Haradinaj e “kërcënoi” Kurtin me mocion mosbesimi/ Zbulohen prapaskenat - ja cilat parti mund ta bëjnë këtë!

Politika

Haradinaj e “kërcënoi” Kurtin me mocion mosbesimi/ Zbulohen prapaskenat - ja cilat parti mund ta bëjnë këtë!

Nga: M.H. Më: 8 janar 2022 Në ora: 22:05
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse do të ketë ndonjë mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti, AAK do t’i bashkohet.

“Qeverinë e parë Kurti nuk e kemi rrëzuar ne, ne ju kemi bashkuar një vote kundër se jemi opozitë, nesër nëse ka një mocion për rrëzimin e kësaj Qeverie ne i bashkohemi. Nuk e kemi fuqinë ne me i shpallë zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi, i cili fillon të tregoj disa nga tiparet e Haradinajt duke u shprehur se është një nga personat më kontradiktor të Kosovës.

Zoti Haradinaj është një nga politikanët më kontradiktorë të Kosovës. Sapo shfaqet si kundërshtar i egër dhe i pakompromis, ai mund të hypë në një makinë me ish-kundërshtarin e tij e të shkojë në mesnatë te shtëpia e një deputeti të tij për t’i kërkuar votën në parlament. Kjo karakteristikë e bën disi të paqëndrueshëm e të pabesueshëm. Nga ana tjetër kam përshtypjen se në publik jep përshtypjen e një njeriu të fortë, forcë e cila matet me mbajtjen e fjalës. Por praktikisht nuk është kështu. Edhe ai mashtron dhe gënjen kur ia do interesi”, u shpreh ai.

Profesori më tej thotë se Haradinaj është një nga politikanët që gjithmonë është përpjekur të mbrojë kufijtë e Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

Zoti Haradinaj ishte politikani më i vendosur në Kosovë në mbrojtje të kufijve dhe sovranitetit e integritetit territorial të Kosoëvs në kohën e rrezikut më të madh për ndarjen e saj. Ai iu kundërvu ashpër përpjekjeve të Thaçit dhe Edi Ramës për realizimin e projektit të Beogradit për shkëmbimin e territoreve. Megjithatë nuk u shkëput nga tradita dhe përvoja e dy kundërshtarëve të tij në korrupsion dhe lidhje me elementë të inkriminuar. Pra ai është pragmatik. Interesat e Kosovës i lidhë edhe me interesat e tij si politikan dhe si individ”, thotë profesori.

Bytyçi më tej tha se Haradinaj me Kurtin janë dy karaktere të ndryshme e që vetëm patriotizmi mund të i bashkoj deri diku.

I thashë të gjitha këto për të dëshmuar se Haradinaj është karakter i ndryshëm me Albin Kurtin. Kurti ka disa veçori tjera, disa tipare që nuk i ka Haradinaj. Ndoshta bashkohen deri diku te patriotizmi, por secili e sheh patriotizmin në mënyrën e vet. Ndaj unë kryetarin e AAK-së e shoh më shumë si kundërshtar të Kurtit në pikëpamje karakteri dhe jo parimesh. Kurti duket se i përmbahet më shumë e më mirë parimit, por kam përshtypjen se asnjëri nuk i ka ato tabu”, tha Bytyçi.

Përplasjet e vazhdueshme Kurti – Haradinaj

Më tej, Bytyçi thekson se veprimet e Haradinajt, i cili shumë shpesh del të bashkëpunoj me Kurtin dhe shumë shpesh del si kundërshtar i tij.

Prandaj dhe kundërshtitë dhe përplasjet Kurti-Haradinaj janë të vazhdueshme, por edhe konjukturale dhe me pabesi në kuptimin e pastër të kësaj fjale. Kur Haradinajt ia do momenti të shfaqet patriot, menjëherë gjen rastin dhe deklarohet për bashkëpunim në këtë fushë më qeverinë Kurti. Kur i preken interesat përmes ligjeve që miratohen ose përmes akteve qeveritare, atëherë revoltohet dhe del e bën thirrje për rrëzimin e qeverisë. Ka edhe raste kur përplasja zhvillohet në mënyrë racionale e për çështje themelore e të ditës, si psh për pandeminë e masat kundër saj. Megjithatë më shumë më lënë shije qëndrimet konjukturale, të cilat ose synojnë një pajtim të pamotivuar, ose shënojnë një sulm të motivuar për të bërë presion ndaj qeverisë”, thekson profesori.

Sipas profesorit Haradinaj kërkon PDK ose LDK që të bëhen bashk në mocionin kundër LVV, pasi vet si parti ka më së paku deputet.

Në këtë optikë e shoh edhe presionin e fundit që zoti Haradinaj bën ndaj qeverisë Kurti, kur thotë se nëse ndonjë parti opozitare do të kërkontë votëbesimine qeverisë Kurti2 do ta mbështeste atë. Dhe këtu ai ia njeh vetes takatin. Sepse është një parti me më pak deputet sesa partitë e tjera në parlament. Duke e ditur se mocioni kundër kryeministrit nga AAK nuk do të kishte vlerë, Haradinaj kërkon që këtë akt ta ndërmarrë një partner tjetër në opozitë, përkatësisht PDK ose LDK”, potencoi ai.

Por, sipas profesorit asnjëra parti nuk do të kërkoj të ndërmerret një veprim i tillë pasi të dy partitë tashmë janë të bindura që LVV do të vazhdoj qeverisjen e saj.

“Por mesa shoh këto dy parti nuk kanë ndërmend të kerkojnë që Kosova të shkojë në kutitë e votimit. Me siguri që ato nuk janë gati për këtë. U duhet kohë të kryejnë reformat brenda partisë. Vetëm pas reformave opozita mund të bëhet gati për qeverisje. Por kanë edhe dilema të brendshme si opozitë: Nëse do të bëjnë ose jo koalicion midis tyre. LDK-ja ka paguar një kosto për shkak të koalicionit të panatyrshëm me PDK-në në të kaluarën. Ndaj druan të nënshkruajë një koalicion në të ardhmen. Por edhe me Vetëvendosjën ajo ka dilema të tjera, të cilat vijnë gjitashtu si rezultat i përvojës së keqe të Isa Mustafës dhe Agim Veliut në bashkëqeverisjen në qeverinë Kurti1”, tha profesori.

LVV do të vazhdoj rrugën për “çlirimin” e Kosovës nga krimi dhe korrupsioni

Nga ana tjetër profesori shprehet i bindur që LVV do të vazhdoj qeverisjen pasi ka shumë premtime të cilat do i duhen të i përfundoj.

Këto dilema nuk është lehtë të kapërcehen. Prandaj dhe opozita nuk është e bashkuar në një aventurë të të shkuarit në zgjedhje të parakohshme. Ndaj unë shoh vetëm një mundësi për të patur zgjedhje të parakohshme. Që Vetëvendosja dhe Lista Guxo të shkojnë vetë, me iniciativë, në votëbesim. A mund të ndodhë kjo? Është heret të thuhet diçka e saktë. Megjithatë unë mendoj se Vetëvendosja do të vazhdojë të qeverisë, me qëllim që të realizojë programin dhe reformat që ka premtuar. Sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fushë në të cilën kanë filluar lëvizjet e para”, u shpreh ai.

Në fund, profesori iu jep fund mendimeve që për shkak të dialogut me Serbinë, Kurti do të kërkoj zgjedhje të parakohshme. Sipas tij që dialogu të jetë i suksesshëm, do të duhet patjetër të thirret opozita në këtë proces.

Këtë aksion politik, për të cilin Vetëvendosja u votua, ajo nuk mund të lejë në gjysëm të rrugës. Duhet ta çojë deri në fund. Megjtihatë ka nga ata që besojnë se për shkak të dialogut me Serbinë zoti Kurti është i interesuar të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme. Që dialogu të jetë i suksesshëm, do të duhet patjetër të thirret opozita në këtë proces. Bashkëpunimi me opozitën në rastin e bisedimeve midis Kosovës e Serbisë është i domosdoshëm. Transparenca gjithashtu është kusht i pakontestueshëm”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat