Vjen paralajmërimi për Vuçiqin: Ky veprim ndaj Kosovës, mund t’i kushtojë shumë Serbisë!

Politika

Vjen paralajmërimi për Vuçiqin: Ky veprim ndaj Kosovës, mund t’i kushtojë shumë Serbisë!

Nga: A.M. Më: 20 janar 2022 Në ora: 15:16
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot"

Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, kundërshtoi ashpër rezolutën e miratuar kundër referendumit serb.

Vuçiq ‘kërcënoi’ duke deklaruar se vendimi i Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi “do të ketë pasoja të mëdha”.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare.

Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se shteti serb po vazhdon me politikat e tij nacionaliste ndaj Kosovës.

Madje, ai thotë se njerëzit që e udhëheqin sot Serbinë kanë politika të ngjashme me të Millosheviqit, pasi edhe ishin bashkëpunëtorë të tij.

“Shteti i Serbisë karshi shtetit të Kosovës qysh nga vitet e ’90-ta e deri më tani e ka të njëjtën politikë nacionaliste e nëse jo në origjinal të njëjtë, shumë të ngjashme. Po të shikohet tani dhe nëse bëjmë krahasime, edhe njerëzit që e udhëheqin shtetin serb janë po ata të njëjtit që ishin bashkëpunëtor në poste të larta në regjimin e Millosheviqit e sidomos në kohërat e luftës me ato të gjitha shtete për rreth që kishte luftuar Serbia me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën”, deklaroi ai.

Në vazhdim, Tërnava përmendi edhe kapitullimin e shtetit serb me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe ankesat e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Krahas kësaj, ai përmendi edhe faktin se si Serbia tash e sa vite vazhdon të insistojë në marrjen e komunave të veriut.

Image
Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

“Edhe tani e edhe kur e kanë humbur luftën në vitin 1999 dhe është nënshkruar kapitullimi i Serbisë në Kumanovë, me atë nënshkrim e ka pranuar edhe vetë Serbia humbjen e Kosovës, por janë ankuar edhe në GJND për pavarësinë e Kosovës, e që po i njëjti gjyq e ka aprovuar si çështje legale, pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, Serbia udhëheq politika të njëjta nacionaliste e sidomos, tani kur po ndërmjetësohet dialogu nga faktorët ndërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë, tash e sa vite, megjithatë Serbia insiston që Kosova t’ia falë komunat në veri si kusht për pajtimin e mundshëm”, theksoi eksperti i sigurisë.

Ndryshimet e kufijve do të acaronin situatën deri në luftëra të tëra në Ballkan

Më tej, ai potencoi se ëndrra e Vuçiqit për ndryshim të kufijve ka përfunduar, pasi iniciatori i kësaj ideje, Hashim Thaçi tani gjendet në Hagë dhe kësisoj askush nga udhëheqësit e Kosovës nuk e mbështet një plan të tillë.

Po ashtu, Tërnava theksoi se një ndryshim i kufijve do ta acaronte situatën në rajon, prandaj edhe SHBA-ja po e bën të pamundurën që vendeve të Ballkanit t’ju ndihmojë në hapjen e ‘dyerve’ të BE-së.

‘Vendimi i GJND-së, pastaj shumë vendime të ndryshme ndërkombëtare e kanë bërë të qartë qëndrimin se nuk ka ndryshime të kufijve, edhe pse në një kohë me bisedime në mes të Vuçiqit, Edi Ramës dhe Hashim Thaçit i ishin shtuar shpresat presidentit serb se ishin pajtuar që veriu t’i jepej Serbisë, por ja që tani ky kombinim ka rënë, sepse ata premtuesit e këtij varianti tani gjenden ne burgun e Hagës, dhe tani koha po ndikon që edhe kombinime të ndryshme po e ndërrojnë kahjen e tyre. Prandaj SHBA po bënë çmos që me politikat e forta t’i ndihmoj edhe këto shtete të mbetura në këtë situatë që sa më parë t’iu hapen dyert e BE-së”, shpjegoi ish-zëvendësministri i MPB-së.

Në fund, ai thotë se përmes referendumit serb, Vuçiqi tentoi ta copëtojë Kosovën dhe të shpallet hero te populli i tij, mirëpo që një gjë e tillë nuk u arrit.

Ai tha se çdo tentim për destabilizimin e situatës në Kosovë do t’i kushtojë shumë shtetit serb, pasi vendi ynë është nën vështrimin e NATO-s dhe KFOR-it.

“Tani edhe këto kërcënime të Vuçiqit që janë për moslejimin e referendumit të serbëve në Kosovë (“do të ketë pasoja të mëdha”), janë në po ato frekuenca që në mënyra të ndryshme dëshirojnë ta copëtojnë Kosovën, dhe me këtë politika serbe për ta, do ta kishte një satisfaksion, me arsyetimin se megjithatë u nda Kosova edhe në favorin e Serbisë, ashtu si ka kërkuar Vuçiqi. Por, çdo tentim i destabilizimit të Kosovës nga ana e Serbisë, më së shumti do t’i kushtonte vetë Serbisë, sepse dihet qartë që shteti serb është nën vështrim që moti dhe ende është në fuqi rezoluta e OKB-së nr. 1244, dhe NATO-ja me KFOR-in janë garantuesit e kufijve të Kosovës deri në marrëveshjen përfundimtare në mes të këtyre dy shteteve dhe të anëtarësimit në OKB të Kosovës”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat