“Dëshmia e bashkëpunimit të ‘komandantëve’ me Serbinë!?/ Publicisti nga Gjermania jep detaje të padëgjuara më parë

Politika

“Dëshmia e bashkëpunimit të ‘komandantëve’ me Serbinë!?/ Publicisti nga Gjermania jep detaje të padëgjuara më parë

Nga: A.M. Më: 13 janar 2022 Në ora: 16:28
Foto ilustrim nga operacionet e policisë në veri, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq

Veriu i Kosovës është pjesa në të cilën korrupsioni, kontrabanda dhe krimi i organizuar janë më të theksuara.

Policia e Kosovës me urdhër të qeverisë Kurti ka filluar të zhvillojë disa aksione të caktuara në këtë pjesë të Kosovës.

Këtyre aksioneve i parapriu edhe lista e zezë e SHBA-së, në të cilën u përfshinë edhe politikanë serbë të cilët veprojnë në Kosovë, përfshirë Veselinoviqin dhe Radojçiqin.

Bosët serbë të krimit, nuk i ka penguar armiqësia serbo-shqiptare

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se e gjithë kontrabanda në veri të Kosovës është bërë nën kontrollin e pushtetarëve të Beogradit dhe Prishtinës.

Madje, ai thotë se e gjithë pasuria e depozituar nga kontrabanda është përdorur për mbyllje dosjesh e gjyqesh, deri në fitimin e lirisë, por, kurrë të pafajësisë.

“Bosët serbë të krimit, nuk i ka penguar armiqësia serbo-shqiptare, për bashkëpunimin kriminal me bosët shqiptarë të Kosovës. Kjo miqësi biznesore-korruptive, vazhdon prej dy dekadash. E gjithë kjo kontrabandë është bërë nën kontrollin e plotë të pushtetarëve në Beograd dhe në Prishtinë. Pasuria e depozituar është përdorur për mbyllje dosjesh e gjyqesh, deri në fitimin e lirisë, por, kurrë të pafajësisë. Të gjitha të hyrat tjera, qoftë edhe hapja e kontove bankare, për ndihmë, për t`i përballuar shpenzimet për avokatë, në proceset gjyqësore, kanë shërbyer për shpëlarje parash dhe justifikim të shumave disa milionëshe, për të blerë prokurorë e gjyqtarë, vendorë dhe ndërkombëtarë”, deklaroi publicisti.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

Gjithashtu, Zeqiraj e vlerëson si shumë logjike që ndëshkimet të jenë të njëjta si për grupet kriminale shqiptare, ashtu edhe për grupet kriminale serbe.

Krahas kësaj, ai përmendi edhe një deklaratë të përfaqësuesit të SHBA-së, Gabriel Escobar.

Andaj, është rrjedhë logjike, që për veprime të njëjta kontrabanduese dhe të tjera krime, edhe ndëshkimi për grupet kriminale në Kosovë, të jetë identik me atë të grupit kriminal serb në veri të Kosovës. Veçse, në raport me veshjen me pushtet, që kanë pasur dhe disa ende kanë, ndëshkimi, gjithsesi, duhet të jetë më i ashpër.

Presidenti Biden caktoi, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, Gabriel Escobar, Përfaqësues Special i SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor. Edhe mesazhi i Përfaqësuesit është i qartë:

"Ne nuk do të hezitojmë të shfrytëzojmë sanksionet dhe mekanizma të tjera, për ta çuar një mesazh të fortë, për akterë të korruptuar dhe që destabilizojnë”, theksoi ai.

"Komandantët" e babëzitur

Në vazhdim, publicisti përkrahu deklaratën e analistit amerikan Server se pjesë e listës së zezë do të jenë edhe ish-udhëheqësit politik të Kosovës, kjo pasi me krimet politike e kanë konkurruar Serbinë pushtuese.

“Edhe profesori dhe analisti ndërkombëtar, Daniel Server, njohës i mirë i rrethanave politike në Kosovë, mendon se pjesë e "Listës të zezë" amerikane, do të jenë edhe ish-udhëheqës të lartë shtetërorë dhe politikë të Kosovës. Sepse, me krimet politike dhe makro-dëme ekonomike, "komandantët" e babëzitur, për para e pasuri, e kanë konkurruar Serbinë pushtuese. Kjo do të jetë edhe shtysë për hetime penale nga gjykatat vendore”, nënvizoi Zeqiraj.

Sipas tij për dallim nga Vuçiqi që i mohon lidhjet me personat në listën e zezë, eksponentët e PAN-it nuk e bënë këtë gjë.

“Vuçiq, qysh tani, i mohon lidhjet me krerët e krimit, të futur në "Listën e zezë", kurse eksponentët e PAN-it jo! Përkundër, i mbron kriminelët, duke u bërë edhe ata pjesë të krimit. Protagonistët e krimit dhe të korrupsionit, janë aktivizuar, dëshpërueshëm, në sulmin e turpshëm kundër gjykatës speciale të Kosovës.

Zhbërjen e kësaj gjykate, ua kanë kërkuar Presidencës, Kuvendit, Qeverisë, Akademisë dhe të gjitha institucioneve tjera! Por, refuzimi ka qenë i prerë: "Të ngrihesh kundër drejtësisë, do të thotë të kesh frikë drejtësinë, rrjedhimisht të jesh i zhytur në krime"! Përndryshe, pse i gjithë ky siklet, kundër një gjykate, të propozuar dhe të votuar nga Parlamenti i Kosovës, me shumicë absolute të votave?!”, shpjegoi publicisti.

Ishte Beogradi që ua solli dosjet e Hagës krerëve të OVL të UÇK-së

Më tej, Zeqiraj konsideron se presidenti i serb i donte dhe i do në pushtet LPK-istët e djeshëm, përkatësisht, PAN-istët e sotëm. Ai përmendi një dëshmi që sipas tij tregon bashkëpunimin e “komandantëve” me Serbinë.

“Strukturat e SHIK-ut janë pjellë e LPK-së. Lidhjet e hershme me Sigurimin enverian dhe UDB-në, u përtërinë edhe në bizneset kriminale, të serbëve në Veri, me shqiptarët. Ishin të gatshëm për ujdira e bashkëpunim hajnor. Vuçiqi i donte dhe i do në pushtet LPK-istët e djeshëm, përkatësisht, PAN-istët e sotëm. Dhe, këtë e ka dëshmuar, sepse "Lista Serbe" ishte përcaktuese në krijimin e dy qeverive të Kosovës.

Ishte Beogradi që ua solli dosjet e Hagës krerëve të OVL të UÇK-së, me qëllim të sabotimit të Gjykatës Speciale. Edhe kjo është një dëshmi vetë folëse, domethënëse, të një bashkëpunimi të "komandantëve" me Serbinë. Ndoshta, për këta "thasë me dokumente" e kishte fjalën, dikur, kreu i Kuvendit, përkatësisht, i SHIK-ut, Kadri Veseli!”, potencoi ai.

Ndër të tjera, publicisti si shpresë të vetme për luftimin e krimit dhe korrupsionit e sheh ndihmën amerikane.

“Administrata e Presidentit Biden, kësaj radhe, ka ashpërsuar gjuhën dhe masat. Përveç "Listës së Zezë" klasike, ka premtuar edhe masat ndëshkuese shtesë, bllokimin e pasurive dhe sanksione të tjera. Në Kosovë kriminaliteti është i shtresuar, tepër i vrazhdët dhe ndërhyrja penalizuese, është e domosdoshme. Por, a mund ta bëjë këtë drejtësia e Kosovës, sepse është e kapur, pikërisht, nga komandantët kriminelë? Pra, assesi jo. E vetmja shpresë mbetet ndihma amerikane”, deklaroi Zeqiraj.

Krejt në fund, ai tha se Gjykata Supreme me urdhër të pushtetarëve të lartë, ka liruar kriminelë të akuzuar, për disa vrasje të cilësuara politike.

“Qeveria aktuale e filloi procesin themelues të Vettingut. Por, strukturat e drejtësisë, të njëzëshme, duke filluar nga Prokuroria e Shtetit, stafi i tij, Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor u ngritën për ta penguar, deri në stopim të testimit të personelit drejtësi-bërës. Arsyeja është inkriminimi i tyre faktik dhe janë të parët që duhen t`i nënshtrohen testimit. Për ilustrim, Gjykata Supreme e Kosovës, me urdhër të pushtetarëve të lartë, ka liruar kriminelë të akuzuar, për disa vrasje të cilësuara politike!”, përfundoi Idriz Zeqiraj për gazetën “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat