Përplasja me Borellin/ Paralajmërimi për Albin Kurtin: Kryeministri në presion të madh nga BE, ky është shpëtimi i tij

Politika

Përplasja me Borellin/ Paralajmërimi për Albin Kurtin: Kryeministri në presion të madh nga BE, ky është shpëtimi i tij

Nga: P.R Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 20:52
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell në Bruksel.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka insistuar se Kosova duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me Serbinë, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave serbe, marrëveshje të cilën Borell e quajti si më të rëndësishmen.

“Nuk pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Tashmë kemi thënë që themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Kjo marrëveshje u arrit me pajtimin e palëve dhe presim të zbatohet e respektohet nga të gjithë. Kjo çon drejt normalizimit të raporteve dhe këtë sot ia kam thënë edhe kryeministrit Kurti”, tha Borrell gjatë dites së sotme, teksa kryeministri Kurti deklaroi se Asociacioni i shkon për shtati vetëm Beogradit, por jo edhe qytetarëve serbë në Kosovë, dhe se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si marrëveshje jokushtetuese.

“Kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese këtë marrëveshje, asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar. Andaj duhet të kemi dialog nga i cili përfitojnë qytetarët e jo politikanët”, u shpreh Albin Kurti.

Image
Faton Mehmeti

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është nën presion të madh për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe.

“Natyrisht se Kurti është në presion, ky presion vetëm sa të shtohet me kalimin e kohës. Duke ditur këtë gjë, kryeministri Kurti ka tentuar që taktikisht ta shmang këtë gjë duke thënë se "nuk e kemi prioritet dialogun". Megjithatë, kjo nuk varet nga Kurti, presionit të BE vështirë t'i rezistojë dikush, aq më tepër dikush nga Kosova”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, Kurti ka vetëm një shpëtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht qëndrimi që do të mbaj SHBA lidhur me Asociacionin.

“Nëse SHBA e mbështet Borellin, atëherë Kurti do e ketë vështirë të rezistojë: ose asociacion ose dorëheqje. Po them prapë, nëse Kurti gjen një mirëkuptim nga ana e SHBA që kjo çështje të shtyhet, ose mos të mbështet nga ata për momentin, atëherë BE nuk do " t’ia lë shenjë" Kurtit, në të kundërtën e ka punën pick”, shprehet analisti Mehmeti.

Për fund, Mehmeti deklaron se dialogu me Serbinë ka qenë arsyeja që ka rrezuar tri qeveri në Kosovë.

“Mos të harrojmë se pikërisht dialogu me Serbinë ka rrëzuar tri qeveri, kështu që nuk është larg mendsh që të ndodhë përsëri e njëjta gjë. Nëse Kurti do të arrijë të fus në lojë Serbinë, të rris atje tensionet duke shkaktuar krizë politike, kjo gjë mund ta lehtësojë atë përkohësisht. Kurti, ndodhet në një situatë jo të lehtë”, përfundon për gazetën “Bota sot” analisti politik, Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat