Në mbrëmjen e 26 nëntorit vendi u trondit nga vrasja e tre personave në Gllogjan të Deçanit. Autobusi që po qarkullonte nga Gjakova për në Gllogjan u sulmua me kallashnikov me ç’ rast u vra shoferi i autobusit dhe dy nxënës. Pas 15 ditësh, organet e rendit kanë prangosur tre persona të dyshuar për këtë rast dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Para mediave u paraqit kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës Agim Kurmehaj.
"Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, ka thënë kryeprokori Agim Kurtmehaj.
“Nuk mund të japim informata të tjera që do të mund ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne si Prokurori zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre, do të vazhdojmë me intensitet të shtuar për ta ndriçuar këtë rast deri në fund. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk mund të marrim pyetje”, potencoi Kurtmehaj.
Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se pas deklaratës së prokurorit në Pejë, duhet të gjenden prova, madje së bashku edhe me dëshmitë të paraqiten në Gjykatën Themelore.
“Prokurori në Pejë deklaron se janë kapur dorasit të veprës monstruoze në Gllogjan Po këtu dhe në këtë deklaratë nuk ka në fakt koment. Është një deklaratë e prokurorit të Pejës mbi këta tre persona të prangosur si doras në Gllogjan. Mirëpo, a janë këta dorasit apo nuk janë mbetet të provohen nga provat dhe dëshmitë që paraqiten pranë Gjykatës Themelore në Pejë nga ana e prokurorëve në Pejë”, tha ai.
E gjithë kjo duhet të bëhet sepse, sipas Kelmendit, ka ndodhur shumë herë që të arrestohen persona pa faj. Tutje thekson se është vullneti i përgjithshëm që të kapen dorasit dhe të marrin dënimet.
“Ka ndodhur shpesh që të arrestohen persona pa "faj". Kjo për faktin se Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të provon në procedurë me fakte dhe me dëshmi konkrete fajësinë e të akuzuarve. Mbetet që kjo të shihet në procedure. Natyrisht se është vullnet i përgjithshëm që dorasit të kapen dhe të marrin dënimet e merituara. Ishte vepër e rëndë kriminale dhe është obligim moral dhe ligjor kapja dhe dënimi”, përfundoi Kelmendi.