Ministrja Gërvalla shpall non grata zyrtarin rus të UNMIK-ut, cenoi sigurinë kombëtare

Politika

Ministrja Gërvalla shpall non grata zyrtarin rus të UNMIK-ut, cenoi sigurinë kombëtare

Nga: M.L. Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 12:08
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, njoftoi se sot ka vendosur që ta shpall non grata një zyrtar rus të UNMIK-ut, për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, përcjell "Bota sot".

“Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot kam nxjerrë vendimin për shpalljen persona non grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi”, shkruan ministrja në Facebook.

Ajo thekson se Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme”, potencoi Gërvalla.

Në fund ajo siguroi qytetarët e Republikës së Kosovës se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit tonë, sa herë që të jetë e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat