Vendimi i fundit i Gjykatës Speciale ia ‘këputë’ shpresat ish-krerëve të UÇK-së

Politika

Vendimi i fundit i Gjykatës Speciale ia ‘këputë’ shpresat ish-krerëve të UÇK-së

Nga: N. Sh. Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 23:51
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi/ Foto ilustrim "Bota sot"

Ish-presidentit të Republikës së Kosovës, dhe ish-drejtorit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit sot në Hagë i është vazhduar paraburgimi nga Gjykata Speciale.

Vendimi është marrë nga gjyqtari i Procedurës Paraprake.

Këtë e bëri të ditur sot në seancë, avokati i Thaçit, Gregory Keohe.

“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë vendim për mbajtjen në paraburgim sot paradite, dhe kjo do ta apelohet”, tha ai.

Në lidhje Gjykatën Speciale, themelimin e saj dhe me vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit dhe arrestimin e krerëve të UÇK-së, ka folur ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava.

Tërnava thotë se, Gjykatën Speciale e krijuan në Kuvendin e Kosovës me insistimi ne vet Hashim Thaçit dhe disa shtetve mike të Kosovës.

Ai thotë se, kishte dyshime se Hashim Thaçi kishte premtime që nuk do të përfshihet në këto procedura, prandaj sipas tij, bëri çmos që të themelohet kjo Gjykatë.

Sipas tij, më vonë, kur filluan hetimet dhe grumbullimi i fakteve edhe vet Thaçi e kuptoi se do të jetë i përfshirë në këtë proces gjyqësor, pastaj, sipas tij, ndërmori veprime për shpërbërjen e kësaj Gjykate por që ishte vonë.

“Situata e pas luftës, me vrasje të shumta që ndodhën, dhe që deri më tani asnjë nuk u zbulua, e që pas luftës u krijua një qeveri e përkohshme nga luftëtarët çlirimtar të Kosovës, në një kohë të konsiderueshme ishin në pushtet UNMIK-u me Qeverinë e Kushnerit, megjithatë mund të konstatohet se në atë kohë ndodhen mjaft vepra të rënda të vrasjeve të shumë njerëzve, për të cilat këto vrasje i kanë pasur të dhënat me fakte për shumë vepra kriminale të asaj kohe vetë UNMIK-u, por ka dështuar për t’i hetuar, zbuluar dhe gjykuar”, thotë Tërnava.

Ai shprehet se më vonë erdh edhe EULEX-i por që vepruan njëjtë sikurse UNMIK-u.

“Megjithatë është e kuptueshme se edhe ato dy qeveri që u përmenden, kanë pasur të dhëna për krimet e shumta që janë krye e sidomos për vrasjet, por e kanë pasur të qartë se edhe me u ngritë procedurat për burgosjen e vepërkryesve, ishte pikëpyetje e madhe se cili gjykatës nga Kosova do ta kishte guximin për t’i ngritë procedurat e hetimeve dhe me i dënua ata vepërkryes, sepse ato vepra të shumta kanë pasur lidhshmëri me të “komandantët” të asaj kohe të pasluftës e që edhe sot po dëshmohet ky fakt se po ata të “mëdhenj” tani gjenden si të akuzuar në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe e vetmja mënyrë që Kosova të pastrohet nga krimi i atyre vrasjeve gjatë dhe pas luftës ishte që të formohet Gjykata Speciale me seli jashtë Kosovës, sikur që u vendos të jetë në Hagë edhe që asnjë gjykatës apo prokuror nuk janë të Kosovës”, potencon ai.

Sipas tij, që nga arrestimi i krerëve të UÇK-së kali më shumë se një vit, derisa thekson se është paralajmëruar edhe arrestimi i një grupi tjetër.

“Për ata që kanë pritur se pas dhënies së garancisë se Policia do të bëjë çmos për t’ju garantuar burgosjen shtëpiake, tani për të gjithë është një lajm i keq, madje edhe paralajmërues, deklarimi nga Prokuroria e Hagës kundër kërkesës për kalim në arrest shtëpiak, të të akuzuarve për krime luftë në grupin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit. Prokuroria Speciale ka dhënë përgjigjen e saj sa i përket garancisë së ofruar nga Policia e Kosovës për Thaçin dhe të tjerët. Prokuroria ka përmendur një sërë argumentesh se pse Policia e Kosovës s’mund të ofrojë garanci që Thaçi dhe të tjerët të lirohen për në arresti shtëpiak. Në versionin e redaktuar të Prokurorisë Speciale që mban datën 29 nëntor 2021, thuhet se kushtet që Policia e Kosovës ka ofruar për siguri të akuzuarve janë të pamjaftueshme”, tregon ai.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava e komenton edhe përgjigjen Prokurorisë para trupit gjykues, që është përfshirë edhe një fotografi e ish-presidentit Hashim Thaçi, me ish-drejtorin e policisë Rashit Qalaj e Shpend Maxhuni si dhe me zyrtarët e PDK-së, Abelard Tahiri e Bedri Hamza.

“Prokuroria Speciale përmend se Policia ka ofruar monitorim 24/7 për të akuzuarit me një zyrtar policor para derës së shtëpive të të akuzuarve, por që sipas tyre personeli është i pamjaftueshëm për arrest shtëpiak të personave të tillë me ndikim në Kosovë siç janë Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një shkrese drejtuar gjykatës, ka kundërshtuar lirimin e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga paraburgimi, ku ndër të tjera ka thënë se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara. Sipas shkresës së ZPS-së, thuhet se klima e krijuar mirë e ndërhyrjes në procesin gjyqësor në Kosovë, e dokumentuar në mënyrë gjithëpërfshirëse më parë, nuk është një kujtim i lashtë historik. “Kohët e fundit u shfaqën akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara që lidhnin kundërshtarët politikë të ish-presidentit Hashim Thaçi me organizatat terroriste”, thuhet në këtë shkresë”, citon Tërnava.

Po ashtu, sipas tij, në këtë shkresë Prokuroria ka bashkëngjitur edhe një fotografi të Abelard Tahirit, Shpend Maxhunit, Hashim Thaçit e Bedri Hamzës, ku thuhet se sjellja e liderëve të shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përfshirë deklaratat e Faton Klinakut këtë verë dhe krimet e supozuara se janë kryer nga Gucati dhe Haradinaj, po ashtu tregojnë qartë se kjo klimë vazhdon.

“Sipas ZPS-së, dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast. Prokuroria ka pretenduar se kushtet e propozuara nuk janë të mjaftueshme dhe edhe sikur të ishin, Policia e Kosovës (PK) nuk mund t’i zbatojë ato në mënyrë efektive dhe se vijimi i paraburgimit të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mbetet i nevojshëm. “Parashtresat e Policisë së Kosovës për zbatimin e kushteve të lirimit për personat e nivelit të të akuzuarve janë zbuluese. Policia e Kosovës (PK) mohon çdo përgjegjësi për dështimet e profilit të lartë në lidhje me Remzi Shalën, Sami Lushtakun dhe Sabit Gecin, duke injoruar pikën se këto incidente tregojnë se figurat e nivelit të lartë kanë fuqinë për të mposhtur kushtet në Kosovë (pavarësisht agjencisë që i zbaton ato)”, thuhet tutje në këtë shkresë. Tutje, prokuroria ka pretenduar se ka edhe raste të mëparshme të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të PK-së në rrjedhën e drejtësisë. “Si për shembull kur ata përkohësisht bllokuan zyrtarët e EULEX-it nga arrestimi i shefit të policisë së atëhershme të PK-së në Prizren, Nexhmi Krasniqi për krime të supozuara, krimet e supozuara në një vend paraburgimi të akuzuar në këtë rast”, thuhet në këtë shkresë”, citon përsëri Tërnava.

Ai tutje shprehet se, ata kanë thënë se ekzistenca e gjykatës dhe ZPS-së bazohet në realitetin se të akuzuarit e profilit të lartë të UÇK-së, si ata të akuzuar në këtë rast nuk do të mund të kishin një gjykim në Kosovë pa penguar drejtësinë.

““Në bazë të pozitave dhe përgjegjësive të tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbeten me ndikim të jashtëzakonshëm. Lirimi i të akuzuarve në Kosovë është kërcënim ekzistencial për zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të kësaj çështjeje dhe kësaj gjykate”, thuhet në këtë shkresë. Gjithsesi se ky refuzim Prokurorisë Speciale në Hagë për garancitë e ofruara nga policia e Kosovës është një sinjal paralajmërues dhe paragjykues edhe për provat e rënda që pretendon se i ka, si ngarkesë për akuzën e ngritur ndaj të akuzuarve dhe rrezikun që paraqesin ata për ndikim te dëshmitarët, edhe pse të mbrojtur dhe mbase të panjohur tash për tash për opinioni, dhe një minus i madh për besueshmërinë në institucionet e sigurisë në Kosovë të cilat akoma po perceptohen të ndikuara dhe të kontrolluara nga grupe të interesit dhe politikes”, potencon Tërnava.

Ai tutje shprehet se, garancionet e policisë së Kosovës, se do të ju garantojnë burgosjen shtëpiake të sigurt, është vetëm një mashtrim naiv, sepse Gjykata Speciale Ndërkombëtare në Hagë, që është krijuar për vepra kriminale gjatë luftës dhe pas sajë në Kosovë, nuk është si burgu i parë ndërkombëtar tani veç për Kosovën.

“Ka pasur edhe në të kaluarën burgje të tilla sidomos pas luftës së dytë botërore, dhe që nga fillimi i procedurave të burgosjeve e deri në mbarim të gjithë të burgosurit kanë qëndrua në ato burgje ku janë dënua, dhe nëse janë dënua i kanë vazhdua ti kryejnë burgjet në ato burgje ku ka vendosur trupi gjykues për ta. Në të ardhmen, nëse do të ndodhte që prapë të vendoset për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e kryera gjatë luftërave të ndryshme që mund të ndodhin, luftëra të tilla sikur në rastin tonë, atëherë ky gjyq do e humbte vlerën e saj dhe do të devalvohej dhe tani nuk do ta kishte më efektin valid dhe në përgjithësi në preventivë do ta humbte autoritetin e tij të qenit më si Gjkatë Speciale”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat