këtë nuk duhet të kritikohet Kosova, edhe pse e dimë që Borrell dhe Lajçak janë të njëanshëm, por 22 shtete të BE-së e njohin vendin tonë.

Ai shton se kundërshtimi i tyre bie si fluska sapuni, kur të futet në dialog Kosova Lindore.

Kosova kështu tregon se është shtet i lirë dhe i pavarur dhe se vepron në bazë të parimeve të njohura ndërkombëtare. Askush nuk mund ta kritikojë pse e fut çështjen e tillë në dialog me Beogradin. Për më tepër, nëse ikë nga reciprociteti, dëmtohet Kosova në raport me Serbinë. Ndërsa, nëpërmjet kësaj barazohen kërkesat dhe futen në reciprocitet çështjet e njëjta minoritare. Brukseli mund dhe do ta kundërshtojë.

Z.Borel dhe z.Lajqak janë të njëanshëm. Ata nuk e njohin Kosovën si shtet. Mirëpo, janë 22 shtete të UE që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Ato e dinë çka është reciprociteti. Këtë e dinë edhe ndërmjetësit. Megjithatë kundërshtojnë. Por, kundërshtimi i tyre bie si fluska sapuni, kur të futet në dialog Kosova si shtet dhe vepron. Kundër reciprocitetit nuk mund të jetë as z.Borell dhe as z.Lajçak. Kjo sepse Kosova si shtet njihet nga shumë shtete të UE. Me këtë fiton në peshë pozita e Kosovës, si shtet dhe ka të drejtë juridike e politiko-diplomatike të kryejë punë sipas normave ndërkombëtare, këtej edhe për Kosovën Lindore. Reciprociteti është arma më e fortë e Kosovës. Kjo e vë Serbinë në pozitë pa rrugëdalje. Te drejtat e minoriteteve sipas normave ndërkombëtare janë të njëjta dhe veprohet me reciprocitet. Këtu është fuqi e Kosovës”, përfundon profesori Muhamet Kelmendi.

Mehmeti: Kosova t’i mbrojë shqiptarët në Kosovën Lindore, si Serbia që i mbron serbët në veri pa qenë të rrezikuar

Edhe analisti Faton Mehmeti shprehet se Kosova Lindore duhet të futet në procesin e dialogut dhe për këtë Prishtina duhet të këmbëngul.

Image
Faton Mehmeti

Natyrisht se duhet futur në dialog çështja e Kosovës Lindore, për këtë gjë Prishtina duhet të këmbëngul fortë. Në fakt kjo gjë është dashur të ndodhë qysh në fillim të bisedimeve, por edhe tani nuk është vonë. Kjo gjë në fillim do të kundërshtohet nga Beogradi, mirëpo me një vendosmëri të madhe çdo gjë është e mundur”, potencon Mehmeti.

Në fund deklaron që Kosova nuk duhet të lëshojë pe sepse Serbia po mbron serbët në veri edhe pa qenë të rrezikuar, kurse shqiptarët në Preshevë janë të rrezikuar dhe shtypur nga organet serbe atje.

Në këtë aspekt s’duhet të lëshohet pe nga Kosova, pasi Serbia po mbron serbët në veri edhe pse s’janë të rrezikuar, kurse shqiptarët në Kosovën Lindore çdo herë janë të rrezikuar dhe shtypur nga organet serbe atje”, përmbylli ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat