“Kosova t`i bëjë presion Serbisë”/Vjen paralajmërimi, ja çfarë roli do të luajë Kurti tani në dialog

Politika

“Kosova t`i bëjë presion Serbisë”/Vjen paralajmërimi, ja çfarë roli do të luajë Kurti tani në dialog

Nga: A.M. Më: 28 janar 2022 Në ora: 14:52
Albin Kurti

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ka stopuar.

Nga Bashkimi Evropian po vazhdojnë të insistojnë që të rifillojnë bisedimet.

Një thirrje për vazhdimin e dialogut ka ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka folur për thirrjen e DASH-it, ku e ka përmendur edhe letrën e Blinken, të cilën ia kishte dërguar Kurtit për bisedimet me Serbinë.

“Departamenti i Shtetit Amerikan gjithnjë ka bërë thirrje si për Kosovën edhe për Serbinë që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Para disa ditësh vetë sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, i shkroi një letër kryeministrit Kurti dhe i kërkoi që të angazhohet në dialog me synim njohjen e ndërsjellët. Madje zoti Blinken rekomandonte që në bisedimet me Serbinë të viheshin në rend dite për zgjidhje çështja e furnizimit me energji elektrike e veriut të Kosovës si dhe gjetja e kufomave të zhdukura nga Beogradi”, thotë ai.

Image
Enver Bytyçi

Profesori tregon se pse është e vështirë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Menjëherë pas kësaj letre, vjen porosia për të dyja qeveritë e të dyja vendeve që ta rifillojnë dhe vazhdojnë dialogun. Megjithatë unë e shoh të vështirë këtë. Vështirësia kryesore vjen nga Beogradi. Atje në fillim të prillit zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Është traditë e të gjitha fazave të dialogut, që në fushatë zgjedhore asnjëra palë nuk ka pranuar të ulet përballë tjetrës. Kjo do të ndodhë edhe kësaj radhe. Nuk besoj se Aleksandër Vuçiqi do të ulet me Albin Kurtin në këtë fazë”, vlerëson ai.

Sipas Bytyçit, kryeministri Kurti në këtë fazë duhet të luajë rolin e provokatorit pozitiv dhe të kërkojë me ngulm vazhdimin e dialogut.

“Por, edhe kryeministri i Kosovës duket se nuk e ka për zemër pjesëmarrjen në këtë dialog. Nuk e di pse. Ndoshta ka ndonjë eksperiencë të keqe në takimet e mëparshme. Ndoshta nuk është i përgatitur për sfidën. Ndoshta është nën presion për të pranuar ndonjë opsion zgjidhjeje, e cila nuk i pëlqen! Është ai që duhet të flasë me publikun e të jetë transparent, sepse mungesa e dëshirës së tij për t’u përballur në këtë dialog vihet re lehtësisht. Unë mendoj se në kushtet kur presidenti serb nguron ta vazhdojë dialogun Kosovë-Serbi, Kurti do të duhej të luante, pse jo, edhe rolin e provokatorit pozitiv dhe të kërkonte me ngulm vazhdimin e tij”, thotë ai.

Gjithashtu, profesori Bytyçi shprehet se Dash iu bënë thirrje të dyja palëve për të vazhduar dialogun.

“Derisa Departamenti i Shtetit u drejtohet të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, për ta vazhduar dialogun, kjo do të thotë se të dyja palët nuk duan të jenë aktive në këto bisedime. Për Serbinë është tashmë e qartë pse nuk dëshiron të ulet në Bruksel me palën kosovare. Për Kosovën është ende e pakuptimtë heshtja dhe indiferenca që ajo tregon”, vlerëson ai.

Më tej, profesori nënvizon se përgjigja e Qeverisë së Kosovës duhet të jetë pozitive për rifillimin e dialogut.

“Megjithatë, besoj se Qeveria e ka një përgjigje për aleatët e Uashingtonit. Përgjigja do të ishte gatishmëria për të rifilluar bisedimet me Beogradin. Madje dhe zgjidhja që ofron Kosova duhet të jetë e gatshme. Por, për zgjidhjen, ashtu si edhe për vazhdimin e dialogut do të duhej që herët të krijohej një konsensus politik midis subjekteve parlamentare. Lista Srpska nuk pajtohet me këtë konsensus, por partitë e tjera nuk ka arsye ta refuzojnë atë. Opozita duhet të jetë e interesuar për të dëshmuar përgjegjshmëri dhe aftësi dialoguese në këtë proces. Prandaj, dhe nuk besoj se do ta refuzonte një ftesë qeveritare për bashkëpunim dhe konsensus, së paku në formulimin e parimeve dhe zgjidhjes përfundimtare”, deklaron profesori Bytyçi.

Po ashtu, ai tregon se çfarë mund të ndodhte me dialogun nëse Kurti do të bashkëpunonte me opozitën.

“Nëse Qeveria e zotit Kurti bashkëpunon me opozitën e zotit Abdixhiku, zotit Krasniqi e zotit Haradinaj, atëherë qëndrimet marrin një përmasë tjetër. Këto qëndrime është vështirë t’i kundërshtojnë ata që përkrahin opsionet serbe për përmbylljen e dialogut. Por, edhe Kosova e përfaqësuar nga i gjithë spektri politik në dialog e ka më të lehtë vendimmarrjen. Dialogu nuk duron opozitë, nuk duron arrogancë, nuk duron diskretizëm. Është çështje serioze produkti i marrëveshjes përfundimtare. Është sfida më e madhe e kohës. Nuk kapërcehen sfida të tilla vetëm, edhe pse Qeveria ka mazhorancë solide”, thotë ai.

"Nuk mendoj se kjo Qeveri mund t’i ikë dialogut"

Profesori Bytyçi thotë se Kosova e ka komoditetin që t`i bëjë presion Serbisë duke kërkuar vazhdimin e dialogut.

“Ndërkohë që Serbia nuk është e gatshme për kompromise, Kosova e ka komoditetin që të bëjë presion ndaj saj, duke kërkuar me çdo kusht vazhdimin e dialogut. Temat për të cilat do të diskutohet i ka konfirmuar tashmë sekretari Blinken. Nëse pas këtyre temave vjen marrëveshja përfundimtare, duhet të mirëpritet, duke mbrojtur sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetësisë së Kosovës bazuar në Kushtetutë. Nuk mendoj se kjo Qeveri mund t’i ikë dialogut. Sa më shumë ta vonojë, aq më keq do të bëhet. Ne po e shohim se si po zhvillohen ngjarjet në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës. Rusia vetëm se provokon vazhdimisht. Fatmirësisht, ajo nuk ka mundësi të shfaqet ushtarakisht në Ballkan, sepse rajoni i Ballkanit Perëndimor rrethohet nga vende anëtare të NATO-s. Por ajo mund të përdorë të gjitha format e tjera të presionit e të dhunës për ta mbajtur Ballkanin në kushtet e tensionit e të konfliktit. Prandaj nuk ka arsye që Kosova të vonohet!”, shpjegoi Bytyçi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat