“Goditja” amerikane për kriminelët e veriut/ Eksperti i sigurisë tregon cila organizatë nga Kosova qëndroi pas tyre!

Politika

“Goditja” amerikane për kriminelët e veriut/ Eksperti i sigurisë tregon cila organizatë nga Kosova qëndroi pas tyre!

Nga: N. Sh. Më: 1 janar 2022 Në ora: 16:51
Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq

Ishte 8 dhjetori kur autoritetet amerikane goditën kriminelët serbë të veriut të Kosovës.

Amerika i futi në “Listën e Zezë” një grup të organizuar kriminal, që përbëhet nga serbët nga Kosova: Milan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vuloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, shqiptarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

Sipas saj, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.

Zyrtarët e lartë amerikan, kanë kërkuar nga Serbia që t’i bëjnë përgjegjës edhe individët edhe kompanitë e tyre për krimet.

Ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Thesarit, Paul Ahern, deklaroi në Beograd se të gjithë ata serbë nga veriu i Kosovës, të cilët i sanksionoi SHBA-ja, duhet të mbahen përgjegjës.

“Individët dhe kompanitë në cak të këtyre sanksioneve, duhet të mbahen përgjegjëse, ndërsa aktivitetet e tyre, të cilat shkaktojnë destabilitet, duhet të ndalen”, citon deklaratën e Ahernit Ambasada amerikane në Serbi.

Për grupet kriminale në veri, ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili thotë se, shteti i Kosovës nuk u tregu i fortë përballë tyre.

Sipas tij, pas dështimit të institucioneve të sigurisë në veri, është SHBA-ja ajo që ‘i vë gishtin mbi krimin e organizuar në veri’ e që u goditën protagonistët kryesorë të krimit dhe kontrabandës Veselinoviq e Radoiçiq.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kjo goditje është paralajmërim i fillimit të zbërthimit të nëntokës kriminale që ka vepruar në bashkëpunim me të gjitha strukturat e nëntokës kriminale, legale dhe ilegale në politikën e inkriminuar që e qeverisi Kosovën për dy dekada, duke përfshirë edhe SHIK-un ilegal e parainstitucional të instaluar që nga pas lufta në vitet 1999-2000, në kohën e QPK-së që vazhdoi e u forcua dhe konsolidua pa pengueshëm deri në ditët e sotme, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës për rreth 100 miliardë euro”, thotë Tërnava.

Eksperti shprehet se, tani është koha e Qeverisë së Kosovës që të zbulojnë të gjitha kokat e krimit të kontrabandës.

Sipas tij, nuk duhet lejuar më asnjë ditë që këto struktura kriminale e që kanë qenë bashkëvepruer me politikanë të vazhdojnë krimin edhe më tutje.

“Gjithsesi se duhet tani që edhe subjekti politik që është pjesë e Kuvendit të kërkohet nga komisioni për mandate dhe imunitet si dhe nga KQZ-ja fillimin e procedurave për të përjashtuar nga jeta publike subjektin politik "Lista Serbe" që është kryekëput segment i prodhuar dhe stimuluar nga SHIK-u ilegal dhe partitë ne pushtet për 20 vite. Edhe e kuptueshme se duhet që përmes mekanizmit të saj ekzekutive të kërkojë që të fillojnë shkëmbimin e informacioneve relevante me Departamentin e SHBA-se mbi publikimin e Listës se zezë, ku është i përfshirë një nënkryetar i një subjektit politik institucional në atë listë, por edhe zyrtar dhe lider të subjekteve të tjera politike e qeverive të kaluara të kontrolluara nga nëntoka e krimit të organizuar”, shton ai.

Ai pohon se duhet të fillojnë hetimet penale mbi të gjithë personat të cilët janë qytetar të Kosovës dhe që janë publikuar nga Departamenti i Shtetit Amerikanë në listë të zezë.

“Tani kur i kemi argumentet nga shteti mik për krimin e organizuar në atë pjesë më pakë të kontrolluara nga qeveritë e deritashme të Kosovës, dhe me identifikimin e këtyre personave si kryesorët e krimit të organizuar, personave me identitetin e tyre, e sidomos për personat që e mbikëqyrin dhe e zhvillojnë krimin e organizuar qe dy dekada, tani ka lëshua rrënjë në pjesën e veriut, dhe po këta persona serb si Veselinoviqi dhe Radojqiqi dhe të tjerë, tani me identitetin e njohur për Qeverinë Kurti, duhet të shqyrtohet edhe përgjegjësia e subjektit politik Lista serbe në Kuvendin e Kosovës”, potencon ai.

Sipas Tërnavës, nuk mund të kalohet pa u analizuar dhe sanksionuar pozicioni i këtij subjekti politike kur dihet se këta persona e kanë ndikimin e plotë në Listën Serbe, dhe kjo Listë që i ka gjithë ato kompetenca në Kuvendin e Kosovës që pa 2/3 e pëlqimit të kësaj Liste nuk mundë të ndërrohen vendime të ndryshme që ua garanton Kushtetuta e Kosovës dhe po e abuzojnë pozitën për interesin e tyre.

“Tani kur definitivisht është e qartë se personat në fjalë qenkan kryesorët e krimit të organizuar, dhe kur ata janë të lidhur dhe me ndikim të lartë në Listën Serbe, duhet të hulumtohet dhe të kërkohet ndërrimi i Kushtetutës për ato kompetenca aq të mëdha që i ka kjo Listë, e që qenka edhe ajo e përzierë në krim të organizuar, sepse krimi i organizuar duhet të luftohet pamëshirshëm në të gjitha institucionet e Kosovës”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat