“Tornado” Amerikane kundër kriminelëve të veriut/ Ish-zëvendësministri kërkon të goditet edhe SHIK-u!

Politika

“Tornado” Amerikane kundër kriminelëve të veriut/ Ish-zëvendësministri kërkon të goditet edhe SHIK-u!

Nga: N. Sh. Më: 8 janar 2022 Në ora: 16:10
Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq

Strukturat ilegale të SHIK-ut, kanë lidhje dhe janë të involvuar me grupin e kriminelëve të veriut, grup ky i shpallur në Listën e Zezë amerikane.

Kështu shprehet, ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, teksa flet për kriminelët e veriut dhe Listën Serbe, e cila është pjesë e Kuvendit të Kosovës, por e ndikuar direkt nga Alekandër Vuçiqi në Serbi.

Së fundmi, SHBA-ja ka vendosur në Listën e Zezë edhe Milorad Dodikun dhe disa emra të tjerë serbë që veprojnë në Bosnje, e që duan të ndezin trazira atje, duke pretenduar në ndarjen e Bosnjes dhe Hercegovinës.

Tërnava shprehet se grupet kriminale të veriut, së fundmi të zbuluar edhe nga SHBA-ja, janë çerdhe e krimit të organizuar dhe korrupsionit në veri.

Ai shton se, kjo kastë kriminale është e lidhur me shumë politikanë dhe njerëz të fuqishëm në Kosovë.

Prandaj, kërkon që strukturat e SHIK-ut ilegal të dekriminalizohen de të pastrohen edhe mekanizmat e tjerë që ishin në lidhje me grupet e veriut.

Ai kërkon nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria që të veprohet më urgjencë ky aksion.

“Mendoj që Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë të fillojnë me urgjencë aksionin së bashku me të gjitha institucionet dhe mekanizmat e drejtësisë e të sigurisë, për t’i fuqizuar ato dhe shkëputur nga ndikimi i nëntokës kriminale dhe krimit të organizuar, për të bashkëpunuar me shërbimet e inteligjencës amerikane dhe vazhdimin e hetimit e të zbulimit të rrjeti të plotë të bashkëpunëtorëve të lidhjes kriminale në veri të Kosovës të drejtuar nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, e që lidhja e tyre përveç që shkon deri në Beograd, ka linjën e vetë speciale të bashkëpunimit kriminal edhe me strukturat e SHIK-ut të PDK-së, që e kanë instaluar dhe kontrolluar sistemin e drejtësisë dhe e kanë mbajtur peng, për ta mbrojtur me avokati secilin grup veprues nën kontrollin e tyre në krim të organizuar”, thekson Tërnava.

Ai shprehet se Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një ekpik të pavarur dhe gjithëpërgjishirës, me ekspertë e juristë të dëshmuar dhe të pandikuar nga askush.

Pastaj, sipas tij do të fillonte një transformim i rrënjësishëm i sistemit të drejtësisë dhe të jetë i gatshëm për ballafaqim me situatat për të zbuluar lidhjet e krimit të organizuarnë nivel vendi e që janë në bashkëpunim me çerdhen e tyre në veri.

Image
Hajrullah Tërnava

“Përbërja e tanishme e gjyqtarëve dhe prokurorëve është dëshmuar jo aktive, prandaj kërkohet reformim, ristrukturim dhe profesionalizëm me kuadro të reja të shkolluara jashtë vendit, të pa ndikuar nga lidhjet me krimin e organizuar. Kështu duhet vepruar edhe në polici dhe në AKI. Prandaj, është shansi dhe momenti i duhur që në veri shumë ashpër të luftohet krimi i organizuar”, thekson Tërnava.

Ai shton se në veri ka edhe shumë kriminelë serbë të kërkuar nga Interpoli, e që duhet të arrestohen edhe ata.

“Pas publikimit të Listës së Zezë të Amerikës, për Policinë e Kosovës është më e lehtë që ta luftojnë krimin atje, sepse më parë çdo intervenim i policisë apo njësive speciale policore u politizonte nga Serbia, dhe ndodhte që edhe njësitë policore të Serbisë apo edhe ushtarake të ngriheshin në nivelin e gatishmërisë si kundërpërgjigje ndaj policisë së Kosovës. Prandaj tani është momenti që policia të jetë e pranishme në mënyrë permanente në veri dhe pamëshirshëm t’i luftoj kriminelët atje”, përfundon Tërnava.

Ndryshe, me 8 dhjetori Amerika i futi në “Listën e Zezë” një grup të organizuar kriminal, që përbëhet nga serbët nga Kosova: Milan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vuloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, shqiptarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

Sipas saj, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.

Zyrtarët e lartë amerikan, kanë kërkuar nga Serbia që t’i bëjnë përgjegjës edhe individët edhe kompanitë e tyre për krimet.

Ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Thesarit, Paul Ahern, deklaroi në Beograd se të gjithë ata serbë nga veriu i Kosovës, të cilët i sanksionoi SHBA-ja, duhet të mbahen përgjegjës.

“Individët dhe kompanitë në cak të këtyre sanksioneve, duhet të mbahen përgjegjëse, ndërsa aktivitetet e tyre, të cilat shkaktojnë destabilitet, duhet të ndalen”, citon deklaratën e Ahernit Ambasada amerikane në Serbi.

Në anën tjetër, më 24 dhjetor të këtij viti drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se policia nuk mund të kryej asnjë aksion ndaj Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 personave të tjerë - të gjithë serbë nga Kosova që u vendosën në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 8 dhjetor.

Mehmeti ka thënë se fakti se ata janë vendosur në këtë listë nuk nënkupton se ka bazë ligjore për të kryer aksion ndaj tyre porse ka bërë të ditur se në rast se kanë informacione që ndërlidhen me krimin atëherë do të ketë veprime.

“Nëse prokuroria kërkon nga ne, ne do të veprojmë. Nëse ne hasim në informacione që ndërlidhen me krim, ne prapë do të veprojmë por vetëm pse ata janë në listë të zezë ne nuk e kemi atë mundësi të veprojmë për shkak se nuk kemi bazë ligjore. Por nëse prokuroria vlerëson që ato veprime paraqesin vepër penale ne absolutisht jemi në dispozicion që të veprojmë dhe do të veprojmë ndaj çdonjërit që ka nevojë”, deklaroi Mehmeti, raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat