“17 vende, në vetëm 9 muaj qeverisje të Kurtit”, çfarë tregon raporti më i ri për Kosovën?

Politika

“17 vende, në vetëm 9 muaj qeverisje të Kurtit”, çfarë tregon raporti më i ri për Kosovën?

Nga: P.R Më: 25 janar 2022 Në ora: 19:11
Albin Kurti

Organizata që çdo vit mat indeksin e korrupsionit në botë, Transparency International publikoi raportin e saj për vitin 2021, ku sipas këtij raporti, Kosova ka shënuar përmirësim me 39 pikë nga 100 gjithsej, tre pikë më lart sesa një vit më parë.

Po ashtu ajo është rritur me 17 vende në mesin e 180 vendeve, ku nga pozita 104 është ngritur në pozitën e 87, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Në raport thuhet se “Në Kosovë ka pasur tranzicione paqësore pushteti mes qeverive në vitet e fundit”.

Gjithashtu sipas këtij raporti vendi tregoi një vullnet të sinqertë për luftuar korrupsionin, duke hetuar udhëheqës të akuzuar për korrupsion.

Para një viti ky raport e vinte Kosovën në vendin e 36, ndërkohë që këtë vit ajo u ngjit në vendin e 39. Ndërkohë Shqipëria është ulur në këtë indeks nga vendi 36 vitin e kaluar në vendin e 35-të këtë vit.

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit kjo është një tregues i qartë për përparimin e Kosovës në luftën ndaj korrupsionit.

Image
Enver Bytyçi

“Rritja me tri pikë e 17 vende në vetëm 9 muaj qeverisje është një tregues i rëndësishëm i përparimit që është bërë në Kosovë në luftën kundër korrupsionit. Ndërkaq raporti vë në dukje se në vendet e tjera të rajonit, si në Shqipëri dhe në Serbi, është përkeqësuar gjendja e të drejtave të njeriut dhe raportet e qeverisë me fjalën e lirë e median. Por për Kosovën nuk tërhiqet vëmendja në këtë drejtim. Raporti vlerëson faktin se në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar Kosova realizoi një tranzicion të lehtë dhe të butë të pushtetit, çka vlerësohet si tregues i demokracisë në rritje në këtë vend”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Qeveria Kurti duket se ka filluar të dëshmojë një performancë të suksesshme deri më tani, dhe se Kosova po konsolidohet si shtet.

“Nga të gjitha këto mund të themi se Kosova, edhe pse shteti më i ri i rajonit, po konsolidohet si shtet dhe treguesit e këtij viti të Transparency International e dëshmojnë këtë fakt. Qeveria e zotit Kurti duket se ka filluar të dëshmojë një performancë të suksesshme në këtë drejtim. Dhe vërtet në praktikë janë arritur disa suksese. P.sh rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit i dedikohet më së shumti luftës kundër korrupsionit. Në muajt e qeverisjes së re janë rritur të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ndonëse qarkullimi i mallrave është në nivelin e viteve të mëparshme. Rritja e të hyrave në këto institucione financiare është më e lartë sesa konsumi dhe qarkullimi i mallrave. Kjo dëshmon se paraja publike po administrohet më mirë sesa në të kaluarën. Do të thotë se lufta kundër korrupsionit po jep efektet e saj pozitive”, shprehet Bytyçi.

Po ashtu, sipas Bytyçit edhe Kuvendi i Kosovës ka ndërmarr reforma të cilat kanë ndikuar në uljen e korrupsionit.

“Po ashtu qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë përmirësuar shumë elementë të drejtimit, sidomos në borde, duke mënjanuar spekulimet, shpërblimet marramendëse dhe privilegjet e pa imagjinuara për njerëz të afërt të ish-politikanëve në Kosovë. Edhe ky hap dëshmon se korrupsioni është zvogëluar. Prandaj dhe raporti i publikuar ka dhënë një vlerësim real e objektiv për përparimin që është bërë në Kosovë”, thekson profesor Bytyçi.

Ai shton se lufta kundër korrupsionit është treguesi kryesor i qeverisjes së mirë.

“Qeverisja e mirë është kushti themelor i dëshmisë se Kosova mund të ndërtojë dhe administrojë një shtet të suksesshëm. Ndërtimi dhe administrimi me sukses i shtetit i jep Kosovës imazhin e një vendi solid, që punon për paqen, stabilitetin e brendshëm e rajonal dhe e çon përpara procesin e njohjeve dhe pranimit të tij. Nëse ka shtete që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ato shtete e shohin veten nën nivelin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, do të duhet që logjikisht liderët e këtyre vendeve të vihen në siklet pse nuk e njohin një vend si Kosova, me performancë më të mirë ose shumë më të mirë se ato”, thekson Bytyçi.

Më tej, Bytyçi shprehet se lufta kundër korrupsionit në Kosovë është obligim i shumëfishtë, dhe ka qenë premtim i Albin Kurtit gjatë fushatës zgjedhore.

“Është gjithashtu premtim elektoral i partive në pushtet dhe zotit Kurti. Me këtë dua të them se raporti i publikuar nuk mund të jetë shkak për eufori. Përkundrazi, edhe pse ka një përmirësim të dukshëm, përgjegjësia rritet dhe duhet të realizohen të gjitha premtimet elektorale në këtë drejtim. Nëse një qeveri lufton korrupsionin, rrit performancën e institucioneve të shtetit, por edhe rrit buxhetin, si dhe të ardhurat në funksion të investimeve për përmirësimin e treguesve ekonomikë e financiarë. Forcimi ekonomik e financiar i Kosovës, ashtu si edhe i vendeve të tjera, varet nga vizioni, projektet dhe idetë e drejtimit të shtetit, nga menaxhimi i burimeve njerëzore dhe materiale e financiare, por kjo nuk arrihet pa luftuar korrupsionin”, deklaron Bytyçi.

“Qeveria dhe institucionet ligj zbatuese të Kosovës e kanë për detyrë t'i rikthehen hetimit dhe investigimit të përgjegjësive të qeverive të kaluara, të cilat në segmente e te politikanë të caktuar kishin korrupsion të theksuar. Nëse lufta kundër korrupsionit do të zhvillohet në dy fronte, për hetimin e tij në të shkuarën e afërt dhe për ndëshkimin e rasteve të reja, atëherë suksesi do të jetë i garantuar”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat