Si komentohet emërimi i Bashkim Jasharit, komandant i FSK-së?

Politika

Si komentohet emërimi i Bashkim Jasharit, komandant i FSK-së?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 dhjetor 2021 Në ora: 11:46
Foto nga emërimi i Bashkim Jasharit, komandant i FSK-së

Gjatë ditës së djeshme Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Bashkim Jashari është biri i Rifat Jasharit, nip i Adem e Hamëz Jasharit, heronjve të jashtëzakonshëm nga Prekazi i Skënderajit.

Emërimi është bërë siç parashihet në Ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij.

Kujtojmë që në vitin 2015 Rama ishte emëruar komandant i FSK-së, nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga.

Gëzimi dhe jehona për emërimin e tij, është shfaqur menjëherë, duke filluar nga vetë anëtarët e familjes Jashari.

Mehaj: Komandanti i FSK-së, gjeneral Jashari me objektiva të qarta për të ardhmen e FSK-së

Për marrjen e pozitës së re, atë e ka uruar edhe ministri Armend Mehaj.

Ai tha se ka nderin dhe privilegjin të bashkëpunojë me njërin nga bashkëluftëtarët dhe nipin e komandantëve legjendarë Adem dhe Hamëz Jashari.

Nga ana ime, gjeneral Jasharin e sigurova se do të ketë mbështetjen, bashkëpunimin dhe koordinimin e plotë nga niveli im si Ministër dhe Ministrisë së Mbrojtjes në përgjithësi, në funksion të realizimit të vizionit të përbashkët për FSK-në”, shkruan ndër të tjera Mehaj.

E në lidhje me këtë emërim të Bashkim Jasharit, “Bota sot”, ka kontaktuar me anëtarin nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe me ekspert të sigurisë së vendit.

Ata e shohin shumë të arsyeshëm emërimin e Jasharit duke theksuar që një emërim i tillë ishte i nevojshëm për vendin.

Bajqinovci: Emërimi i Bashkim Jasharit, privilegj për ushtrinë tonë

Në lidhje me këtë temë deputeti nga radhët e LVV-së dhe njëherazi anëtar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mefail Bajqinvoci në një bashkëbisedim me “Bota sot”, e vlerëson këtë emërim të komandantit Jashari, duke theksuar që është privilegj për Kosovën.

Image
Mefail Bajqinvoci

Është privilegj që ushtria e Kosovës të ketë komandant epror nga familja e komandantit Legjendar Adem Jashari”, thotë deputeti.

Ai më tej, shton se Bashkim Jashari është nipi i komandantit legjendar Adem Jashari dhe natyrisht që kontributi i tij do të jetë i plotë për ushtrinë tonë.

Pra, Bashkim Rifat Jashari, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, të emërohet Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një nga emërimet më të vlefshme për ushtrinë tonë”, u shpreh Mefail Bajqinovci për “Bota sot”.

Shala: Bashkim Jashari ta ketë mision fuqizimin e FSK-së

Ndërsa eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot”, thotë që duhet të analizojmë rrjedhën e dorëheqjes së gjeneralit Rama dhe të shohim si ka ardhur deri tek ky vendim.

Image
Drizan Shala

Ai cek që presidentja Osmani ka pasur tri opsione para vetës për komandant të FSK-së dhe që ka zgjedhur Bashkim Jasharin.

Dorëheqja nga tani më ish gjeneral Rama duhet të analizohet se si ka rrjedh i gjithë procesi deri te marrja e një vendimi të tillë nga ana e tij. Ndërsa, në lidhje me emërimin e gjeneral Bashkimit në krye të FSK-së, kjo tregon që proceduralisht sipas rregullores së karrierës brenda forcës, Presidenca ka pasur tri opsione për të bërë përzgjedhje siç janë: Gjeneral major Bashkim Jashari, gjeneral major Enver Çikaqi, gjeneral major Gëzim Hazrolli”, thekson eksperti i sigurisë.

Në fund, ai shpreson që të përmbyllen me sukses të gjitha procedurat dhe për komandantin e ri të jetë një mision i shenjtë.

Për pozitën e të parit të FSK-së, unë dua të besojë që në procedurë administrative do ta kemi mbështetjen e partnerit tonë strategjik dhe që proceset e filluara brenda planit të FSK-së të përmbyllen me suksese duke zhvilluar forcën në një forcë me standardet e NATO-s. Pra, ky duhet të jetë misioni i gjeneral major Bashkimit, komandantit të ri të FSK-së”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Jehonën e emërimit të Bashkim Jasharit, e përcolli i pari, kushëriri i tij, Bashkim Jashari.

Jashari: Emërimi i Bashkim Jasharit do të kontribuoj në udhëheqjen e shtetit tonë

Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, Bekim Jashari thotë se Bashkimi ashtu si në luftë “krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do ta vazhdojë rrugën e tyre”.

Gjenerali nga familja jonë, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Bashkim Rifat Jashari, sot është emëruar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë të ndërtuar mbi rrugën e trasuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Bashkimi ashtu si në luftë krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do të vazhdoj rrugën e tyre, duke kontribuar në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtar. Ah sikur të ishte gjallë Komandanti Legjendar Adem Jashari, të të shihte duke udhëhequr ushtrinë e shtetit tonë, për të cilin luftoj deri në rënien heroike të tij, bashkë me familjen dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat