Kriminelët e veriut në listë të zezë nga SHBA-të, juristi tregon si të veprojë shteti i Kosovës

Politika

Kriminelët e veriut në listë të zezë nga SHBA-të, juristi tregon si të veprojë shteti i Kosovës

Nga: G.B Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 16:18
Foto ilustrim nga operacionet e policisë në veri

SHBA ka vendosur sanksione ndaj 16 zyrtarëve serbë.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një deklarate për media ka bërë të ditur vendimin e Departamentit të Thesarit të ShBA-së për të futur në listë sanksionesh rrjetet e korrupsionit në Evropë përfshirë edhe grupin e krimit të organizuar në veri të Kosovës që drejtohet nga Zvonko Veselinoviq.

Sipas këtij vendimi,  thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontroll të disa bizneseve në disa rajone.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi.

Ai ka thënë se Kosova duhet të luftojë kundër krimit në veri dhe tani është momenti kur kriminelët e asaj pjese janë futur në listë të zezë nga SHBA-të.

Sipas tij, shteti duhet të veprojë në dy drejtime.

“Futja e kriminelëve të veriut në listën e personave kriminelë, që quhet lista e zezë, është momenti që organet e Kosovës të veprojnë dhe të luftojnë krimin dhe korrupsionit, kontrabandën etj. Me atë është hapur rruga e veprimeve të shtetit. Shteti duhet të veprojë në dy drejtime: 1. Në kapjen e kontrabandistëve në veri dhe kudo ku paraqitet krimi dhe 2. Në shikimin dhe analizimin e "Listës Srpska" për të shpallur atë antikushtetuese, kuptohet me ligj. Këto dy rrugë janë të domosdoshme, në mënyrë edhe në veri të shtrihet pushteti dhe shteti i së drejtës”, ka thënë ai.

Sipas Kelmendit, po ashtu duhet marrë parasysh dhe disa fakte te Lista Srpska.

“Te "Lista Srpska" janë gjithashtu edhe disa fakte që duhet marrë parasysh: Së pari, mendoj për faktin se ky subjekt dhe elementet e këtij subjekti janë të lidhur dhe varen kryesisht nga kontrabanda dhe kriminelët që janë futur nga administrata e Z.Biden në listën e zezë. Po ashtu, ky subjekt nuk e ka pranuar kurrë Republikën e Kosovës. Së dyti, askund në veri nuk ka shtet të Kosovës. As edhe flamuri i Republikës nuk gjendet. Atje ka pushtet të Serbisë. Për të pasur sukses lypset të veprojë sistemi i drejtësisë ndaj këtij subjekti dhe udhëheqësve të tyre. Kjo për faktin se këta janë shkelësit më të ashpër të Kushtetutës së Kosovës. Nuk ka rast që nuk shkelin ligjet e Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Ai ka shtuar se duhet të veprojë gjyqësori dhe Kuvendi, pasi ka baza ligjore për të vepruar në veri.

“Fakte ka mjaft, por duhet të veprojë edhe gjyqësori dhe edhe vetë Kuvendi i Kosovës. Ata janë deputetë në këtë Kuvend dhe këtej duhet të merren masa konkrete kundër tyre. Baza ligjore ka. Mbetet të veprojë shteti”, ka deklaruar profesori Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat