Specialja ia refuzoi lirimin Thaçit, deklarohen nga familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së

Politika

Specialja ia refuzoi lirimin Thaçit, deklarohen nga familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së

Nga: A.M. Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 08:46
Haki Imeri, Hashim Thaçi

Garancia e ofertuar nga Policia e Kosovës ishte e pamjaftueshme për Prokurorinë Speciale. Për këtë arsye u refuzua garancia për lirimin me kusht të ish-presidentit, Hashim Thaçi. Njëra ndër arsyet se pse është refuzuar kjo garanci nga Policisë së Kosovës, është edhe pasiguria e frika e dëshmitarëve.

“Dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast”, thuhet në dokumentin e Gjykatës Speciale.

Lidhur me këtë çështje, kanë folur familjarët e Haki Imerit, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Skenderaj, i cili ishte vrarë më 2 nëntor të vitit 1999. Familja e Haki Imerit në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, kanë deklaruar se kushdo që orvatet të prekë dëshmitarët bën gabim të madh.

“Ne nuk e dimë sa janë të rrezikuar dëshmitarët e mbrojtur ose ata të pambrojtur, por një gjë është sigurt që kushdo që orvatet të prekë dëshmitaret bën gabim të madh, i cili do t`i kushtojë shumë atyre, që po akuzohen ose të dyshuarve të tjerë”, ka thënë ata për “Bota sot”.

Po ashtu, në përgjigje thuhet se dëshmitarët duhet të mbrohen dhe të ruhen nga të gjithë.

“Dëshmitarët duhet të mbrohen dhe të ruhen nga të gjithë, nëse Kosova dëshiron ta sheh dritën e tunelit”, thuhet në përgjigjen e dhënë për “Bota sot”.

Ndryshe, Haki Imeri ishte kidnapuar në fshatin Brojë, nga persona të panjohur. Ai më pas ishte gjetur i vrarë dy kilometra larg vendit ku është kidnapuar në fshatin Aqarevë.

“Haki Ymeri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Skenderaj, është gjetur i vrarë mbrëmë, në rrethana të pasqaruara dhe nga autorë deri tash të panjohur, njoftoi Dega e LDK-së në Skenderaj. Njoftohet se z. Ymeri (46), baba i gjashtë fëmijëve, është kidnapuar dje pasdite, midis orës 16 dhe 17, në fshatin Brojë, nga persona të panjohur, që janë prezantuar si policë, që kishin rroba të zeza dhe që ishin me një veturë të tipit "Opel Omega" me ngjyrë të zezë. Sipas njoftimit, trupi i pajetë i Hakiut u gjet në një thellësi të malit në fshatin Aqarevë, dy kilometra larg vendit ku është kidnapuar. Ymeri është i lindur në fshatin Vojnik dhe punonte në shkollën e fshatit si profesor i gjuhës shqipe dhe i gjuhës angleze. Ai ishte aktivist i LDK-së që nga themelimi, ndërsa në momentin e vrasjes ai ishte në detyrën e kryetarit të nëndegës së LDK-së në Turiçvec dhe të anëtarit të kryesisë së Degës së LDK-së në Skënderaj. Varrimi i Haki Ymerit bëhet nesër në orën 14 në varrezat e fshatit Vojnik.”, thuhej në njoftimin e QIK-ut për kidnapimin dhe vrasjen e Haki Imerit.

Në anën tjetër, këto janë 10 pikat e akuzës të ngritur kundër Thaçit: Përndjekje krim kundër njerëzimit, Burgosje – krim kundër njerëzimit, Ndalim arbitrar, krim lufte, Akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, Trajtim çnjerëzor, krim lufte, Torturë, krim kundër njerëzimit, Torturë, krim lufte, Vrasje, krim kundër njerëzimit, Vrasje e paligjshme, krim lufte, Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit.

Ndërkaq, nga Zyra e Prokurorit Speciali e patën konfirmuar për “Bota sot” se kjo Gjykatë i mbulon  rastet që kanë ndodhur në periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar mbulon periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000”, thuhej në përgjigjen e dhënë për “Bota sot” nga  ZPS-ja .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat