Eksperti i sigurisë: Në këto vepra kriminale janë të përfshirë shumë politikanë serbë dhe shqiptarë!

Politika

Eksperti i sigurisë: Në këto vepra kriminale janë të përfshirë shumë politikanë serbë dhe shqiptarë!

Nga: A.M Më: 19 janar 2022 Në ora: 10:25
Foto ilustruese

Muajt e fundit në Kosovë janë zhvilluar shumë aksione kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo çfarë i veçon këto aksione është fakti se në shumicën e rasteve ato janë zhvilluar në qytete ku popullsia është e përzier, shqiptarë dhe serbë.

Kjo duket se është një shenjë se në disa vende, kryesisht në veri të Kosovës, shqiptarët kanë gjetur ‘gjuhë të përbashkët’ me serbët sa i përket krimit dhe korrupsionit.

Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi krimin hibrid dhe grupet kriminale në veri të Kosovës.

Fillimisht, ai u shpreh se krimi hibrid është më i theksuar në zonat e përziera ku jeton popullata serbe dhe ajo shqiptare.

Image
Hajrullah Tërnava

“E thëna në kriminalistikë se krimi nuk njeh kufij, tani po e arsyeton këtë, krimi i cili po zhvillohet në veri të Mitrovicës, ashtu edhe në jug të saj, dhe jashtë kufijve të vendit, madje. Prandaj, krimi në përgjithësi e sidomos kur bëhet fjalë për krimin “hibrid”, është më i theksuar në zonat e përziera ku jetojnë popullata serbe dhe shqiptare, në ato zona të veriut dhe të jugut, nga grupet kriminale të përziera shqiptare dhe serbe. Nëse dëshirojmë që qyteti i Mitrovicës si në veri ashtu edhe në jug, të jetë i pastër nga krimi, institucionet e shtetit duhen të merren shumë seriozisht me këtë çështje dhe t’i bëjnë planet se si të spastrohet ky qytet nga krimi i organizuar që e ka kapluar, qoftë në pjesën veriore apo të jugut”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Tërnava konsideron se që nga paslufta e deri më tani, në veri të vendit është zhvilluar krimi në mënyrë të pakontrolluar, sepse nuk kanë funksionuar institucionet që e luftojnë krimin.

“Tani është e qartë situata e krijuar në ato pjesë, dhe sikur që po dëshmohet në ato pjesë të këtij qyteti në krime janë të involvuar qytetarë serbë dhe shqiptarë. Qe një kohë shumë të gjatë, qysh nga paslufta e deri më tani, në ato pjesë është zhvilluar krimi në përgjithësi në mënyrë të pakontrolluar, sepse nuk kanë funksionuar institucionet që e luftojnë krimin. Dhe, është e kuptueshme se këto krime sikur janë duke u kryer, e kanë për qëllim që vepërkryerësit të përfitojnë në masë të madhe, dhe me këto vepra kriminale janë pasuruar në mënyrë enorme të “mëdhenjtë e krimit”. Në këto involvime janë të kyçur edhe shumë politikanë të niveleve të larta, si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës, prandaj me këto vepra kriminale që po i sjellin dëme të konsiderueshme shtetit të Kosovës, dhe çështjes së sigurisë në përgjithësi në Kosovë”, theksoi ai.

Intervenimet në veri të Kosovës nda grupeve kriminale duhet të jenë të pamëshirshme

Në vazhdim, ish-zëvendësministri kërkoi nga Ministra e Punëve të Brendshme (MPB) që në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të planifikojë plane operative për spastrimin e krimit në pjesën veriore të Kosovës.

“Për një luftim serioz të këtij lloji të krimit, MPB-ja në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Drejtësisë sikur që është gjyqësia, prokuroria, policia, AKI-ja duhet që t’i planifikojnë planet operative të luftimit të krimit dhe spastrimit në përgjithësi dhe në mënyrë të përgjithshme t’i spastrojnë njëherë e përgjithmonë ato pjesë të Kosovës. Në të vërtetë edhe në ato pjesë të fillojë të funksionojnë ligjet e Kosovës, e jo si deri më tani që ato pjesë fare nuk kanë qenë të mbikëqyrura nga institucionet e Kosovës e as që kanë funksionuar ligjet e saj në ato pjesë. Prandaj, nuk është për tu habitur pse në ato pjesë të Kosovës ka lëshuar rrënjë krimi i organizuar, e që tani ky lloj krimi ka dal në sipërfaqe dhe është bërë si shembull i keq edhe për regjionin”, nënvizoi ai.

Më tej, Tërnava për gjendjen e krijuar në veri të vendit fajësoi politikat e pazgjidhura në mes të Kosovës dhe shtetit serb. Ai tha se qytetet e veriut nuk janë qeverisur dhe as nuk janë vizituar mjaftueshëm nga udhëheqësit e Kosovës.

“Por, kjo çfarë ka ndodhur deri më tani në ato pjesë të Kosovës, e ka fajin e saj politika e pazgjedhur mes Serbisë dhe Kosovës qysh nga paslufta e deri më tani. Sepse edhe sot ajo pjesë është e pa kontrolluar ashtu si duhet me ligjet e përditshme të Kosovës, e sidomos edhe pas shume viteve tani pas çlirimit, ato pjesë të veriut nuk janë qeverisur apo as nuk janë vizituar nga qeveritarët tanë, duke filluar nga kryeministrat, ministrat apo të tjerët, e që na jep me nënkuptu se është e kuptueshme pse tani në atë vend ka lulëzuar krimi i organizuar”, potencoi eksperti i sigurisë.

Në fund, ai kërkoi që në intervenimet e filluara policia dhe prokuroria të jenë të pamëshirshme, në mënyrë që qytetarët ta kuptojnë se të gjithë, pavarësisht etnisë janë të barabartë para ligjit.

“Tani, MPB-ja me prokurorinë dhe institucionet tjera që janë të specializuara për luftimin e krimit, duhen t’i përgatisin planet operative të spastrimeve të atyre pjesëve, ku tani po zhvillohet krimi i organizuar. Dhe me njësitë e policisë të specializuara për intervenime, të llojeve çfarë i përgjigjen në ato pjesë të territorit, që të jenë sa më efikase në burgosjen e tyre, dhe njëherësh t’i sigurojnë faktet dhe argumentet e shkaqeve të burgosjeve të tyre. Po ashtu, në ato intervenime të jenë të pamëshirshëm, dhe qytetarët ta kuptojnë se të gjithë qytetarët e Kosovës para ligjit janë të barabartë, kur është fjala për kriminelët dhe ndaj tyre nuk ka të mbrojtur”, përmbylli Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat