Eksperti i sigurisë përmend emrat e këtyre politikanëve që qëndrojnë prapa krimeve të pasluftës në Kosovë

Politika

Eksperti i sigurisë përmend emrat e këtyre politikanëve që qëndrojnë prapa krimeve të pasluftës në Kosovë

Nga: M.H. Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 22:49
Azem Syla

Në vitin 2016, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njërën kundër 17 personave dhe tjetrën kundër 22 personave.

Në këtë aktakuzë ishte i përfshirë edhe Azem Syla.

Syla dhe 38 personat e tjerë akuzohen për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizim i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Mirëpo, pavarësisht kësaj Azem Syla vazhdon të mbetet i lirë pa u dënuar.

Në lidhje me këtë temë ka folur eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Ai u shpreh se që nga pas luftës janë bërë shumë të këqija në vendin tonë dhe se të “fortit” kanë kapur shtetin duke përfituar në vazhdimësi.

Për këtë arsye, populli ka humbur shpresat që një ditë do të ndryshojnë gjërat.

Image
Hajrullah Tërnava

Në këto kohëra të pasluftës janë bërë të këqija të mëdha në këtë Kosovën e mjerë dhe ato krimet më të rënda i kanë krye ata që e kanë pasur mundësinë më të lartë për t’i kryer këto krime, e këto krime më saktësisht i kanë krye ata të “fortit” që kanë rrahur gjoks se ata e kanë çliruar Kosovën dhe të tillët i kryenin krimet e organizuara për përfitime dhe pasurime personale, dhe me ato veprime kriminale që e kapën shtetin e tërë për fyti dhe e pranuan tani në këtë gjendje dhe situatë të tillë që tani popullit i kanë humbur shpresat për të jetuar në këtë Kosovë.

Sepse sikur në jetën e lirë, poashtu edhe në institucionet nga më të lartat e deri ato lokale, këta ishin ata që kanë dëshiruar në çfarë do vendi pune i kanë punësuar farefisërit e tyre, si dhe bashkëveprimtarët që e kishin për detyrë që të punojnë krejt çfarë ju thonë këta të “fortit” e shtetit, si dhe të jenë në shërbimin e tyre”, u shpreh eksperti.

Më tej, ai thotë që tokat bujqësore në atë kohë ishin përfitimet më të mëdha që mund të fitonin të “fortit”.

Gjithashtu shton që përveç Azem Sylës, poste të rëndësishme dhe keqpërdorime ka pasur edhe nga Xhavit Haliti dhe Hashim Thaçi.

Krimi i organizuar i pasluftës e sidomos nga viti 2009-2014 që është kryer në mënyrën e organizuar nga shumë persona, e që në këto kohëra u vlerësuar se përfitimet më të mëdha janë nga toka, që dikur iu takonin si tokë e kooperativave bujqësore në sistemin e komunizmit, e që paraprakisht kjo tokë më herët nga vitet 1950-60 ishte konfiskuar nga fshatarët si tokë që i punonin në kolektiv për shtetin, kurse tani pas viteve të luftës që u çliruam, disa njerëz të “fortit” për të përfituar. Në rastin e këtyre krimeve EULEX i ka ndërmarr masat e hetimeve që në vitin 2016 si rastit i “Toka” në rrethinën e komunës të Prishtinës dhe të Graçanicës.

Për të cilat toka i akuzuari i parë ka qenë Azem Syla me të tjerë, që më herët ishte deputet i PDK-së, në disa mandate në Parlamentin e Kosovës, dhe njëri nga ata që gjatë luftës ka pasur poste të rëndësishme në formacionet e UÇK-së, së bashku me Xhavit Halitin, Hashim Thaçin, etj. Kurse në tjetrën aktakuzë akuzoheshin 24 persona që njihej si “Toka 2”, që në vitin 2016 është mbajt mundësia e hetuesve të veçantë ku të përfshirë kanë qenë 51 persona, dhe ndërsa si i dyshuar edhe Azem Syla”, thekson eksperti i sigurisë.

Në bisedë e sipër, ai thotë që këto krime që e kanë tronditur Kosovën, kanë arritur të na lënë shumë mbrapa dhe të izoluar me botën.

Tërnava shprehet se pret që me formimin e Vettingut do të ndalen këto keqpërdorime dhe do të marrin masa për ata që keqpërdorën pozitën e tyre.

“Nga këtu si shembull vërehen këto veprime kriminale që i kanë kryer këta të “fortit” e shtetit, prandaj tani jemi këtu ku jemi, dhe me këto krime të pandërprera kemi mbetur si shteti më i izoluar në botë, kurse këta të “mëdhenjtë” e shtetit edhe që marrin rroga të majme në institucionet e Kosovës, janë lëshuar në krime të pandërprera. Sepse nga institucionet e shtetit askush nuk guxon me i dënuar, sepse ma herët në ato poste shtetërore i kishin emëruar po këta tani që po i kryejnë këto vepra kriminale të organizuara, prandaj kjo situatë e krijuar tani duhet që të gjithë ata që deri më tani e kanë qeverisur këtë vend, të zëvendësohen me njerëz të shkolluar dhe të pastër, dhe me ligjin e Vettingut që pritet të miratohet, të emërohen gjyqtarë si dhe prokurorë të ri dhe ata që ishin të involvuar në krime të deri tashme të dënohen dhe t’iu konfiskohet pasuria e tyre e përfituar nga krimi, dhe ajo pasuri t’i kthehet shtetit të cilit iu ka shkaktuar ky dëm”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat