Ish zv/ministri i brendshëm jep paralajmërimin: Kjo gjë e pret Serbinë në rast se tenton ta “ripushtojë” veriun e Kosovës

Politika

Ish zv/ministri i brendshëm jep paralajmërimin: Kjo gjë e pret Serbinë në rast se tenton ta “ripushtojë” veriun e Kosovës

Nga: M.L. Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 19:24
Hajrullah Tërnava

Forcat ushtarake ruse vazhdojnë të qëndrojnë të grumbulluara në të tre anët e kufirit me Ukrainën.

Sipas raportimeve të vazhdueshme atje në çdo çast mund të fillojë një ndërhyrje ushtarake, e cila mund të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Ukrainën, por edhe për pozitën gjeo-strategjike të shumë vendeve të tjera europiane, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Paralel me krizën në Ukrainë të shkaktuar nga Rusia kanë ardhur edhe kërcënimet nga krerët e shtetit serb për Kosovën.

Ndërsa, Rusia po përpiqet me forcë dhe kërcënime për rivendosje të autoritetit rus në Evropën Lindore, duket se qëllimi i Serbisë është një “ripushtim” i Kosovës.

Tërnava: Qëllimi i Ukrainës që të anëtarësohet në NATO e ka shqetësuar Putinin

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, thotë se situata e krijuar tani me kërcënimet e Rusisë ndaj Ukrainës është shqetësuese, për gjithë botën, për shtetin tonë, por edhe për fuqitë e mëdha botërore sikur që është NATO-ja dhe të tjerë.

“Gjithnjë nga luftëra të tilla botërore, assesi nuk mund të llogariten favoritët absolut si fitimtarë në tërësi, sepse aleancat-koalicionet botërore janë vendimtare, që i bëjnë forcat kryesore për t`i arritur ato qëllime luftarake që i kanë të planifikuara. Nëse bëjmë analiza të përpikta rreth situatës që mbretëron tani mes Rusisë dhe Ukrainës, mund të themi se situatat e tilla kërcënuese për zhvillimet botërore duhet të jenë shqetësuese”, thotë Tërnava.

Sipas tij, tani është një situatë më ndryshe se në kohët e së kaluarës së luftërave botërore, pasi duhet pasur parasysh se Ukrainës i është okupuar Krimea.

“Vet qëllimi i Ukrainës të anëtarësohet në NATO, e ka shqetësuar Putinin, sepse një anëtarësim i tillë në këtë aleancë të NATO-s do të thotë se Ukraina së shpejti do t`ia bashkëngjis shtetit të saj pjesën e Krimesë që ia ka okupuar para disa viteve Rusia dhe me këto veprime Putin e sheh fundin e tij”, shpjegon Tërnava.

Ai thotë se fakti që Ukraina po i bashkëngjitet NATO-s, për Rusinë është një disfate e madhe.

"Situatat e tanishme tani dallojnë nga ato kohët e së kaluarës, sepse tani shumë shtete të botës posedojnë armatime atomike e që kjo paraqet një rrezik për botën, sepse nga ky konflikt luftarak mund të përfshihet e tërë bota, e sidomos në mënyrë të pakontrolluar mund ta përdorin llojin e armatimeve atomike dhe mund të vijë deri te shkatërrimi i njerëzimit apo lufta e tretëbotërore. Por, nëse i kemi parasysh aleancat e deritashme, gjithsesi se NATO-ja është aleanca më e avancuar me armatim të sofistifikuar dhe të avancuar, e që këtë fuqi e bëjnë shtetet më të zhvilluara të botes sikur USA, Gjermania, Anglia, Franca, Japonia, Turqia e të gjitha shtetet tjera të BE-së dhe të Amerikës latine”, shprehet ai.

Dihet se çfarë e pret Serbinë nga çdo tentim i “ripushtimit” të veriut të Kosovës

Tërnava kujton se shtetet përkrah Rusisë tani janë në numër më të vogël krahasuar me të kaluarën, që dikur ishin si aleancë në Paktin e Varshavës.

Shumë nga ato shtete tani i takojnë NATO-s, e që kjo aleancë e Paktit të Varshavës qysh moti nuk ekziston më. Rusia me disa shtete tjera se ka më forcën e dikurshme, prandaj çdo kërcënim nga ana e saj duhet të merret me një rezervë, pra jo si nga ajo forca e dikurshme botërore që ishte në të kaluarën e sistemit komunist.

Prandaj edhe ky kërcënim i tanishëm duhet të merret me rezerva, sepse Rusia i bën këto kërcënime për t`i arritur qëllimet e saja si lufta speciale që ajo i ka. Prandaj, rivalët kundërshtarë duhen të jenë të vëmendshëm dhe t`i kenë parasysh situatat e tilla të ngjashme e sidomos kur Rusia vepronte edhe para intervenimit në Kosovë nga ana e NATO-s në vitin 1999”, thekson Tërnava.

Por, Tërnava rikujton se edhe vet ky shtet u detyrua në ato vite ta jepte pëlqimin që të intervenohet ndaj Serbisë me Rezolutën 1244 e miratuar në OKB.

“Serbia i ka të freskëta këto ndodhi se çfarë i ndodhi në të kaluarën e bombardimit të saj të vitit 1999 nga kjo aleancë e NATO-s. Prandaj çdo tentim i “ripushtimit” të veriut të Kosovës dihet se çfarë e pret Serbinë, dhe një gabim i saj do ta binte në dyshim ekzistimin e Serbisë si shtet në të ardhmen”, shton Tërnava.

Ndërmjetësimi për zgjidhjen e dialogut, mjaft premtues

Megjithatë, ai thekson se situata e krijuar në veri të Kosovës nuk është e qetë dhe e shqetëson popullin e Kosovës, deri në zgjidhjen e saj përfundimtare.

“Por, mos të harrojmë se ndërmjetësimi për një arritje të pajtimit mes Serbisë dhe Kosovës që ka filluar nga shtetet mike sikur që është Amerika dhe ato të BE-së, është mjaft premtues dhe padyshim se do të jap rezultatet e saja përfundimtare. Kjo pasi Amerika ka emëruar njerëzit më eminent për ambasador në shtetet e Ballkanit që kanë çështje të pazgjidhura me Serbinë”, u shpreh Tërnava.

Ai thotë se është një angazhim i sinqertë dhe i përditshëm dhe gjithsesi pritet që një marrëveshje e qëndrueshme të arrihet dhe njohjet reciproke Kosovë-Serbi të ndodhin.

“Është e qartë se i tërë Ballkani i takon BE-së dhe së shpejti do ta gjej veten aty, dhe njëherë e përgjithmonë pretendimet e Rusisë do të marrin fund në këto territore, sepse vetëm në këtë mënyrë i tërë Ballkani njëherë e përgjithmonë do të qetësohet dhe do t’i bashkëngjitet BE-së si të tjerat shtete që ekzistojnë në këtë kontinent”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat