Tërnava: Serbia do t`i vazhdojë veprimet e njëjta edhe në 2022-tën

Politika

Tërnava: Serbia do t`i vazhdojë veprimet e njëjta edhe në 2022-tën

Nga: A.M. Më: 7 janar 2022 Në ora: 15:19
Hajrullah Tërnava

Që nga pas lufta Serbia vazhdimisht e ka kërcënuar dhe shantazuar shtetin e Kosovës

E njëjta ka ndodhur edhe gjatë vitit të kaluar, kur zyrtarët e Serbisë disa herë kanë kërcënuar me luftë.

Lidhur me këtë çështje ka folur ish-zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava.

“Sikur Kosova t`i qeveriste këto territore në veri, si pjesë të saj me plotë kuptimin e fjalës, sikur që i qeverisë edhe komunat e tjera të Kosovës, atëherë sot nuk do të kishim pasur nevojë të flasim për këtë temë. Sepse aty ku ushtrohen kompetencat ligjore të përditshme në tërë territorin e Kosovës, ligjshmëria funksionon pa u vërejt fare, dhe opinioni i tërë i pranon ato jetësime të ligjeve apo intervenime policore në baza të shëndosha. Me vetë faktin sikur e shpjegova e kur e përmendim që gjatë këtij viti ka pasur aksion nga Policia e Kosovës në veri të Kosovës, i bie sikur ato pjesë nuk i takojnë Kosovës, apo që ato pjesë nuk janë në kompetencë ligjore të Policisë së Kosovës, dhe vetë fakti po e dëshmon këtë çfarë e shpjegova deri më tani”, ka shpjeguar ai.

Gjithashtu, Tërnava ka folur edhe për sjelljen e Serbisë karshi Kosovës, që nga paslufta.

“Sjelljet e shtetit fqinj të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës qysh nga çlirimi e deri më tani kanë qenë jo korrekte dhe jo të ligjshme dhe nonstop kanë krijuar konflikte kufitare, prandaj edhe nuk është për t`u habitur që në ato pjesë të veriut është rritur veprimtaria kriminale në mënyrë të dukshme, sepse atje ku nuk funksionojnë ligjet, mbretëron krimi, është një arsyetim që e pranon edhe shkenca e kriminalistikes”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Tërnava ka treguar se cili është qëllimi i Serbisë në pjesët veriore të Kosovës.

“Qëllimi i shtetit të Serbisë është që opinionin ndërkombëtar ta bindë me situatat të tilla në ato pjesë të veriut, duke e bindur opinionin se në ato pjesë nuk kanë fare qasje ligjet e Kosovës, prandaj nisur nga kjo këto pjesë duhet t`i takojnë Serbisë, që gjatë negociatave dhe bisedave mes dy shteteve që do të ndodhin për zgjidhjen e çështjes dhe njohjeve reciproke mes veti”, ka nënvizuar ai.

Po ashtu, Tërnava ka përmendur edhe shantazhimet dhe veprimet e Serbisë, duke sjellë afër kufirit të Kosovës mjete ushtarake gjatë kohës kur Policia e Kosovës po “luftonte” krimin në veri të vendit.

“Gjatë këtij viti zyrtarë të lartë të Serbisë, kanë kërcënuar e shantazhuar Kosovën duke i sjellë afër kufirit mjete ushtarake, e sidomos në kohëra kur policia e Kosovës intervenonte për jetësimin e ligjeve të Kosovës, e sidomos kur duhej që individ të ndryshëm të burgosen si kriminel për veprat që i kanë kryer në ato pjesë sikur që ishin tregti të jashtëligjshme, si kontrabandat etj”, thotë ai.

Ndërkaq, Tërnava ka paralajmëruar se edhe gjatë këtij viti, do të vazhdojnë provokimet e Serbisë ndaj Kosovës.

“Në bazë të sjelljeve të deritanishme Serbia prapë do të insistoj të përzihet në ato pjesë të territorit të Kosovës që janë të banuara kryesisht me popullatë serbe, prandaj pritet të vazhdojë me këto veprime edhe në 2022, e deri në pajtimin e plotë që po e ndërmjetësojnë edhe ndërkombëtarët. Në këtë situatë të tanishme sikur që është Kosova, deri në pajtimin e plotë të tyre, gjithsesi se do të jetë e rrezikuar nga Serbia”, ka cekur ai.

Në fund, Tërnava ka treguar se çfarë duhet të shfrytëzojë Policia e Kosovës që të arrijë t`i shpërbëjë grupet kriminale në veri të vendit.

“Por tani, situata po ndryshon sepse me kërkesën nga SHBA-të që të burgosen kriminelet ordinar me emra e mbiemra, që gjinden në Listën e zezë, tani besohet se policia e Kosovës do t`ia arrijë të shpërbejë grupin kriminal ndërkombëtar serb me bazë në veri, por policia e Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë situatë, dhe të jetë më e pranishme në ato pjesë të Kosovës, dhe t`i ushtroj ditë e përditë kompetencat e saj ligjore, si pjesë të Kosovës që janë, dhe qytetarët të mësohen me njerëzit që i kontribuojnë të mirave dhe jetësimeve të ligjeve në ato pjesë. E mira e të mirës në këtë situatë është se SHBA-të janë mjaftë të interesuara që t`i spastrojnë nga krimet në përgjithësi shtetet e Ballkanit, prandaj pritet nga ata që kjo ndihmë të jetë permanente”, ka përfunduar Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat