Bashkimi Evropian (BE) po kërkon që të mos respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa, kërkon që të respektohet verdikti kushtetues për Manastirin e Deçanit.
Kjo gjë po konsiderohet si një standard i dyfishtë për Kosovën. Edhe emërimi i Miroslav Lajçakut dhe Joseph Borellit si dy përgjegjësit kryesor për dialogun Kosovë-Serbi, nuk e ka ndryshuar pozicionin e dyshimtë që kishte për Kosovën Mogherini.
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi qasjen e Bashkimit Evropian ndaj çështjeve dhe problematikave të Kosovës.
Fillimisht, ai përmendi situatën në veri të Kosovës, ku tha se fajtorë për këtë situatë janë qëndrimet pro-serbe të ndërmjetësuesve të BE-së, dhe ish-politikaneve të inkriminuar shqipfolës.
“Në fakt, ka mbi 22 vite, që veriu i Kosovës, si asnjë trevë tjetër, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë, tash e mbi dy dekada, vazhdon të mbetet i kapur dhe i sunduar nga krimi i organizuar dhe bandat kriminale serbe, ngjashëm me territoret separatiste, të pushtuara nga Rusia në Ukrainë, si pasojë e dështimit të drejtësisë së lidhur me rrjetet mafioze e kriminale, qëndrimeve pro-serbe të ndërmjetësuesve të BE-së, dhe ish-politikanëve të inkriminuar shqipfolës, që përmbi dy dekada kanë koketuar me kriminel si Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq, duke i pritur dhe trajtuar si "burrështetas" në zyrat e Qeverisë në Prishtinë!
Në anën tjetër po ky Bashkimi Evropian, pas faljes së 2500 hektarëve tokë FYROM-it dhe 8300 hektarëve tjerë shtetit xhuxh të Malit të Zi, përfshi edhe Kullën e Çakorrin, që njihen si pikat e vjetra kufitare ndërmjet të dy vendeve, tash e sa kohë kërkon me këmbëngulje nga Kosova që ta jetësoj verdiktin e kushtetueses nga viti 2016, për faljen edhe të rreth 40 hektarëve tokë të qytetarëve dhe pronave komunale, manastirit të Deçanit”, deklaroi analisti.
Prandaj, Qarri habitet me qëndrimin e BE-së, duke ditur faktin sesa pak tokë e territor të vogël ka Kosova dhe nuk e di se edhe sa tokë e çfarë tjetër do të detyrohet të jap e fal ajo përsëri, që të mund të mbijetojë si shtet. Po ashtu Kosova nuk mund t’i kënaq ‘orekset’ e fiqnjëve sllav me territor.
“Vendi ynë, si njëri nga shtetet më të vegjël në rajon dhe Evropë, nuk e ka pasur kurrë dhe nuk ka as tani, madhësinë territoriale as shtrirjen gjeografike të Rusisë, që të ketë me çfarë ti kënaqë, "bash" krejt orekset e pretenduesve të brendshëm e atyre të jashtëm serbo-sllav, pse çdo herë kërkohet eksplicit, vetëm favorizimi dhe plotësimi i dëshirave të shteteve hegjemoniste serbo-sllave dhe elementit të brendshëm sllav, ani pse kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë, flitet se janë të ndërtuara sipas stilit katoliko-romak dhe se kanë origjinë puro-shqiptare”, shpjegoi ai.
Në vazhdim, analisti thotë se Bashkimi Evropian duhet të dërgojë ekspertë të specializuar për Manastirin e Deçanit, në mënyrë që të shoh se a ka të drejtë ta shpërblejë Serbinë hegjemoniste.
“Kështu që vet BE-ja para se të turret, me kaq vrap, për ta asgjësuar shtetin tonë, me gjithfarë gjetjesh e kërkesash arbitrare, duhet paraprakisht ti konsultojë faktet në Vatikan, ti dërgojë ekspertët e saj të specializuar për këto çështje, të merren me studimin në detaje të argumenteve, nga kohët më të vjetra dhe të publikojë vendimin e nxjerrë nga ekspertiza e hulumtimeve shkencore, pastaj të shohë a ka vend, për shpërblimin e Serbisë hegjemoniste, kishave “sllave” dhe bandave kriminale serbe, në Kosovë me territor dhe republika të reja, sipas shembullit të Bosnjës.”, potencoi Qarri.
Po ashtu, më befasuese është kërkesa e BE-së për respektimin e verdiktit kushtetues të Manastirit të Deçanit, ndërsa jo edhe për verdiktin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Habit shumë fakti se si BE-ja vazhdon kaq pa ndrojtje të matë me dy kute, edhe sa u takon vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pra të njëjtës Gjykatë të Republikës së Kosovës dhe kur është në pyetje verdikti i saj mbi asociacionin kundër-kushtetues një etnik serb, megjithëse vet BE-ja e ka proklamuar Kosovën si shtet "multi-etnik", insiston të mos respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese e të formohet asociacioni kundër kushtetues një etnik serb, ani pse kjo nënkupton bosnjëzimin e Kosovës dhe ngritjen edhe të një "Republike serbe" si hap i parë drejt ndarjes së vendit tonë edhe ashtu të vogël e të qethur pamëshirshëm në të gjitha anët”, theksoi analisti.
Më tej, ai vlerësoi se kjo qasje e Bashkimi Evropian është “dyfytyrësi” dhe shumë e padrejtë. Madje, Qarri tha se kjo gjë krijon përshtypje se ndërmjetësuesit e dialogut kanë qëllim që të sjellin përfundime fatale për territorin tonë.
“Ndaj një qasje e tillë dyfytyrëshe, jo vetëm që është aspak koherente, shumë e padrejtë dhe tërësisht e paturpshme, por së fundi ka filluar të kthehet edhe në pretendim fyes e tentim cinik, për Kosovën dhe qytetarët e saj, sjellje që të krijon bindjen, se ndërmjetësuesit e dialogut, mos-njohës të pavarësisë së vendit tonë, qëllim të vetëm kanë, krijimin e rrethanave faktike në terren, për ta sjell në përfundimin fatal, të zhdukjes përfundimtare të shtetin tonë të brishtë dhe asgjësimin e Republikës së Kosovës, të ndërtuar me aq shumë gjak e mundi, nga gjenerata të tëra të kombit”, nënvizoi Qarri.
Krahas kësaj, analisti vlerësoi se është momenti që Qeveria e Kosovës ta mbledh Kuvendin dhe me shumicën e votave të deputetëve, t’i shpall të pavlefshme të gjitha marrëveshjet dhe vendimet tradhtare, që rrezikojnë vendin.
“E ballafaquar drejtpërsëdrejti jo vetëm me Serbinë okupatore e cila për gati një shekull, me zjarr e hekur, e mbajti nën pushtim popullin dhe vendin tonë, duke dëbuar qindra mijëra shqiptar nga trojet e veta, gjatë gjithë periudhës së pushtimit, disa herë me traktate ndërshtetërore me Turqinë e shumë herë tjera edhe me forcën brutale të aparatit shtetëror represiv e ushtarak, është momenti vendimtar, që Qeveria e Kosovës, ta mbledh Kuvendin dhe me shumicën e votave të deputetëve, t’i shpall të pavlefshme të gjitha marrëveshjet dhe vendimet tradhtare, që rrezikojnë vendin, rregullimin e brendshëm, tërësinë tonë territoriale dhe vijimësinë e shtetësisë mbi një-dekadëshe të Kosovës së lirë dhe të pavarur.
Pavarësinë nuk e kemi shpikur ne, as nuk na e kanë falur Serbia, Lajçak e Borell, por është e drejta jonë e patjetërsueshme, e vërtetuar qysh me 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si organi më i lartë juridik i OKB-së”, tha ndër të tjera ai.
Krejt në fund, Qarri deklaroi se vetëm duke i shpallur të pavlefshme të gjitha marrëveshjet dhe vendimet tradhtare, Kosova do të lirohej nga presioni ndërkombëtar dhe nuk do të merret më me pretendimet e shtetit serb.
"Prandaj vetëm në këtë mënyrë Kosova do të lirohej nga presioni ndërkombëtar, e nuk do të ketë nevojë më të qaj kokën e të merret me pretendimet kolonialiste të Serbisë, as pretendimet e Lajçakut dhe Josep Borellit, para se ata tu japin pakicave kombëtare në vendet e tyre, dhe tu garantojnë edhe shqiptarëve nën Serbi, ato të drejta e privilegje që kërkojnë për serbët në shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, udhëheqësit e të cilit, duhet të mësojnë tu thotë me vendosmëri JO- pretendimeve me qëllime shkatërrimtare të orientuara kundër të tashmes dhe të ardhmes së popullit dhe shtetit tonë të lirë, Republikës së pavarur e sovrane të Kosovës martire”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.