Alarmi nga Miroslav Lajçak për Ballkanin, analisti tregon se për çfarë është nën presion Kosova

Politika

Alarmi nga Miroslav Lajçak për Ballkanin, analisti tregon se për çfarë është nën presion Kosova

Nga: P.R Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 21:37
Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak

I dërguari i Brukselit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, sllovaku Miroslav Lajçak ka ndezur alarmin për Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, Bashkimi Evropian mund ta humbasë këtë rajon, në rast se kjo e fundit nuk përshpejton hapat në procesin e integrimit për gjashtë vendet e rajonit ballkanik.

“Trembem se mund ta humbasim Ballkanin Perëndimor, që është i përkushtuar ndaj vlerave tona. Në mungesa të alternativës europiane, në vend që të krijohen shtete ligjore, media të pavarura, shoqëri civile dhe gjyqësorë të depolitizuar, ekziston rreziku i forcimit të tendencave autoritare. Kjo është arsyeja pse ne duhet të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Ne duhet të shohim gjërat ashtu siç janë dhe të pyesim nëse mjaftojnë sinjalet pozitive që po i dërgojnë rajonit, apo jo”, tha Miroslav Lajçak, teksa deklaroi një rrezik të ri në rajon, përpos atij të ndikimit të vendeve të treta, si Rusia e Kina.

E për këtë paralajmërim nga Lajçak, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri, teksa kritikon qasjen që BE ka ndjekur ndaj Kosovës.

Image
Gani Qarri

“Paralajmërimi nga i dërguari i posaçëm i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se Bashkimi Euvopian mund ta humbasë Ballkanin Perëndimor nëse nuk përshpejton hapat në procesin e integrimit për gjashtë vendet e rajonit, është plotësisht i kuptueshëm, por ai do të tingëllonte i drejtë dhe i sinqertë, sikur pikësëpari vet z. Lajçak si përfaqësues i lartë i BE-së, dhe Josep Borell përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në BE, ta trajtonin edhe Kosovën me tretman të barabartë, njëjtë si shtetet tjera të Ballkanit Jugperëndimor dhe jo të sillen si Serbia, edhe 22 vite pas çlirimit, duke trajtuar Kosovën si vend me status neutral”, thotë Qarri.

Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor janë nën trysni dhe preson nga Bashkimi Evropian, sidomos Kosova për krijimin e Asociacionit serb.

“Në fakt, Borrell dhe Lajçak, sa i takon Kosovës, pothuajse e kanë humbur tërësisht besueshmërinë tek qytetarët e saj, për të mos thënë edhe vet BE-ja, të cilët në vend të përpjekjeve për liberalizimin e vizave, me tërë forcën bëjnë presion që ta detyrojnë Kosovën edhe për bosnjëzimin e saj, presionin për krijimin e asociacionit të kundërligjshëm një etnik serb, të cilin e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ndaj vendet e Ballkanit Perëndimor, janë ato, që nga trysnia e BE-së, vazhdojnë të tremben pareshtur nga Bashkimi Evropian, e veçanërisht Kosova, që me gjithë premtimet e dhëna, për vite me radhë, qëllimisht vijon të zhargitet liberalizimi i vizave, vetëm për 1.8 milion qytetar të saj”, shprehet analisti politik, Gani Qarri për “Bota sot”.

“Fillimisht Kosova u kushtëzua pa asnjë të drejtë dhe shkas as arsye të vërtetë, njëherë me demarkacionin me Malin e Zi e tani, ka serish indice se po tentohet të kushtëzohet edhe me "asociacionin" një etnik serb, në shtetin e "shpallur" nga vet BE, si multietnik, të Kosovës, përderisa me Serbinë përkundër të gjithave sa ajo ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe tani, si faktor i përhershëm destabiliteti në rajon, ka hapur numër të madh kapituj për integrimin e saj në BE”, shton më tej Qarri.

Për fund, Qarri deklaron se nëse SHBA nuk ndërhyn, atëherë Ballkani do të përfundojë në duart e Rusisë.

“Kështu që nëse nga BE vazhdohet edhe më tej, me këtë politikë selektive edhe ato shtete të Ballkanit Perëndimor të cilat janë plotësisht të përkushtuara ndaj vlerave të BE-së, duke ndjerë veten të diskriminuara dhe të lëna pas dore nga përfaqësuesit e BE-së, nën trysninë e insistimit të vazhdueshëm të Vladimir Putinit, për shtrirjen e dominimit rus në këtë pjesë të Evropës, ato pa dashjen e tyre mund të bien shumë lehtë pre e këtij ndikimi, ndaj nëse nuk ndërhynë SHBA, që të ndryshoj ky qëndrim i BE-së, përgjegjësinë medoemos duhet ta marrë vetë Bashkimi Evropian, për destruktivitetin ndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat