“Nëse Borell, ka fytyrë...”/ Përfaqësuesit të BE-së, i vjen edhe një goditje: Ai është zëdhënës i Aleksandër Vuçiqit

Politika

“Nëse Borell, ka fytyrë...”/ Përfaqësuesit të BE-së, i vjen edhe një goditje: Ai është zëdhënës i Aleksandër Vuçiqit

Nga: A.Z Më: 13 janar 2022 Në ora: 22:52
Josep Borrell

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut ka kritikuar deklaratën e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili tha se serbët në Kosovë duhet të votojnë për referendumin kushtetues në Serbi.

Për më tepër, atë e kanë quajtur zëdhënës të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Më të zëshmit për mbajtje të këtij referendumi të Serbisë në Kosovë janë Josep Borrell, përfaqësues i BE-së për politikë të jashtme dhe në të njëjtën kohë edhe zëdhënës i Aleksandar Vuçiqit brenda BE-së si dhe Velko Odalloviq, aktualisht sekretar i Kuvendit të Serbisë dhe njëri ndër ideologët për krime lufte në Kosovë në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Se Velko Odalloviq është agresiv në propagandën e tij kundër Kosovës dhe qeverisë së Kosovës edhe mund të kuptohet për faktin se tërë kohën ka qenë në shërbim të krimit në Kosovë, që nga koha e Sllobodan Millosheviqit e deri në kohën e Aleksandar Vuçiqit, i konvertuar nga kriminel lufte në kriminel të paqes. Po halli është te Josep Borrell që, përveç se është përfaqësues i BE-së për politikë të jashtme, në të njëjtën kohë është edhe “lehtësues” në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe i cili shquhet për anim permanent në favor të Serbisë”.

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se populli shqiptar deri sa ka arritu që ta fitoj pavarësinë ka sakrifikuar shumë, gjë e cila është vulosur edhe nga Gjyakta Ndërkombëtare e Drejtësisë

“Në fakt sa për dijeninë e Josep Borellit & Co, populli i Kosovës i bindur në të drejtën e tij të natyrshme, që të qeverisë vetveten dhe të jetojë i lirë në shtetin e tij, ka sakrifikuar shumë dhe luftuar gjithmonë, deri sa ka arritur që me mund dhe gjak ta fitojë pavarësinë dhe shtetin e sovran që i takon edhe me të drejtën ndërkombëtare. Për aq më tepër, këtë akt historik e ka vulosur edhe vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me vendimin e vet në korrik të vitit 2010, plotësisht të arsyeshëm dhe konform të gjitha rregullave ndërkombëtare, në favor të pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Image
Gani Qarri

Tutje theksoi se vendimi i Gjykatës mbetet mbizotërues edhe ndaj Borrell, andaj Kosova nuk duhet të lejojë asnjëherë ndërhyrje të tilla, qoftë edhe përfaqësuesi i BE-së, Borrell.

“Kështu që, duke qenë se gjykata në fjalë, është organi më i lartë juridik i OKB-së, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe për z.Borell mbetet mbizotërues dhe plotësisht i pakontestueshëm, si dhe hedh poshtë kategorikisht të gjitha pretendimet serbe dhe teoritë konspirative të Josep Borellit. Për këtë arsye, Republika së Kosovës, si vend i pavarur dhe shtet më vete, nuk duhet të lejojë më kurrë, ndërhyrje të tilla në kontest me ligjet dhe Kushtetutën e saj si shtet sovran e i pavarur, qoftë ai edhe përfaqësues i përkohshëm i BE-së, si Josep Borell, apo edhe vet BE si organizatë, jo-vendimmarrëse”, shtoi Qarri.

Më tej ka potencuar se kritika nga KMDLNJ është e drejtë, sepse është përzierje në punët e brendshme të Kosovës.

Tutje shtoi se nëse Borrell bënë deklarata të tilla, atëherë ai, sipas Qarrit, duhet edhe të deklarojë se edhe shqiptarët nën Serbi duhet trajtuar në mënyrë të barabartë nga Serbia.

“Ndaj Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, me plot të drejtë, ka kritikuar deklaratën e njëanshme të përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, se serbët në Kosovë u dashka të votojnë për referendumin kushtetues, të një shteti tjetër si Serbia, që është veprim i njëanshëm pro-serb dhe përzierje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Përndryshe nëse Borell, ka fytyrë të thotë se serbët në Kosovë duhet votuar edhe për referendumet që mbahen në Serbi, atëherë ai si përfaqësues i lartë i BE-së, duhet të deklarojë se edhe shqiptarët nën Serbi duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë nga Serbia, dhe jo të lejohet diskriminimi i tyre i paprecedent, para syve të BE-së, deri në atë shkallë, sa të mos u lejohet as abetarja nxënësve fillestar, tu ndalohet vetëm shqiptarëve, flamuri dhe të gjitha simbolet kombëtare, si dhe tu fshihen edhe adresat në shtëpitë dhe trojet e veta autoktone, në Medvegjë, Bujanoc e deri në Preshevën e banuar me mbi 95% të shqiptarëve autokton”, është shprehur ai.

Qarri ka theksuar më tej se ndaj Borrellit jo vetëm KMDLNJ, por edhe qytetarët tani po e shohin atë si zëdhënës të Vuçiqit.

Ajo që habit, Qarri thekson është fakti i mosdistancimit të BE-së nga deklaratat e Borrellit, të cilat janë të njëanshme, dhe i cili madje deklarohet edhe publikisht duke e mohuar pavarësinë e Kosovës.

“Në anën tjetër edhe në qytetet e Kosovës, ku jeton pakica serbe me shumicë, edhe ata njejtë si Vuçiqi dhe Serbia, nuk lejojnë dukjen e asnjë simboli shtetëror të Kosovës, apo ndoshta për z.Borell, përveç diskriminimit të shqiptarëve nën Serbi, nga qeveria ekstremiste serbe, edhe mohimin e shtetit të Kosovës nga serbët kosovar, çuditërisht e gjen si akt të duhur dhe demokratik. Prandaj të frustruar nga qëndrimet e vazhdueshme pro-serbe të Josep Borellit, jo vetëm Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, por edhe qytetarët e Kosovës, me të drejtë kanë filluar jo vetëm ta shohin, por edhe ta quajnë me emër, Borellin si zëdhënës besnik të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, kurse ajo që habit me ketë rast edhe më tepër, është fakti i mosdistancimit të BE-së nga deklaratat e njëanshme të Borrellit për “qëndrimin mohues (e jo-neutral) siç deklarohen publikisht, ndaj statusit politik të Kosovës duke e mohuar edhe pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit tonë, përkundër vendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat