Dogana e Kosovës ka njoftuar se së bashku me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar dje një aksion në tri lokacione në veri të vendit.
E në lidhje me këtë aksion, ka dhënë detaje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai në një postim në Facebook tha se gjatë këtij aksioni janë tri lokacione të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme.
“Policia e Kosovës në mbështetje të veprimtarisë së Doganës së Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Komunën e Zubin Potokut me ç'rast janë kontrolluar tri lokacione/ hapësira të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave. Aksioni ka përfunduar pa incidente.
Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin paisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare.
Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke lajmëruar çfarëdo veprimtarie joligjore, të kujtdo qoftë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit për të gjithë dhe kudo në Kosovë”, njoftoi Sveçla.
Lidhur me këtë, jurisi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se detyra kryesore e Republikës së Kosovës është lufta kundër krimit, por sipas tij, kjo nuk mund të arrihet nëse nuk ndërtohet një strukturë profesionale e pandikuar tek grupet kriminale.
“Krimi nuk ka nacionalitet, lufta kundër krimit dhe kontrabandës e korrupsionit është detyra kryesore e Republikës së Kosovës. Ajo është rritur dhe atë kërkohet nga organet që të luftojnë me kompetencë. Natyrisht se gjykatat e gjyqtarët, prokurorët etj., kërkohet të veprojnë me ligj. Për këtë është e domosdoshme intervenimi juridik në ligje. Lufta kundër krimit pa e ndërtuar një strukturë profesionale, të pandikuar nga grupimet dhe krimi, profesionale dhe të guximshëm, nuk arrihet. Lista e zënë SHBA-vë ka ndikuar shumë që të thellohet lufta kundër krimit”, tha ai.
Tutje potencoi se Lista e zezë e SHBA-vë u ka hapur rrugën organeve që të shkojnë kundër krimit me më përgjegjësi.
Ai thekson se organet e Kosovës të veprojnë në çdo vend, dhe të mos i lejojnë dukuritë kriminale.
“Ajo e ka hapur rrugën që organet e Kosovës më me përgjegjësi të shkojnë kundër krimit, kontrabandës dhe të gjitha dukurive tjera kriminale. Masat e ndërmarra në rrethinën e Ferizajt, duke arrestuar shqiptare dhe serbe, është një veprim shumë pozitive në luftën kundër krimit. Por, kjo është vetëm një anë. Ato duhet të shtrihet më thellë. Organet e Kosovës duhet të veprojnë kudo në hapësirën e Republikës. Nuk duhet askund të lejohen krime dhe dukuri kriminale”, ka shtuar Kelmendi.
Më tej ka deklaruar se shteti vepron atëherë kur zhvillohet luftë kundër të gjitha veprave ligjore, si dhe me gjykata ligjore dhe profesionale, sepse përndryshe lufta nuk përfundon.
“Në luftën e tillë nuk ka rëndësi nacionaliteti dhe baza nga vjen, fuqia politike dhe ekonomike etj. Lufta kërkohet të zhvillohet kundër të gjitha veprave antiligjore. Në këtë mënyrë ndërtohet shteti ligjor dhe vepron shteti. Mirëpo, pa gjykata ligjore dhe profesionale, pa profesionista në sistem, lufta mbetet në mes, e pa përfunduar. Prandaj duhen masa ligjore dhe dënime adekuate kundër tyre. Kështu thellohet lufta kundër krimit”, përfundoi ai.