“Veriu është më i rrezikuari”/ Pse çdo gjë që ndodh në Ukrainë ka lidhje me Kosovën?

Politika

“Veriu është më i rrezikuari”/ Pse çdo gjë që ndodh në Ukrainë ka lidhje me Kosovën?

Nga: M.L. Më: 27 janar 2022 Në ora: 10:09
Foto ilustrim

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka komentuar situatën në Ukrainë, pas grumbullimit të forcave ushtarake ruse në këtë vend dhe ndërlidhjen e kësaj situate me raportin Kosovë-Serbi.

Bytyçi ka thënë se me këtë kërcënim prej dekadash që i bën Ukrainës, Vladimir Putin dëshmon se po bën atë që ka paralajmëruar në krye të herës, të rikthejë zonat e influencës sovjetike të periudhës para rënies së Murit të Berlinit.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë dhe grumbullimi i forcave ushtarake ruse në kufi me këtë vend është e paprecdentë. Rusia po ushtron forcën për vendosjen e autoritetit dhe influencës së saj në Evropë. Vladimir Putin e ka bërë me dije që kur erdhi në krye të Kremlinit para 22 vitesh se ai nuk pajtohet me shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik, çka do me thënë se politika e tij do të synonte rikthimin e fuqisë sovjetike. Me këtë kërcënim prej dekadash që i bën Ukrainës Vladimir Putin dëshmon se po bën atë që ka paralajmëruar në krye të herës, të rikthejë zonat e influencës sovjetike të periudhës para rënies së Murit të Berlinit”, është shprehur Bytyçi.

Bytyçi: Ja pse veriu i Kosovës është më i rrezikuari

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

Në këtë kuadër, ai ka kujtuar se Putin gjatë këtyre javëve të fundit ka pohuar se interesat e Rusisë janë të lidhura edhe me Ballkanin.

“Në takimin e fundit midis sekretarit të Shtetit Amerikan, Anthony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ky i fundit kërkoi me ngulm veç tjerash që NATO të largohet nga Rumania dhe Bullgaria, si kusht për respektimin e sovranitetit të Ukrainës. Madje shtroi kërkesën e Kremlinit që NATO të kthehet në kufijtë e periudhës së Luftës së Ftohtë, d.m.th edhe nga vendet balltike, nga Polonia, Hungaria dhe Çekia e Sllovakia, si dhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia”, ka potencuar ai.

Për profesor Bytyçin, Veriu i Kosovës është më i rrezikuari, sepse Serbia inkurajohet nga ndërhyrja ruse në Ukrainë dhe mund të shtojë veprimet e veta të diversionit dhe agresionit politik e deri ushtarak në këtë zonë.

“Këto kërkesa që sot bëhen publike, patjetër që janë pjesë e strategjisë së sulmit rus në Evropën Lindore dhe Juglindore. Por në mënyrë të veçantë për momentin janë të rrezikuara disa rajone në Ballkan. Veriu i Kosovës është më i rrezikuari, sepse Serbia inkurajohet nga ndërhyrja ruse në Ukrainë dhe mund të shtojë veprimet e veta të diversionit dhe agresionit politik e deri ushtarak në këtë zonë. Duhet marrë parasysh fakti se NATO nuk është në ditët e periudhës së vitit 1999. Ajo është më e përçarë, më e paaftë politikisht për të marrë vendime. Nëse nuk reagon fort në rastin e Ukrainës, atëherë Rusia dhe Serbia mund të besojnë se edhe në rastin e një intervenimi serb në veri të Kosovës do të tolerohet nga ana e Aleancës Atlantike”, është shprehur profesori.

Sipas tij, qeveria e Kosovës të vendosë sa plotësisht e më parë, por me mençuri e urtësi, sovranitetin e shtetit në veri të Mitrovicës.

“Ndërkaq, ne duhet të jemi skeptikë për atë se nëse NATO do veprojë në një rast të tillë ose jo. Kjo dikton nevojën që qeveria e Kosovës të vendosë sa plotësisht e më parë, por me mençuri e urtësi, sovranitetin e shtetit në veri të Mitrovicës. Gjithashtu pa hequr dorë nga dialogu. Madje duke e shfrytëzuar dialogun për të garantuar sovranitetin dhe integritetin shtetëror e territorial në vend”, ka nënvizuar ai.

“Vuçiq, po jep sinjale se mund të largohet nga skena politike”

Bytyçi ka shtuar po ashtu, se përveç veriut të Kosovës rrezikohet Bosnjë-Hercegovina.

“Duhet ditur gjithmonë, sidomos nga ne shqiptarët, se Rusia është aleat i Serbisë, me qëllim që të garantojë një dalje në detin Adriatik. Dhe nëse Moska siguron një dalje në brigjet lindore të këtij deti, është e sigurt se Rusia do të ndërtonte një bazë ushtarake detare, e cila do të ishte një kamxhik në trupin evropian. Prandaj dhe duhet marrë shumë në konsideratë përpjekja e madhe e Kremlinit për të rikthyer Malin e Zi si pjesë e Serbisë. Përmes Malit të Zi Rusia siguron të ndërtojë në Adriatik një bazë ushtarake, madje të llojit të Sevastopolit në gadishullin e Krimesë”, ka thënë ai.

Më tej, profesori ka thënë se, gjatë kësaj periudhe kur bota ndodhet në një farë ankthi për shkak të përqëndrimit të trupave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën ne kemi vënë re lëvizje të caktuara në rajon.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po jep sinjale se mund të largohet nga skena politike. Nuk duhet pritur që vendin e tij ta zërë ndonjë nacionalist serb më i moderuar se ai, pavarësisht trashëgimisë së tij të dhunës dhe krimeve kundër myslimanëve dhe shqiptarëve. Në Mal të Zi ka gjithashtu lëvizje të fuqishme nacionaliste pro-ruse e pro-serbe, të cilat mbrojnë qeverinë aktuale. Ndërsa horrori i vitit 2015, kur forcat e shërbimit sekret dhe të sigurisë së Rusisë dhe Serbisë organizuan grushtin e dështuar të shtetit në Podgorisë dhe Cetinjë, mbeten dëshmi e faktit se sa është angazhuar Moska dhe Kremlini për destabilizimin e Ballkanit dhe rikthimin e influencës dhe ndikimit rus në këtë rajon”.

“Politikanët shqiptarë do të duhet të forcojnë aleancat me forcat pro-perëndimore”

Kështu, për profesor Bytyçin, çdo gjë që ndodh në Ukrainë ka lidhje të drejtpërdrejtë me rajonin tonë, sidomos me Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, vende këto që ende nuk kanë mundur të gjejnë rrugën e stabilitetit të plotë për shkak të ndërhyrjeve ruse e serbe.

“Prandaj dhe qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshëm. Po ashtu politikanët shqiptarë në Ballkan, të cilët në kushte të tilla do të duhet të forcojnë aleancat me forcat pro-perendimore kudo që janë, nga Koracia e Sllovenia e deri në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria e Rumania”, ka përfunduar profesori.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat