“Lirimi i tij do të kishte efekt tronditës”/ Raporti që rrëzoi garancinë për Hashim Thaçin në Speciale

Politika

“Lirimi i tij do të kishte efekt tronditës”/ Raporti që rrëzoi garancinë për Hashim Thaçin në Speciale

Nga: P.R Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 20:29
Hashim Thaçi, që nga 5 nëntori i vitit 2020 po qëndron i burgosur në Hagë. Ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovë, më 5 nëntor 2020, në ditën kur iu konfirmua aktakuza.

Pavarësisht garancisë që dha Policia e Kosovës, Prokuroria e Dhomave të Specializuara e ka kundërshtuar atë për lirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në dokumentin e Speciales i publikuar më 29 nëntor, thuhet se ekziston mundësia e ndërhyrjes në procesin gjyqësor në Kosovë. Po ashtu si arsye e refuzimit jepet edhe ndikimi i ish-anëtarëve të Shërbimit Informativ të Kosovës mbi Policinë e Kosovës.

Sipas Speciales, në rast të lirimit të Thaçit, ekziston pasiguria dhe frika e dëshmitarëve të rastit.

“Dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast”, thuhet në dokumentin e Speciales.

E krejt kjo, sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike, Gani Qarri po ndodhë pasi lirimi i të akuzuarve të Speciales do të kishte pasoja katastrofike për drejtësinë.

Image
Gani Qarri

“Në fakt siç konfirmohej nga një transkriptim i një raporti konfidencial për përdorimin e brendshëm të misioneve diplomatike, i cili thuhet se u shpërnda rastësisht, vet kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova qysh në shkurt të këtij viti, ka filluar ta tërhiqte vërejtjen se lirimi i të akuzuarve do të kishte efekt tronditës mbi dëshmitarët, të cilët nuk do të dëshironin më bashkëpunim me gjykatën dhe as nuk do të guxonin të dëshmonin, ndaj dhe paralajmëronte Prokurorinë e Specializuar të mos lejonte të vinte deri te lirimi i të akuzuarve”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Trendafilova është e angazhuar personalisht për mos lirimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale.

“Për aq më tepër Ekaterina Trendafilova përveç postit të kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, ajo merret personalisht edhe me hetimin e krimeve të luftës, kështu që, qysh në shkurt ka filluar tu bëjë thirrje edhe diplomatëve të BE-së që të ndihmojnë në luftimin e fushatës që zhvillohet në Kosovë, për lirimin e të akuzuarve, nga frika se të akuzuarit në Hagë, mund të liroheshin”, thekson Qarri.

Ai më tej, tregon edhe arsyet, pse sipas tij Gjykata Speciale e ka kundërshtuar garancinë e Policisë së Kosovës.

“Prandaj duket se raporti konfidencial nga Haga me të cilin Trendafilova qysh më 11 shkurt, paralajmëronte diplomatët se gjykata përballej me rritjen e presionit dhe pengimin e zhvillimit të procedurave hetimore kundër ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili nga Gjykata Speciale akuzohet për krime lufte, ka ndikuar që Prokuroria e Dhomave të Specializuara ta kundërshtoj edhe garancinë e Policisë së Kosovës për lirimin me kusht të Hashim Thaçit”, thekson Qarri.

“Për aq më tepër, kohë më parë edhe gjyqtari i Dhomave të Specializuara, Kai Ambos i cili, nisi i pari fushatën “juridike” për lirimin me kusht të Hashim Thaçit, dyshohet se me insistimin e vet kryetares së Dhomave të Specializuara, është eliminuar nga paneli i Apelit”, shpjegon më tej analisti Qarri.

Për fund, Gani Qarri deklaron se Prokuroria e Speciales ka mbi 40 mijë faqe material hetimor ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

“Madje kur kihet parasysh edhe fakti se prokuroria dhe hetuesit e Gjykatës Speciale, me qëllim të konfirmimit të aktakuzës kundër të akuzuarve në Hagë, qysh para një viti deklaronin se kanë siguruar qindra dëshmitar dhe mbledhur mbi 40 mijë faqe material hetimor, tanimë kur po pritet të konfirmohet edhe koha e nisjes së procesit të gjykimit, është e natyrshme që Gjykata Speciale të refuzojë lirimin me kusht të Thacit & Co”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat