Kjo është vetëm një propagandë e Ramushit

Politika

Kjo është vetëm një propagandë e Ramushit

Nga: A.Z Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 21:40
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili deri më sot e ka kritikuar Qeverinë Kurti, tani duket se ka filluar ta ndryshoj këtë qëndrim.

Kështu ai ka bërë të ditur se janë të gatshëm për të qenë aleat i Qeverisë Kurti, sepse sipas tij, sfida më e madhe është marrëveshja finale me Serbinë, e cila ka të ngjarë të hyjë në fazën e vet përfundimtare.

“Kosova sot, më shumë se kurrë ka nevojë për unitet politik, në mënyrë që njëzëri ta mbrojë interesin e vet. Unë dhe Partia ime si dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë”, ka shtuar tutje ai.

Lidhur me deklaratën e tij, analisti Faton Mehmeti, ka deklaruar se bashkim duhet të ketë, por sipas tij, deri tani i vetmi që e ka bërë këtë ishte Rugova, sepse të tjerët flisnin por nuk e donin një gjë të tillë, madje as Haradinaj nuk ka bërë asnjë hap drejt saj.

“Në parim pajtohem se duhet të ketë bashkim dhe këtë gjë i vetmi që e ka bërë deri tani ka qenë presidenti Rugova. Pas tij, të gjithë të tjerët vepruan në kokë në vete, flisnim për bashkim por nuk e donin një gjë të tillë. Edhe Ramushi, që flet për bashkim, nuk ka bërë asnjë hap sa ishte kryeministër që të ndodhte unifikimi. Derisa hedh akuza ditë e natë, shan e bërtet kundër duke kaluar edhe caqet politike, nuk di për çfarë bashkimi mund të flitet”, tha Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas Mehmetit, kjo është propaganda, sepse nuk është për ata që nuk kanë punuar për bashkim.

Madje ai thekson se Haradinaj nuk mund të jetë më i mençur se Kurti.

“Kjo është vetëm një propagandë e Ramushit, nuk e besoj se është sinqertë. Natyrisht se ka nevojë për unifikim, mirëpo nuk besoj se kjo gjë mund të ndodhë nga ata që nuk kanë punuar për bashkim, përkundrazi janë përçarës të skenës politike. Ramushi mund të jetë më trim se Kurti, por nuk është më i mençur, për pushkë Ramushit jepja dorën, për tavolinë Albinit. Secili duhet të dijë se ku e ka vendin e tij. Akuzat e Ramushit se Kurti nuk është njeri i tavolinave, është njësoj si të thuash se Ramushi nuk është i pushkës”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat