”Nuk guxon të ketë hezitim”/ Ramadan Qehaja i përgjigjet Serbisë për kërcënimin, tregon si të veprojë Kosova

Politika

”Nuk guxon të ketë hezitim”/ Ramadan Qehaja i përgjigjet Serbisë për kërcënimin, tregon si të veprojë Kosova

Nga: G.B Më: 20 janar 2022 Në ora: 21:02
Ramadan Qehaja

Serbia nuk po i ndal aspak kërcënimet në drejtim të Kosovës.

Sot një kërcënim ka ardhur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, i cili ka thënë se nuk përjashton veprime të reja të njëanshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës. Megjithatë, siç tha ai, Forcat e Armatosura do të reagojnë ndaj veprimeve të tilla.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që forcat e sigurisë që ekzistojnë në Kosovë të angazhohen në mënyrë të njëanshme dhe në mënyrë disproporcionale për të arritur disa pika politike në terren, por kërkesa jonë, insistimi dhe disa gjëra të tjera do të jenë në funksion të sigurimit të paqes dhe që garanton që populli ynë në Kosovë të mund të jetojë dhe të ushtrojë të drejtat e veta si të gjithë qytetarët e këtij vendi”, ka deklaruar ai.

Për këtë kërcënim nga ana e Serbisë, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja.

Ai ka thënë se kërcënimet duhet marrë me seriozitet, të cilat janë në vazhdimësi, sidomos kur ky i fundit vjen nga gjenerali serb Mojsiloviq për veriun që është territor i Kosovës.

Ai ka thënë se kjo është ndërhyrje ndaj integritetit të vendit tonë dhe se kërcënimi është i pakuptimtë.

“Kërcënimet serbe duhet marrë me një seriozitet të shtuar, aq më parë që këto kërcënime janë në vazhdimësi dhe kohë pas kohe po përsëriten. Kërcënimi i fundit vjen nga shefi i shtabit të ushtrisë serbe, Mojsiloviq, i cili çuditërisht kërcënim me përdorimin e forcave të armatosura serbe, siç thotë në rast se përdoren veprime të njëanshme nga forcat e sigurisë së Kosovës, në veri të Kosovës. Lidhur me këtë, ai shkon më tutje, duke kërcënuar me angazhimin e forcave të armatosura serbe ndaj forcave të sigurisë së Kosovës. S’do mend se një kërcënim i tillë sa i pakuptimtë i këtij gjenerali serb, Mojsiloviq, është aq edhe për tu studiuar më tepër, aq më parë që pjesa veriore e Kosovës është dhe i takon vetëm Kosovës. Andaj, çfarë forcash të sigurisë do të përdoren atje nga ana jonë, është çështje e jona. Sipas deklaratës së kjo do të ishte një ndërhyrje e drejtpërdrejt ndaj integritetit të vendit tonë”, është shprehur ai.

Sipas Qehajës, nuk mund të ndërhyrje të forcave të armatosura në Kosovë, derisa kemi dhe KFOR-in, NATO-n e FSK-në.

“Unë mendoj se ndërhyrje të drejtpërdrejt të forcave të armatosura serbe ndaj Kosovës, në momentin aktual përveç demonstrimeve të forcave ushtarake, policore në kufirin me Kosovën nuk do të ketë sepse e dini që në Kosovë janë prezent forcat e NATO-s, KFOR-i dhe tanimë edhe ne i kemi forcat tona të armatosura, të cilat domosdoshmërish do të mbrojnë vendin tonë dhe tërë potenciali ynë do të vihet në funksion të vetëmbrojtjes”, ka theksuar gjenerali.

Ai tregon se çka mund të ndodhë, derisa përmend tre gjëra që mund t’i bëjnë serbët.

“Në këtë kontekst, duhet pritur forcimin e strukturave paralele serbe së pari, në veri të vendit tonë, të cilat ekzistojnë por do të përforcohen sipas mendimit tim. Së dyti, detashimi i forcave të sigurisë serbe në territorin tonë për destabilizim dhe së treti, përgatitje dhe veprimet konkrete për forcimin e barrikadave nga banorët serbë dhe paralizimi i kyçjeve të forcave dhe rrjedhjeve të strukturave tona të sigurisë. Pavarësisht nga mos kuptimi i disa analistëve, sikur e nënçmojnë këto lloj veprime që unë i përmenda më parë, veprime serbe, duhet theksuar se në fakt kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejt serbe në territorin tonë por në formë jo klasike, duke cenuar integritetin territorial të Kosovës”, ka vlerësuar Qehaja.

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë ka potencuar se Kosova duhet të përgatitet për këto kërcënime dhe të mos befasohet pastaj nga veprimet e Serbisë, por duhet të veprojë siç e kërkon situata dhe të mos ketë hezitim.

Ai ka shtuar po ashtu se Serbia po e zbaton politikën ruse për destabilizimin e rajonit.

“Për këtë ne duhet që të bëjmë përgatitjet paraprake, për këtë lloj kërcënimi serb dhe mos të befasohemi me masat që do të ndërmarrin ata, sikur që u befasuan kur u vendosën barrikadat serb në pjesën veriore të vendit tonë, në rastin e përdorimit të njësisë speciale për shkaqe të sigurisë atje. E dyta, ne duhet të veprojmë atje me forcat tona të sigurisë, ashtu siç kërkon situata, hezitim në këtë drejtim nuk guxon të ketë, aq më parë që ky është territori ynë. Gjithashtu mendoj se këto kërcënime serbe duhet t'i shfrytëzojmë në planin politik, diplomatik, në arenën ndërkombëtare për të zbardhur rrezikshmërinë serbe jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj rajonit. Në fakt Serbia po e zbaton politikën ruse në destabilizimin e rajonit. E treta, Serbia vazhdimisht e kërcënon Kosovën me përdorim të forcave të armatosura. Këtu fillon një luftë speciale kundër Kosovës dhe këtë retorikë e përdor për konsum të brendshëm në vendin e vet”, ka deklaruar Ramadan Qehaja për gazetën “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat