Bllokada është Serbia/ Kosova duhet të mbajë këtë qëndrim rreth formimit të Asociacionit

Politika

Bllokada është Serbia/ Kosova duhet të mbajë këtë qëndrim rreth formimit të Asociacionit

Nga: A.SH Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 23:04
Foto nga takimi Kurti-Vuçiq (foto arkiv)

Nuk dihet se kur do të ketë takim ndërmjet palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për vazhdimin e dialogut.

Kryeminsitri Albin Kurti më herët kishte deklaruar se është i gatshëm, kurdo që BE thërret për takimin.

Por, nga ana tjetër zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi nuk kanë gatishmëri për dialog.

“E kemi bërë shumë të qartë, pas dy takimeve këtë vit, që parakusht për takimin e radhës duhet të jetë gatishmëria e të dyja palëve që të dakordohen rreth rezultateve konkrete për të mirën e qytetarëve të tyre. Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, thuhet në deklaratën e tij.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti Islam Krasniqi, i cili ka thënë se, në këtë proces nuk është e gatshme Serbia.

Ai ka thënë se qëllimi i Serbisë është që Republika e Kosovës të dalë para një akti të kryer lidhur me themelimin apo krijimin e asociacionit, marrëveshje e nënshkruar nga përfaqësuesit tanë në Bruksel.

“Kosova është e gatshme për dialog, mirëpo politika e Serbisë nuk është e gatshme, sepse ajo përmes kësaj bllokade po mundohet që Republika e Kosovës të dalë para një akti të kryer lidhur me themelimin apo krijimin e asociacionit, marrëveshje e nënshkruar nga përfaqësuesit tanë në Bruksel”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe kryeminsitri Kurti më parë kishte deklaruar se është i gatshëm për dialog, por Serbia është ajo e cila po e bllokon këtë proces.

“Z.Kurti ka thënë se është i gatshëm për të vazhduar dialogun, ku edhe zv. Kryeministri shkoi për dialog në Bruksel e që pala serbe refuzoi takimin, që na bënë të kuptojmë se ku egziston problemi apo ku bëhet bllokada e dialogut. Po ashtu edhe një pjesë e gabimit egziston edhe te pala kosovare sepse s'ka qenë e kujdesshme në procesin e dialogut dhe ka nënshkruar çka do që ju është servuar përpara. Ne nuk duhet të bllokojmë procesin e dialogut, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të formojmë asociacionin duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e jo të na imponohet nga bashkësia ndërkombëtare siç na imponuan demarkacionin me liberalizimin e vizave dhe në fund e aprovuam asociacionin po asgjë nuk fituam”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat