Përfshirja e Britanisë së Madhe në Ballkan, analisti tregon arsyen

Politika

Përfshirja e Britanisë së Madhe në Ballkan, analisti tregon arsyen

Nga: A.SH Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 23:23
Flamuri i Britanisë së Madhe dhe i BE-së

Ish-shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Sir Stuart Peach, është emëruar nga Mbretëria e Bashkuar si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Një vendim i tillë është mirëpritur në Kosovë.

Analisti Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se administrata e Donald Trump, sikur e lejojë ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Derisa shton se emërimet e reja nga SHBA, po bëhen për të ndalë apetitet ruso serbe ndaj shqiptarëve.

“Edhe në kohën e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar kur u shfaqë kriza dhe filloj edhe lufta në ish-Jugosllavi, rolin primar e morën tri fuqitë më të mëdha në botë, Amerika, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania. Këto shtete me shtetet e tjera e detyruan Serbinë e Millosheviqit të dorëzohet pas bombardimeve 79 ditëshe nga NATO. Sikur kjo kohë po përsëritet, por tash në rrethana tjera kohore dhe politike në Ballkanin ende të pa stabilizuar. Ky ndikim në rajon po kthehet të lënë pak sa anash nga administrata e Donald Trump, i cili sikur lejojë ndikimin rus në këtë pjesë të botës. Emërimet e reja nga administrata e Joe Bidenit me 6 ambasadorë të rinj në rajon, ka për qëllim që të ndalen apetitet pushtuese ruso serbe ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj Malit të Zi, dhe Bosnjës, e cila nuk po ka qëndrueshmëri politike për shkak së Republika Srpska po synon parreshtur ndarjen nga BeH-ja”, thotë ai.

Ai emërimin nga ushtarakut Stuart Peach nga Britania e sheh si sinjal se ajo është e shqetësuar për sigurinë në rajon.

“Emërimi më i ri nga Mbretëria e Bashkuar të ushtarakut Stuart Peach si Emisari Special për Ballkanin Perëndimor është dërgim sinjalit të qartë se Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar për sigurinë në rajon, edhe pse Britania e Madhe nuk është më pjesë e strukturës të BE-së. Zhvillimet e fundit me kërcënime me luftë të Rusisë dhe Serbisë, bënë që ky shtet së bashku me Amerikën ta kthejnë vëmendjen më shumë që në rajon të këtë stabilitet politik, si parandalim i një lufte të re të mundshme në Ballkan dhe më gjerë. Këto shqëtësime i ka shprehur edhe kryeministri britanik, Boris Johnson”, deklaron analisti.

Tutje ka shtuar se, ky emërim nga Britania e Madhe dhe emërimet nga Amerika na vijnë si freskim, dhe janë shpresë për përfundimin e dialogut natyrisht pa e dëmtuar palën shqiptare.

“BE-ja nuk tregoi gatishmëri dhe as zotësi për ta përfunduar dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Madje, kjo strukturë evropiane u tregua e njëanëshme në qëndrimet e saj përmes dy emisarëve për Kosovën, Borel dhe Lajçak. Prandaj, ky emërim nga Britania e Madhe dhe emërimet nga Amerika na vijnë si freskim, dhe janë shpresë për përfundimin e dialogut natyrisht pa e dëmtuar palën shqiptare. Sigurisht se do të këtë një bashkëpunim më të ngjeshur me BE-në për të gjitha temat. Pasi që emisari special vjen nga ushtria, kjo edhe shfaq shqetësimet të një destabiliteti të ri nga Rusia dhe Serbia, dhe kërcënimet e tyre me luftë. Nga ky kënd edhe duhet shikuar angazhimet e reja të Mbreterisë të Bashkuar dhe të Amerikës”, thekson ai.

Në fund ai shton se, duke e ditur se pavarësia e Kosovës është projekt edhe i shteteve tona mike, besoj që mos të lejohet që Asociacioni me karakter të kompetencave ekzekutive të bëhet si i tillë faktik.

“Shtetet demokratike të botës, janë për zhvillim dhe për paqe në rajon, duke zbatuar reforma përmbajtësore, të cilët po iu mungojnë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova duhet të tregohet kooperuese me miqët tanë, se edhe e drejta është në anën tonë. Duke e ditur se pavarësia e Kosovës është projekt edhe i shteteve tona mike, besoj që mos të lejohet që Asociacioni me karakter të kompetencave ekzekutive të bëhet si i tillë faktik. Kjo do të ishte një humbje shumë e madhe për Kosovën. Këto shtete edhe e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran në kufijtë ekzistues, dhe çdo logjikë flet se ky qëndrim do të mbetet deri në arritjen e ndonjë marrëveshje finale me Serbinë, por e cila do të jetë vështirë e arritshme, deri sa është Vuçiqi në pushtet, i cili po këmbëngul që mos të pranon pavarësinë e Kosovës”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat