Ligjëruesi i Parisit: Kjo është mënyra e vetme për të arritur deri te njohja e Kosovës nga Spanja dhe Greqia

Politika

Ligjëruesi i Parisit: Kjo është mënyra e vetme për të arritur deri te njohja e Kosovës nga Spanja dhe Greqia

Nga: A.Z Më: 18 janar 2022 Në ora: 17:15
Foto ilustrim

Deri më tani shteti i Kosovës nuk është njohur nga Rumania, Qirpro, Sllovakia, Greqia dhe Spanja.

Kohët e fundit Greqia dhe Spanja, po lëvizin dukshëm drejt njohjes së Kosovës.

Por cilat janë gjasat që një të ardhme të afërt këto dy shtete ta njohin Republikën e Kosovës.

Lidhur me këtë, për “Bota sot”, ka folur Profesori i gjeopolitikës dhe ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca, i cili ka thënë se se edhe pse ka zbutje të qëndrimeve nga Spanja dhe Greqia, prapë nuk është e sigurt se ato do ta njohin Kosovën.

Sipas tij, njohja nga shtetet që nuk e kanë njohur, mund të realizohet me mbështetjen e partnerëve të fuqishëm.

Image
Mirsad Voca

“Aktualisht mund të themi se kemi një zbutje qëndrimi të Spanjës dhe Greqisë ndaj Kosovës. Megjithatë ende këto dy vende hezitojnë ta njohin Kosovën për arsye më shumë subjektive sesa objektive. Nuk është e sigurt që këto do ta njohin Kosovën përgjatë vitit 2022, ani pse do të mund të kishte edhe ndonjë befasi. Njohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së do të mund të përshpejtohej dhe realizohej vetëm me mbështetje të vazhdueshme nga partnerët e fuqishëm të Kosovës”, thekson Voca.

Tutje studiuesi i gjeostrategjive thotë se e rëndësishme është edhe arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjë që mund të ndikojë edhe në njohjen nga shtetet tjera.

Përveç kësaj, Voca i thekson si të rëndësishme edhe marrëdhëniet e fuqive të mëdha që ndërlidhen edhe me Kosovën.

“Natyrisht, një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë që si qëllim ultim ka njohjen reciproke. Sa më afër të jemi pranë një marrëveshje të tillë aq më afër do të kemi dhe njohjen nga pesë vendet e BE-së që hezitojnë ta bëjnë këtë. Një tjetër element me rëndësi për tu theksuar lidhur me fatin e njohjeve dhe progresit në përgjithësi të Kosovës dhe në tërësi të pjesës së mbetur të Ballkanit perëndimor jashtë BE-së, është edhe gërshetimi i marrëdhënieve të fuqive të mëdha me të cilin gjithnjë ndërlidhet edhe fati i këtij rajoni si dhe ai i Kosovës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat