“Goditja” e radhës, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq në listën e zezë të SHBA-së?

Politika

“Goditja” e radhës, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq në listën e zezë të SHBA-së?

Nga: P.R Më: 6 janar 2022 Në ora: 18:54
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione të reja në drejtim të anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Sipas Departamentit të Thesarit, sanksionet shprehin përkushtimin e administratës Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.

“Dodiku ka minuar institucionet e Bosnje e Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare që ka në Bosnje për të përfituar pasuri për vete përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij ndarëse ento-nacionaliste reflekton në përpjekjet e tij për të avancuar këto qëllime politike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, dhe në këtë mënyrë rrezikojnë stabilitetin më të gjerë rajonal”, thuhet në njoftimin e e Departamentit amerikan të Thesarit.

E pas vendosjes së sanksioneve ndaj Dodikut, profesor, doktor Enver Bytyçi thotë se sanksione mund të vendosen edhe ndaj dy politikanëve tjerë në Ballkan, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Image
Enver Bytyçi

“Që ditën kur Hashim Thaçit iu komunikua akuza e prokurorisë Speciale të Hagës kam shkruar dhe kam thë në se ky është fillimi i fundit të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq. Ishte atëherë dhe është sot e qartë se të tre këta ishin dhe janë të padëshirueshëm në Uashington për shkak të iniciativave destebalizuese në Ballkan, ndër të cilat ndryshimi i kufijve shënonte kulmin e këtij destabiliteti. Por edhe Open Balkan do të rezultojë si një nismë destabilizuese. Dhe keni parasysh: Hashim Thaçin e ndëshkoi administrata Trump, e cila kishte një lloj luajaliteti në aktin e papërfunduar të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, kanë kaluar një vit e gjysmë nga ajo kohë dhe Rama e Vuçiq vetëm se e kanë thelluar aktivitetin e tyre në dëm të stabilitetit në rajon.

“Të dy këta nuk veprojnë me metodat e Milorad Dodikut. Kanë bërë edhe lëshime të cilat kanë qenë në interes të amerikanëve. Dhe falë kësaj manovre kanë mundur ose mund të vijojnë për disa kohë të mos jenë objekt i non-gratës amerikane. Por asnjëri prej tyre nuk është i imunizuar nga kjo. Të dy janë të akuzuar nga medie prestigjioze për lidhje të dyshmita me krimin e organizuar. Zoti Rama është akuzuar që në vitin 2015 nga një raport I OSBE-së për korrupsion dhe para të pista të fshehura përmes investimeve në SHBA. Bëhej fjalë për një shumë prej 200 deri 600 milionë dollarë amerikanë. E njëjta akuzë ekziston edhe në adresë të Aleksandër Vuçiq”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, Rama dhe Vuçiq janë të përfshirë në manipulim zgjedhjesh në vendet e tyre, Shqipëri dhe Serbi.

“Nëse i shtojmë politikave destabilizuese edhe veprimtarinë kriminale dhe korrupsionin e të dy liderëve ballkanikë, Ramës dhe Vuçiq, atëherë shkohet lehtësisht në përfundimin logjik e të arsyeshëm se këta janë objekt i sanksioneve amerikane. Madje edhe të departamentit të Thesarit për konfiskimin e pasurive të tyre në SHBA e gjetkë. Ndërkaq si Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq janë të implikuar në manipulim zgjedhjesh, një arsye tjetër kjo për sanksionet amerikane ndaj tyre. Dihet tashmë se korrupsioni, bashkëpunimi me krimin e organizuar, veprimtaria politike destabilizuese dhe manipulimi i zgjedhjeve janë pikat kyçe të arsyetimit të sanksioneve amerikane, gjithnjë sipas dekretit të Presidentit Biden për këtë”, deklaron profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Nga ana tjetër duhet të them se gjithnjë e më shumë po provohen lidhjet e Beogradit me Moskën. Një deklaratë e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë e datës 4 janar bën me dije se "Rusia nuk do të lejojë kurrë që Serbia të bëhet anëtare e NATO-s"! Kjo do të thotë se Kremlini e sheh Beogradin aleat e satelit të vetin. Por Rama dhe Vuçiq janë lodhur prej 4-5 vitesh që ta bindin Uashingtonin se "Serbia një ditë do të bëhet anëtare e NATO-s"! Është e ditur se qëllimi i këtyre dyve ishte rehabilitimi i Serbisë dhe qeverisë serbe në sytë e SHBA-ve. Ishte gjithashtu përfitimi nga vendimmarrja për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, madje edhe për Malin e Zi. Ishte tërheqja e mbështetjes për iniciativën e Ballkanit të Hapur, ose më saktë për krijimin e Jugosllavisë së Re!”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, ai thotë se kjo lojë e pasinqertë e kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë po demaskohet nga vetë aleatët serbë në Moskë.

“Ky demaskim do të jetë një zhgënjim i madh për autoritetet amerikane, të cilave ua kemi bërë me dije se "Serbia kurrë nuk do të pranojë të jetë anëtare e Aleancës Atlantike"! Por ka autoritete në SHBA që i kanë besuar Serbisë dhe Edi Ramës. Prandaj dhe do të kemi një zhgënjim të shtuar. Dhe zhgënjimet shoqërohen gjithnjë me një lloj reagimi më të ashpër sesa qëndrimet dhe politikat e pritshme, pavarësisht se janë të dëmshme. Për këtë arsye unë shoh se ka një axhendë pro-ruse në marrëdhëniet Rama-Vuçiq, përveçse plotësimit të interesave politike e personale të palëve”, nënvizon profesor Bytyçi.

Për fund, profesor Bytyçi deklaron se në këto kushte, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq do t'i nënshtrohen sanksioneve amerikane.

“Madje edhe ndonjë medieje të tyre në Tiranë e Beograd, si fjala vjen ERTV. Se kur do të ndodhë, kjo varet nga rrethanat që krijohen dhe interesat amerikane. Por të dy këta do të ndëshkohen patjetër. Kjo do të ndodhë edhe për arsye të faktit se amerikanët do të duhet të rikuperojnë autoritetin e prestigjin e tyre për ndonjë vendim të nxituar e të paverifikuar të mëparshëm. Edhe për faktin se ato synojnë të jenë të besueshme te qytetarët e vendeve tona dhe jo thjesht në sytë e disa qeveritarëve. Edhe për faktin se Aleksandër Vuçiq e mori në mbrojtje Milorad Dodikun e ndërkohë Edi Rama nuk bëri asnjë deklaratë mbështetëse të vendimit amerikan për sanksione ndaj tij”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat