‘Misteri’ i atentatit ndaj Ibrahim Rugovës/Latifi: Ja kujt i pengoi zbardhja e këtij rasti!

Politika

‘Misteri’ i atentatit ndaj Ibrahim Rugovës/Latifi: Ja kujt i pengoi zbardhja e këtij rasti!

Nga: A.M. Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 16:48
Presidentit historik Ibrahim Rugova iu bë një atentat me bombë më 2005

“Fal Zotit, shpëtova edhe njëherë”, këto ishin fjalët e ish-presidentit Ibrahim Rugova, pasi i kishte shpëtuar atentatit më 15 mars 2005.   

Ky nuk ishte i vetmi atentat ndaj presidentit Rugova, pasi veprimtaria dhe idetë politike të tij i pengonin shumë personave.  

Ndonëse, presidenti çdo herë punonte për çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës, kjo duket se iu pengonte disa të tjerëve.  

Atentati i vitit 2005 ndaj Rugovës, sot e kësaj dite ende nuk është zbardhur.  

Haki Latifi ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër në një prononcim për “Bota sot” kërkon që atentati ndaj presidentit Rugova të ndriçohet sa më parë.  

Ai beson se ndriçimi i këtyre sulmeve nuk ka të bëjë vetëm me LDK-në, por edhe me besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve të Kosovës. 

Image
Haki Latifi ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër

“Për fat të keq ish Presidenti i ndjerë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ishte shumëherë cak i atentateve. Një nga sulmet ishte edhe ai ndodhur në mars të vitit 2005, në momentin kur ai po shkonte drejt Presidencës së Kosovës.  

Mendoj se ndriçimi i këtyre rasteve nuk ka të bëjë vetëm me LDK-në, por ka të bëjë me qytetarin dhe besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Latifi.  

Në vazhdim, ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër potencon se përgjegjës për sigurinë e qytetarëve të Kosovës gjatë asaj kohe ishte UNMIK-u.  

Madje, ai fajësoi UNMIK-un për mos zbardhjen e këtij rasti, duke vlerësuar se ata kanë pasur të gjitha të dhënat për këtë atentat, mirëpo nuk i kanë marrë seriozisht hetimet.  

“Dihet se gjatë kësaj kohe siguria e qytetarëve të Kosovës ishte përgjegjësi e UNMIK-ut, ku për fat të keq nuk i ka marrë seriozisht kërcënimet dhe praktikisht i bie se nuk ka dashur të zbardh atentatin ndaj Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. UNMIK-u i ka pasur të gjitha të dhënat për Kosovën, pasi ishte e pamundur me gjithë atë personel, me një administratë disa mijëshe, të mos zbardh atentate që kanë ndodhë në dritën e diellit, po më duket pak e pamundur.    

Njëherit përgjegjësi për mos zbardhjen e vrasjeve të pasluftës kanë të gjitha institucionet e Kosovës. Përderisa akoma janë me dhjetëra vrasje politike të pasluftës që po mbesin enigmë dhe të pasqaruara. Sepse, është e vërtetë që institucionet politike nuk i zbardhën rastet”, nënvizoi ai.  

Më tej, Latifi theksoi se Kosova nuk është pronë e askujt dhe se trajtimi i krimeve, vrasjeve politike të luftës dhe pas luftës mes shqiptarëve, do të mbetet çështja e fundit që do të hetohet dhe gjykohet nga gjykata speciale me seli në Hagë.    

“Ky vend nuk është pronë e askujt, por është e të gjithëve që e dhanë jetën për të dhe sakrifikuan djersë, gjak, gjymtyrë dhe gjithçka që patën. Ky vend është i nënave, motrave e vajzave, fëmijëve, e atyre që luftuan heroikisht, që u burgosën dhe u vranë mizorisht, që u helmuan në shkolla, që u masakruan dhe që pabesisht dhe në mënyrë tinëzare u vranë për interesa individuale-grupore.    

Natyrisht se trajtimi i krimeve, vrasjeve politike të luftës dhe pas luftës mes shqiptarëve, do të mbetet çështja e fundit që do të hetohet dhe gjykohet nga Gjykata Speciale me seli në Hagë”, theksoi ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër.    

Shërbimet e huaja    

Krahas kësaj, Latifi komentoi edhe mbi rolin e gjykatës speciale për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës në Kosovë.  

Ai hodhi dyshime se brenda speciales është duke u luajtur një lojë e ndytë mes shërbimeve të huaja armiqësore të Kosovës.    

“Gjykata speciale e ka mandatin që t’i hetojë edhe vrasjet politike të pasluftës. Kjo gjykatë ndoshta mund të zbardhë ndonjë vrasje që ka ndodhur gjatë dhe pas luftës, por nuk besoj se do të merret me çdo vrasje, të ndodhur në Kosovë, dhe familjarët bashkë me qytetarët e Kosovës presin me të drejtë zbardhjen e tyre nga drejtësia e Kosovës dhe nga specialja.  

Ka mundësi që një lojë të ndytë kanë luajtur edhe shërbimet e huaja armiqësore të Kosovës të cilat përmes shqiptarëve, përmes ish-veprimtarëve të cilët dikur kanë qenë në një organizatë politike, me i përdor edhe me krijuar një situatë të konfliktit politik në mes të shqiptarëve. Ku qëllim kryesor kanë destabilizimin e shtetit të Kosovës. Të cilat kanë qenë jetësisht të interesuara që Kosovën me zhyt në një konflikt edhe më të thellë politik, mbase edhe në një konflikt që do të merrte përmasa të dhunës politike”, shpjegoi Latifi.  

Krejt në fund, ai thotë se fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë, mirëpo zbardhja e këtyre atentateve dhe gjetja e porositësit do të ishte sukses për shtetin e Kosovës.  

“Zbardhja e këtyre rasteve të atentateve, që do të na shpinte tek porositësi. Kjo do të ishte sukses për shtetin e Kosovës dhe institucionet e tij.  

Ky proces është i ndjeshëm dhe është mirë që t’iu lihet organeve të drejtësisë ta thonë epilogun e fundit, pasi në këtë mënyrë vetëm po ua shtojnë dhembjen familjarëve të të vrarëve.  

Atdheu nuk është asgjë tjetër veçse dashuri për njeriun e dashuri për vendin!”, përmbylli Haki Latifi për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat