Analisti tregon mënyrat që Kosova të jetë pjesë e OSBE-së

Politika

Analisti tregon mënyrat që Kosova të jetë pjesë e OSBE-së

Nga: M.H. Më: 26 janar 2022 Në ora: 13:28
Foto ilustrim

Kosova ka disa vite që për shkak të mosarritjes së një marrëveshje finale me Serbinë, po penalizohet për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

Për të qenë pjesë e këtyre organizatave ndërkombëtare tashmë po bëhen shumë përpjekje nga qeveria e Kosovës, mirëpo se kur do të ndodhë është ende pikëpyetje.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri, u shpreh se Kosova që nga Shpallja e Pavarësisë ka qenë pjesërisht e suksesshme, sa i takon sigurimit të njohjeve nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të huaja, por nuk ka arritur edhe të anëtarësohet në të gjitha organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Image
Gani Qarri

Në fakt Kosova që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 e këndej, në bashkë koordinim me shtetet e mëdha mike si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania etj, mund të thuhet se ka qenë pjesërisht e suksesshme, sa i takon sigurimit të njohjeve nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të huaja, por nuk ka arritur edhe të anëtarësohet në të gjitha organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, madje as në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian-OSBE, megjithëse qysh nga vitit 1999, kjo organizatë është e pranishme dhe ka marrë mandat të qëndrimit në Kosovë”, u shpreh ai.

Më tej, Qarri thotë se pavarësisht që ka qenë e suksesshme në njohje të shteteve Kosova përsëri nuk po arrin që të merr pëlqimin të jetë pjesë e OSBE-së.

“Prandaj duke pasur parasysh faktin se çdo vendim që miratohet në selinë e kësaj organizate, duhet të marrë pëlqimin e të gjitha 57 shteteve anëtare të OSBE-së, sidomos sa u takon çështjeve bilaterale me Serbinë dhe çështjeve të brendshme të Kosovës, anëtarësimi i vendit tonë do të ishte me shumë rëndësi në këtë organizatë, për vet faktin se pa pëlqimin e përfaqësuesit të Kosovës, nuk do të mund të miratohej asnjë vendim, sidomos sa u takon tendencave të Serbisë, për mbajtjen e zgjedhjeve dhe referendumeve të saj, në mënyrë të kundërligjshme edhe në Kosovë”, thotë Qarri.

Analisti nga ana tjetër përmend edhe deklaratën e ambasadorit Carpenter e që thotë se Kosova duhet ta parashtrojë sa më shumë kërkesa edhe nëse nuk arrihet të anëtarësohet, të paktën të ketë konsolidim me shtetet e tjera.

Diplomati amerikan, Michael Carpenter, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në një deklaratë të tij, me të drejtë shpreh keqardhjen për faktin që Kosova, ende nuk është anëtare e këtij organi, ku do të mund të fliste vetë, zëri i të cilës, tash e mese 22-23 vite mungon.

Kështu që, duke qenë se fatkeqësisht, Kosova deri më tani, as që ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë dhe organizatat tjera të mëdha rajonale dhe ndërkombëtare, si BE, Këshilli i Evropës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut apo edhe Kombet e Bashkuara. Qeveria e re, duhet të bëjë çmos, duke miratuar fillimisht kartën e Helsinkit, dhe parashtruar sa më parë edhe kërkesën për anëtarësim në këtë dhe organizatat tjera, në të cilat Kosova mund dhe ka të drejtë të aplikojë për anëtarësim edhe nëse nuk arrin të pranohet në të gjitha menjëherë, sepse edhe pranimi në to, hap-pas hapi, do të ishte me shumë rëndësi për konsolidimin e pavarësisë së shtetit tonë të ri”, thotë Qarri.

Anëtarësimi në OSBE është i rëndësishëm për Kosovën dhe se ky anëtarësim duhet të bëhet sa më shpejt për Kosovën me qëllim të kontributit në misionin e kësaj organizate, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Arsyeja kryesore pse Kosova duhet të aplikojë për anëtarësim në OSBE, është për faktin se me anëtarësimin e vendit në këtë organizatë, bëhet edhe konsolidimi i mëtejmë i Pavarësisë së Kosovës dhe hap dyert për pranimin e saj edhe në OKB. Kështu që anëtarësimi i Kosovës në OSBE duhet të bëhet sa më parë edhe me qëllim të kontributit në misionin e kësaj organizate, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut ,si dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit kombëtar jashtë vendit, sidomos mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore, mbështetur në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Karta e Parisit për Evropën e Re dhe Akti Final i Helsinkit”, theksoi Qarri për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat