Serbia e Vuçiqit vazhdimësi e regjimit të Millosheviqit

Politika

Serbia e Vuçiqit vazhdimësi e regjimit të Millosheviqit

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 2 dhjetor 2021 Në ora: 10:40
Aleksandër Vuçiq dhe Sllobodan Millosheviq

Edhe njëherë Serbia e tregoi fytyrën e saj. Ministria e Qeverisë së Kosovës kishin planifikuar që më 27 dhe 28 nëntor, të qëndronin në një vizitë zyrtare në Kosovën Lindore.

Por, një gjë e tillë nuk është lejuar nga ana e Qeverisë së Serbisë. Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook. Ai ka shkruar se së bashku me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, kishin planifikuar të vizitojnë Medvegjnë, Bujanocin dhe Preshevën, por është refuzuar “pa asnjë arsyetim pak para nisjes”.

“Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”.

“Refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka shkruar Aliu në një postim në Facebook.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike në vend janë shprehur se Serbia vazhdon të veprojë sikurse regjimi i Millosheviqit. Ata shprehen se Qeveria e Kosovës duhet të ankohet në bashkësinë ndërkombëtare.

Kjo tregon qartë se Serbia po kryen shtypje ndaj të drejtave të shqiptarëve atje, pasi refuzimi vizitës së delegacionit qeveritar nuk ka ndikim brenda Kosovës. Njëkohësisht këto instrumente dhune përdorën për t’ia humbur shpresat shqiptarëve atje, në mënyrë që edhe nga Presheva e Bujanoci të ikin shqiptarët, dhe të boshatisen si Medvegja.

“Serbia nuk delë nga regjimi i Millosheviqit”

Image
Analisti politik, Islam Krasniqi

Analisti politik, Isalam Krasniqi në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se Serbia nuk dëshiron të dalë nga regjimi i kasapit të Ballkanit, ndërsa ka hedhur kritika ndaj BE-së.

Po ashtu, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ankohet te bashkësia ndërkombëtare.

“Po Qeveria e Serbisë nuk dëshiron që të dalë nga regjimi i Millosheviqit, pavarësisht se Bashkimi Europian e ka përkrahur duke e përkëdhelur apo zgjatur doren. Gjithsesi se Qeveria duhet të ankohet tek bashkësia ndërkombëtare dhe të jenë të zëshëm që ta kuptojnë edhe ata se Serbia nuk ka ndryshuar aspak dhe t’ua bëjnë më dije se me këtë klasë politike asnjëherë nuk do të mund të shkëputet nga e kaluara, as me mentalitet por as me veprime”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Krasniqi ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të marr masa ndaj Serbisë.

“Republika e Kosovës mund të arsyetoj ndalesat e zyrtarëve serb, sepse ata kur vjinë bëjnë deklarata me të cilat mundohen që ta destabilizojnë vendin tonë, gjersa zyrtarët tanë vetëm i dëgjojnë ankesat e popullit tonë në atë pjesë dhe që mundohen t’ju ndihmojnë rreth një mirëqenie më të mirë socio-ekonomike apo kulturo-arsimore. Pra, Bashkësia Ndërkombëtare duhet të marr masa ndaj Serbisë duke e kërcënuar apo edhe ndëshkuar nëse nuk shkëputet nga e kaluara sepse ajo do të jetë destabilizuese në tërë Ballkanin”, ka deklaruar Krasniqi.

Kamuflimet e Serbisë

Image
Analisti politike, Gani Qarri

Ndërkaq, analisti politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” tregon se pse Qeveria e Serbisë mund të kamuflohet për moslejimin e vizitës së ministrave të Qeverisë së Kosovës.

“Fakti se 28 Nëntori është data e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (kombit), dhe ministri Liburn Aliu e ka prejardhjen nga Kosova Lindore dhe ministrat e LVV-së, njëjtë si edhe vet shumica e shqiptarëve, mbështesin bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës, mund të keqpërdoret qëllimisht nga Serbia si arsyetim, i kamuflimit të të vërtetës për moslejimin e vizitës së ministrave Liburn Aliu, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Hajrulla Çeku”.

Është për tu habitur, thotë ai, me jo-seriozitetin e skajshëm dhe lojën perfide të Serbisë, e cila kërkesën për vizitë të ministrave të Kosovës në komunat shqiptare me 27 dhe 28 nëntor, e ka refuzuar vetëm mëngjesin e 27 nëntorit.

Qarri është shprehur se Kosova duhet të ankohet urgjentisht në Bruksel.

“Kështu që, meqenëse kërkesa për vizitë bashkëkombësve tanë në të tri këto komuna të banuara me shqiptarë, është refuzuar padrejtësisht dhe pa asnjë arsyetim, Kosova duhet të ankohet urgjentisht në Bruksel dhe përderisa të mos arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, Kosova medoemos, është e detyruar që të vendos reciprocitet edhe sa u takon vizitave të ndërsjella ministrore në të dy shtetet”, ka thënë ai.

Në fund, Qarri ka deklaruar se Serbia diskriminon vazhdimisht shqiptarët dhe se ajo vazhdon të paraqes rrezik të vazhdueshëm për Kosovën.

“Prandaj, kjo çështje duhet të rregullohet njëjtë si për pakicën serbe në Kosovë, ashtu edhe për bashkëkombësit tanë në Kosovën Lindore të mbetur nën Serbi, ngase marrëdhëniet me këtë shtet hegjemonist nuk mund të jenë dhe as të konsiderohen normale, përderisa Serbia diskriminon vazhdimisht shqiptarët në trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në anën tjetër, me ndërhyrjet e saj, vazhdon të paraqes rrezik të vazhdueshëm potencial edhe për vendin tonë, si për sigurinë e brendshme, ashtu edhe për shtetësinë dhe vet ekzistencën e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat