Juristi: Asociacioni i nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa është shkatërrim i Republikës

Politika

Juristi: Asociacioni i nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa është shkatërrim i Republikës

Nga: G.B Më: 29 janar 2022 Në ora: 15:59
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, thotë për “Bota sot” se Kosova nuk duhet ta pranojë asociacionin.

Këtë deklaratë e ka bërë ai derisa ka komentuar mundësitë që formohet asociacioni, për të cilin edhe SHBA-të shprehën mbështetje, por që sipas tyre Kosova vendos se si ta bëjë atë.

Sipas tij, një asociacion i nënshkruar nga z.Thaçi dhe z.Mustafa është de-fakto shkatërrim i Republikës.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosova nuk mund ta pranojë asociacionin serb. Çështja e asociacionit të komunave të formuara serbe në Kosovë ka marrë një pozitë jo të qartë në kuptim të ndërtimit apo jo të këtij subjekti. Natyrisht se nga BE dëgjohen duke thënë: "UE nuk është në gjendje t’ia imponojë Kosovës një subjekt (...). Palët vendosin vetë (...)". Edhe ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë u shpreh pro asociacionit dhe për këtë, respektivisht për të vazhduar dialogun me shtetin serb, javën tjetër vjen në Prishtinë Escobar. Është mirë që edhe njëherë të theksohet se një asociacion i nënshkruar nga z.Thaçi dhe z.Mustafa është de-fakto shkatërrim i Republikës. Kuptohet se nga Gjykata Kushtetuese u dhanë mbi 23 vërejtje në Marrëveshjen e vitit 2015. Mirëpo, kjo gjykatë la në fuqi Marrëveshjen e vitit 2013, me vërejtjet e bëra në fushën juridike, ekzekutive dhe ekonomike e politike. Vërejtjet treguan se ka mundësi të ndërtohet një asociacion por, pa kompetenca ekzekutive sikurse ndonjë shoqatë. E mu këtu nuk ka nevojë fare të merret shteti me një shoqatë”, thotë ai.

Profesori ka komentuar edhe deklaratën se marrëveshjet ndërkombëtare janë obligative për Kosovën dhe thotë se në Kosovë është një asociacion.

“Po dëgjohet gjithashtu mendimi: "Marrëveshjet ndërkombëtare janë obligative për Kosovën, sikurse është edhe Kushtetuta akt obligativ". Ky mendim është i qëlluar vetëm atëherë, kur nuk preken normat kushtetuese. Në këtë rast vepron gjyqësori dhe edhe nëse nënshkruhet ndonjë marrëveshje, ajo anulohet nga Gjykata Kushtetuese. E nëse ec çështja, sepse nuk bëhet padi, përsëri organet kanë mundësi për të vepruar. Fjala është këtu për padi dhe verdikt të Gjykatës Kushtetuese. Në aspektin kushtetues është Kosova shoqëri multietnike. Kjo bazë e ndalon ndonjë organizim një nacional. Mbi këtë ka mundësi të anulohet nga Gjykata Kushtetuese edhe Marrëveshja e vitit 2013. Në Republikën e Kosovës është një Asociacion i Komunave. Komunat serbe kërkohet të bashkohen me këtë Asociacion dhe t'i nënshtrohen ligjeve të Republikës. Kjo është baza kushtetuese. Ky është Asociacion multinacional. Marrëveshjet kanë vlerë kur nënshkruhen. Çështja është se vetëm forma e shkruar prodhon efekte juridike ndërkombëtare”, vlerëson ai.

Dy zgjidhje për asociacionin

Sipas Kelmendit, Kosova ka mundësi t’i paraqes dy zgjidhje për asociacionin.

“Megjithatë, gjendja na tregon, se Kosova e ka një pozitë shumë më të favorshme në raport me shtetin serb. Republika ka mundësi të përgatitet dhe kur e kërkon nevoja të paraqes një zgjidhje për asociacionin. E para, është Asociacioni i Komunave në Kosovë, si formë e inkuadrimit në të dhe së dyti, një Asociacion në formë të shoqatës, pa asnjë kompetencë politike, juridike, ekzekutive etj. Kjo përgatitje është e domosdoshme. Mirëpo, jo duke u ngutur”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat