Organizimi i protestave/ Zbulohet plani i partive opozitare për t’u rikthyer në pushtet – ja çka do t’i kushtojë Kosovës!

Politika

Organizimi i protestave/ Zbulohet plani i partive opozitare për t’u rikthyer në pushtet – ja çka do t’i kushtojë Kosovës!

Nga: A.M. Më: 21 janar 2022 Në ora: 22:30
Kuvendi i Kosovës.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka shkaktuar shumë debate të mëdha në vend.

Po ashtu, kjo gjë përplasi edhe pozitën dhe opozitën gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës.

Madje, partitë opozitare kanë paralajmëruar edhe organizim të protestave në rast të ndryshimit të tarifave të energjisë elektrike dhe rritjes së çmimit të rrymës.

Sot, drejtoria për media e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se të hënën do të mbahet seancë e jashtëzakonshme.

Seanca ka një pikë të rendit të ditës me debat parlamentar për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi krizën energjetike në Kosovë dhe situatat politike që mund të bëhen krijohen nga shtrenjtimi i energjisë.

“Kosova po përjeton këto javë një krizë energjetike të pazakontë. Qeveria ka vendosur që të rrisë çmimet e energjisë në fashën e shpenzimit mbi 800 kw orë në muaj! Rritja mbi këtë fashë është e lartë. Në fakt në Shqipëri çmimi i energjisë elektrike ndryshon në fashën mbi 600 kë orë, ndërkohë që dikush në parlamentin e Kosovës e krahasoi rritjen në Kosovë shumë më të lartë se çmimin në Shqipëri. Sepse krahasimi u bë me fashën nën 600 kw”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Bytyçi e vlerësoi kundërshtimin e opozitëspër rritjen e çmimit të energjisë, mirëpo ai beson më shumë për këtë krizë i ka përgjegjësitë opozita sesa qeveria.

Ai përmendi faktin se opozita, e cila ka qenë në pushtet deri para 10 muajsh nuk ka investuar dhe nuk e ka menaxhuar situatën nga pikëpamja e së ardhmes.

Image
Profesori Enver Bytyçi

“Vendimi i qeverisë për të rritur çmimin e energjisë ka hasur në kundërshtimin e opozitës dhe kjo gjë është normale. Çdo opozitë serioze në botë reagon kur rriten çmimet në çfarëdo lëmi qoftë. Vetëm në Shqipëri rritet psh çmimi i karburantit dhe askush nuk reagon. Edhe pse është krizë energjetike, mendoj se opozita ka të drejtë të reagojë dhe të kërkojë mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimeve të energjisë. Por në rastin konkret ka disa veçori:

Së pari: Për situatën në energjetikë më shumë është përgjegjëse opozita sesa qeveria. Qeveria është përgjegjëse për ta menaxhuar krizën si duhet, duke ulur efektet financiare negative për biznesin dhe gjithë qytetarët e vendit. Ndërsa opozita, e cila ka qenë në pushtet deri para 10 muajsh është përgjegjëse, sepse nuk ka investuar dhe nuk e ka menaxhuar situatën nga pikëpamja e së ardhmes. Qeveritë punojnë për nesër, jo për sot! Opozita ka punuar për të sotmen e djeshme të saj dhe jo për të ardhmen. Pas meje u bëftë qameti! Kjo ishte deviza e qeverisjes së opozitës në 15 vitet e fundit”, theksoi profesori.

Në vazhdim, Bytyçi paralajmëroi se në rast të organizimit të protestave të pakontrolluara dhe destruktive, atëherë opozita me këtë veprim do ta forconte pozicionin e Serbisë në dialogun me Kosovën.

“Së dyti, opozita edhe nëse nuk do të kishte përgjegjësi për këtë situatë, duhet të dëshmohet e matur. Nuk mundet të shfrytëzohen krizat e tilla për ta destabilizuar Kosovën. Në rregull! Kritika mund e duhet të jetë prezent, ndonjëherë edhe e ashpër, por jo të krijohen armiqësi. Nëse opozita do t’i mobilizojë qytetarët në protesta kundër qeverisë, atëherë kjo do të shkonte në favor të forcimit të pozicionit të Serbisë në raport me Kosovën në dialog. Nëse do të ketë protesta, aq më tepër të pakontrolluara dhe destruktive, atëherë opozita do të krijonte precedentin e përsëritjes së kësaj situate në çdo krizë që do të ketë në të ardhmen në Kosovë, pavarësisht kush do të jetë në pushtet”, shpjegoi ai.

Më tej, profesori beson se edhe në rast të mbajtjes së protestave nuk do të krijohen situata të reja politike. Madje tha se në Kurtit i përshtatet të shkojë edhe në zgjedhje të reja, pasi do të ishte përsëri fitues.

“Protestat nuk ka shans ta ndryshojnë situatën politike në vend. Pra nuk mund ta ndryshojë mazhorancën e ta kthejë atë në minorancë. Kjo do të thotë se nuk mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme, po nuk deshi qeveria dhe mazhoranca. Ndoshta Albin Kurtit i leverdis të shkojë në zgjedhje të reja, ndoshta jo. Nëse do kishte presion të madh, ai mund ta shfrytëzojë destruktivitetin e opozitës e të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sepse në këtë rast do të ishte përsëri fitues.

Por unë mendoj se Kosovës i nevojitet stabilitet, paqe e siguri. Në këtë mënyrë ajo mund të përballojë sfidat që ka. Para se gjithash sfidën e ndërtimit të shtetit. Që do të thotë sfidën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjithë territorin. Edhe në veri të vendit. Destabilizimi përmes protestave nuk e zgjidh krizën. Krizën e zgjidh forcimi I institucioneve, rritja e të ardhurave për shtetin e për qytetarët dhe menaxhimi i mirë i pasurive kombëtare material e njerëzore”, potencoi Bytyçi.

Në fund, ai tha se protestat nuk do të jenë të suksesshme, pasi me këtë gjë partitë e tjera do të synojnë të kthehen në pushtet dhe një gjë e tillë do ta kthente Kosovën mbrapsht në kohë.

"Protestat nuk mund të jenë të suksesshme për Kosovën, sepse ato do të synonin të kthenin në pushtet partitë e vjetra, të cilat e kanë dëshmuar veten në qeverisje shumë më dobët sesa qeveria Kurti. Nuk po them se është gjithçka perfekt. Por gjithsesi është më mirë se në të shkuarën. Në çdo aspekt. Kthimi i partive të vjetra e bën Kosovën të kthehet mbrapsht në kohë, d.m.th krijon një lloj imazhi negative për të. Sepse ato nuk janë reformuar. Do të duhen disa vite në mos më shumë derisa ato të reformohen. Atëherë po. Ato mund të rikthehen në pushtet. Sepse qytetarët do të jenë bindur se partitë e së shkuarës janë të afta të punojnë më mirë sesa Vetëvendosja dhe Lista Guxo”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat