Lista e zezë të SHBA-së/ Ish agjenti i SHIK-ut: Radoiçiq dhe Veselinoviq rrinë natë e ditë me ish komandantët e luftës...

Politika

Lista e zezë të SHBA-së/ Ish agjenti i SHIK-ut: Radoiçiq dhe Veselinoviq rrinë natë e ditë me ish komandantët e luftës...

Nga: P.R. Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 20:36
Radoiçiq dhe Veselinoviq

Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq, bashkë me 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë futur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së, pasi konsiderohen si udhëheqës të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë

Sipas komunikatës së thesarit të ShBA-së, Veselinoviq bashkëpunonte me zyrtarë të Kosovës.

“Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët”, thuhet në komunikatën e Departamentit të Thesarit të ShBA-së.

E pas këtij vendimi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari ka folur për kontrabandën që zhvillohen në veri të Kosovës, si dhe lidhjet e Veselinoviqit dhe Radoiçiqit me politikanët në Kosovë, ashtu siç shkruan në komunikatën e thesarit të ShBA-së.

Image
Ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari

“Problemi kryesor në lidhje me kontrabandën dhe terrorizmin serb në veri është Beogradi zyrtar dhe politikanët e oligarkët e tyre shqiptar të Kosovës që bashkëpunojnë ngushtë me krimin e organizuar serb. Po mos të ishin oligarkët dhe politikanët e korruptuar në Prishtinë, bandat serbe të kontrolluara nga Beogradi nuk do të mundnin as 30 ditë të mbijetonin. Nafta, armët, barnat, cigaret, droga, prostitucioni, tekstili, etj... që sillen në veri të Kosovës mbi 98% të atij mallit përfundojnë në tërë Kosovën. Mos të harroj se mbi 400 milionë euro Kosova i blen mall Serbisë pa llogarit kontrabandën”, thotë Miftari.

Madje sipas tij, kur ishin sulmuar pikat kufitare ne Kosovë, serbëve iu kishin prirë dy shqiptar.

“Para disa vitesh kur Kosova u shpall e pavarur dhe EULEX kishte shtrënguar pikat kufitare u bë sulmi ku u djegën dy pikat kufitare të shtetit të Kosovës dhe nuk u ndjek as nuk u dënua askush. Mos të harrojmë se në një raport që e kam lexuar edhe vet të inteligjencës së një shteti shumë te fuqishëm Evropian, shkruante se sulmuesve të maskuar serb në dy doganat e Kosovës ju prinin dy shqiptar të Kosovës sipas gjitha gjasave ishin vëllezër ndërmjet vete dhe ishin biznesmenë të njohur, sidomos për kontrabandën e naftës dhe cigareve”, shprehet ish agjenti Miftari.

Ai thotë së të gjitha këto të dhëna i ka edhe inteligjenca e Kosovës.

“Këto të dhëna edhe mijëra informacione tjera i posedonte edhe inteligjenca e Kosovës edhe Prokuroria e Kosovës që janë edhe vet të korruptuar pasi kontrollohen dhe janë kukulla në dorë të politikanëve të korruptuar të Kosovës. Shkoni në Mitrovicë, me dekada është mbajt nën eskortën e Policisë së Kosovës edhe të vet RSU nafta e kontrabanduar e Veselinoviçave e Radojçiçave në bashkëpunim me Radojçiçat politikanët tanë shqiptar janë suspenduar me dhjetëra policë e doganier... pasi kanë qenë vet pjesë e krimit të organizuar por nuk është dënuar askush janë falur, janë rehabilituar... dihet shumë mirë kujt guxojnë me iu ndalu kamionët nga dogana e policia jonë e kujt nuk guxojnë me i ndal kamionët”, shpjegon më tej Miftari.

“Mos të harrojmë një zyrtar i ATK-së kishte vërejt dallavere-vjedhje shmangie të tatimit qindra milionëshe në dogana dhe këtij zyrtari, pos që ju kushte rrezikuar vendi i punës nga shefat e mëdhaj të shtetit tonë M.M, ju kishte rrezikuar edhe jeta e vet dhe mos ishte Jeta Xharra që e bëri publik këtë afër jam shumë i sigurt se zyrtari i shtetit tonë M.M nuk do të jetonte sot!”, shton Naim Miftari.

Sipas tij, kriminelet serbë në vazhdimësi kanë qenë në lidhje të ngushtë me oligarkët dhe politikanët shqiptar.

“Edhe shtëpitë kolektive që i ndërton Serbia për ta kolonizuar veriun e Kosovës janë pjesëmarrës dhe ndërtues firma të shqiptarëve pronarët e tyre janë miq e rrinë natë e ditë me patriota e ish komandantë të luftës. Unë mendoj se vet Kryeprokurori dhe prokuroria shumica në Kosovë janë edhe vet të korruptuar ose ndalohen të veprojnë në veri nga politikanët e korruptuar deri në gush”, shprehet Miftari.

Për fund, ai thotë se veriu i Kosovës është shndërruar në zonë të krimit të organizuar me ndihmën edhe të ndërkombëtareve.

“Krimi i organizuar politikisht është mbrojt mbi dhjetë vjet nga shërbimi sekret francez, nga KFOR-i francez por 20 vite dhunë, 20 vite hajni, 20 vite krime dhe 20 vite mos ndëshkim të krimit të organizuar ka bërë veriun e Kosovës një EL DORADO të krimit të organizuar që mbështetet, kontrollohet financiarisht dhe politikisht përmes listës serbe nga Beogradi dhe ndihmohet nga Prishtina zyrtare që qeverisnin pa brenga që 20 vite bashkë. Kosovës nuk i duhen bisedimet me askënd, aq më pak me Serbinë, por Kosova duhet me e respektu integritetin e vendit tonë dhe me zbatu ligjin njësoj për të gjithë në tërë territorin e Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat