Krimi i organizuar serbo-shqiptar udhëhiqet nga Serbia/ Nën kontrollin e Vuçiqit

Politika

Krimi i organizuar serbo-shqiptar udhëhiqet nga Serbia/ Nën kontrollin e Vuçiqit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 14 janar 2022 Në ora: 08:30
Policia e Kosovës gjate aksionit ne veri

Asnjëherë në jetë nuk kishim parë kaq shumë aksione të policisë, duke ndjekur krimin e organizuar në të katër anët e Kosovës, sa ndodhën në vitin që shkoi.

Ishim mësuar me gjoba trafiku, akuza për aksidente dhe krime të tjera të zakonshme. Të rralla ishin rastet që zyrtarë shtetëror dhe grupe të tëra kriminale të ndiqeshin nga policia dhe prokuroria.

Grupet e përbashkëta kriminale

Grupet e organizuara vepronin të lira. I pari rrjet i madh që u zbulua, ishte ai i subvencioneve, një aferë korruptive dhe e zhvatjes së shtetit me dekada. Pasurimi i tyre ishte marramendës. I mbetet drejtësisë ta zbulojë pasurinë e tyre, t’i bëjë ndëshkimet dhe masën e sekuestrimit të pasurisë së paligjshme.

Më vonë pamë një ndërhyrje të gjerë ndaj grupeve të tjera të organizuara në veri dhe në pjesë të tjera të Kosovës. Në veri reagimi i grupeve të organizuara të krimit ndërkombëtar serb nën kontrollin e Serbisë, krijoi tensione dhe pengesa.

Më në fund veproi edhe SHBA duke e shpallur listën e zezë të një grupi ndërkombëtar serb të krimit të organizuar, i cili u vlerësua se ka aftësi destabilizuese edhe për rajonin, përfshirë Kosovën. Kreu i grupit, Zvonko Veselinoviç është i vetmi që deri tani është shpallur në kërkim në nivel vendi dhe ndërkombëtar nga Policia e Kosovës.

Rasti i fundit që zbuloi një krim masiv, ku ishin të përfshirë zyrtarë serb dhe deri tek ish-drejtues të shtetit të Kosovës, është rasti “Brezovica”. Aksioni i policisë që u realizua deri tash në dy faza, me bastisje dhe arrestime edhe të zyrtarëve në Ministrinë e Planifikimit, u krye në disa komuna, në Shtërpcë, Ferizaj dhe Prishtinë.

Në Shtërpcë u arrestua ish-kryetari i saj Bratisllav Nikoliç, i cili akuzohet për ryshfet për dhënie të lejeve për ndërtimin e vilave në Brezovicë. Ndërsa, vëllai i tij Branisllav Nikoliç, i cili qe ‘dëbuar’ nga Presidenca për shkak të presionit publik se është bashkëpunëtor i BIA-s së Serbisë, vazhdon të zgjidhet deputet në Kuvendin republikan.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deri tash janë vetëm dy të arrestuar, kryeinspektori Bedri Halimi dhe ish-sekretari Arben Çitaku.

Në rastin “Brezovica” doli se janë të përshirë ish-zyrtarë të lartë të shtetit, ish-president, ish-kryeministra, ish-drejtor policie, ish-deputet, pronarë biznesesh e publicistë. Rasti zbuloi pasurin e jashtëzakonshme që kishin krijuar shumë nga politikanët.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat