”Sjell konflikt”/Vjen paralajmërimi, ja ndihmën e kujt do ta kërkojnë Borrell dhe Vuçiq për referendumin serb në Kosovë

Politika

”Sjell konflikt”/Vjen paralajmërimi, ja ndihmën e kujt do ta kërkojnë Borrell dhe Vuçiq për referendumin serb në Kosovë

Nga: G.B Më: 13 janar 2022 Në ora: 21:02
Josep Borrell

Reagime të shumta ka pasur sot gjatë ditës ndaj shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili edhe njëherë doli në anën e Serbisë dhe kundër Kosovës.

Ai ka përkrahur votimin e referendumit të Serbisë nga ana e serbëve në Kosovë, që do të mbahet të dielën e 16 janarit.

“Dje kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, shkroi Borrell në Twitter.

Ndërsa kryeministri Kurti mbrëmjen e të mërkurës ka bërë të ditur se ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

"Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, ka thënë Kurti pas bisedës me Borrell.

Kundër referendumit dhe Borrell është shprehur edhe profesori Enver Bytyçi.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se kjo është e paprecedentë.

Image
Enver Bytyçi

“Serbia do të organizojë më 16 janar referendumin me prerogativën: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”. Për këtë referendum, i cili i përkushtohet rregullimit të brendshëm të sistemit kushtetues të Serbisë, është shqetësuar edhe shefi për Politika të Jashtme dhe Siguri në Evropë, Joseph Borrell. Ai ka folur në telefon me kryeministrin Kurti dhe i ka kërkuar që serbët e Kosovës të shprehen përmes votës për referendumin serb. Ka folur dhe ia ka premtuar ndihmën e tij gjithashtu presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Zoti Kurti ka pranuar që kjo të bëhet përmes postës ose votimit në përfaqësinë e Serbisë në Prishtinë. Duket se zotit Borrell nuk i ka pëlqyer përgjigja e kryeministrit të Kosovës. Ka mundësi që Borrell dhe Vuçiq të kërkojnë për këtë edhe ndihmën e Edi Ramës. Do të presim që Rama t'ia kërkojë qeverisë së Kosovës të njëjtën gjë si edhe Borrell. Përkrahja që zoti Borrell i bën një referendumi në Serbi në Kosovë është e paprecedentë. Nëse do të kishte ndonjë arsye domethënëse, kjo do të shihej si e justifikuar. Por nuk mendoj se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në këtë referendum do të realizojë ndonjë politikë të arsyetuar të Serbisë në raport me BE-në. Është tashmë krejt e qartë se asnjë referendum nuk e largon Serbinë nga Kosova e për pasojë edhe nga lidhjet në boshtin Beograd-Moskë”, është shprehur ai.

Sipas profesori, është i dyshimtë organizimi i referendumit dhe synon rikonfirmimin e Vuçiq.

“Është shumë e dyshimtë pse organizohet ky referendum. Me anën e tij kërkohet më shumë të rikonfirmohet pushteti i Aleksandër Vçiq, sesa të arrihet diçka konkrete në vendosjen e balancave për paqe në rajon. Nëse do të kishte një qasje në funksion të paqes, atëherë Vuçiq dhe qeveria e tij do të duhej të kishin bërë fushatë për ndryshimet kushtetuese dhe të kishin paraqit para qytetarëve serbë një projekt të caktuar”, ka thënë Bytyçi.

Ai shtron pyetjen se pse duhet Kosova ta ndihmojë Vuçiqin dhe a i jep ky fund konfliktit në mes dyja vendeve.

“Ndërkaq lind pyetja: Përse duhet të jetë Kosova kaq e interesuar që të "ndihmojë" presidentin e Serbisë për kryerjen e këtij referendumi? Çfarë është për Kosovën ai? Di kush të thotë se me këtë referendum I jepet fund konfliktit midis të dy vendeve dhe ato e njohin njëra-tjetrën si shtete? Jo! Atëherë unë mendoj se referendumi është një manovër e Vuçiq për ta gënjyer Bashkimin Evropian me marifete të tilla, ndërkohë që praktikisht bashkëpunon në aleancë të ngushtë me Rusinë. Madje në çështjet e sigurisë, politikës së jashtme dhe të strategjisë shtetërore, fusha për të cilat Borrell është përgjegjës në BE”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

Profesori thekson se Borrell do të duhej ta bllokonte Serbinë në bisedimet për anëtarësim në BE dhe kundërshtimi nga Kosova është mbrojtje e shtetësisë, e jo problem i Borrell.

“Në vend që të përkushtohet për çështje të diskutueshme e pakuptim në Serbi, Borrell do të duhej ta bllokonte Serbinë në bisedimet e saj për anëtarësim në BE. Kryeministri, presidentja dhe institucionet e Kosovës duhet të promovojnë gjithnjë shtetësinë e vendit të tyre. Kundërshtia e Prishtinës për një votim pa rregulla është mbrojtje e shtetësisë. Nëse i pëlqen kjo ose jo zotit Borrell, ky nuk është problemi i Kosovës dhe institucioneve të saj. Është problemi personal i tij. Nuk besoj se është edhe politikë e unifikuar e BE-së kjo që kërkon Borrell! Aq më pak e dakorduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka vlerësuar ai.

Ai më tej thotë se i bën përshtypje pse Borrell është aq i interesuar që Kosova t’i lejojë serbët që të votojnë në qendra votimi sikur të ishin qytetarë të Serbisë e jo Kosovës.

“Por më bën përshtypje pse zoti Borrell është investuar kaq shumë në këtë çështje? Çfarë dëshiron ai të arrijë me kërkesën që qeveria e Kosovës të lejojë serbët e këtij vendi të votojnë në qendra votimi, sikur të ishin qytetarë të Serbisë e jo të Kosovës?! Pse ai kujdeset kaq shumë për sovranitetin serb në Kosovë, e aq pak ose aspak për tërheqjen nga ky sovranitet formal nga ana e Beogradit?!” ka pyetur Bytyçi.

Sipas profesorit, çështja Kosovë-Serbi do të zgjidhej kohë më parë nëse Borrell dhe Mogherini para tij të angazhoheshin për këtë çështje më shumë.

“Sikur Borrell dhe paraardhësja e tij, Mogherini, të ishin angazhuar kaq shumë për Kosovën sa angazhohen për Serbinë dhe interesat e saj në Kosovë, konflikti midis dy vendeve do të ishte zgjidhur me kohë! Mesa duket Rusia e Serbia harxhojnë shuma kolosale edhe në Bruksel me qëllim që të ruajnë interesat e veta në Ballkan e në Kosovë! Kjo është arsyeja pse autoritetet e Brukselit nuk shqetësohen për marrëdhëniet Serbi-Rusi”, ka deklaruar ai.

Bytyçi thotë se një referendum që cenon sovranitetin e Kosovës sjell konflikt dhe jo paqe dhe se qeveria dhe institucionet e Kosovës e kanë për detyrë të kujdesen për qeverisjen në këtë vend dhe jo manovrat e Beogradit.

“Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës kanë për detyrë të kujdesen për qeverisjen në këtë vend dhe jo për manovrat politike të Beogradit dhe të presidentit të Serbisë për të gënjyer dhe mashtruar autoritetet ndërkombëtare se kinse ky vend "dashka' paqe dhe integrim evropian. Nëse do paqe, pse tolerohet armatosja e Serbisë me armët e Rusisë? Nëse do paqe, e integrim, pse tolerohet ndërhyrja e Beogradit në çështjet e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe të Kosovës?! Të gjitha këto janë problemet që i vuan rajoni dhe nuk është shqetësim për Ballkanin referendumi i Serbisë. Një referendum me të cilin cenohet sovraniteti i Kosovës dhe pranohet sovraniteti i Serbisë në këtë vend, është referendum që ndjell konfliktin dhe jo paqen, pasigurinë dhe jo sigurinë”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat