A është vepër penale marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa? Tregon juristi

Politika

A është vepër penale marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa? Tregon juristi

Nga: G.B Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 16:43
Ilustrim

Marrëveshja e nënshkruar për asociacionin vite më parë, ka bërë që ish kryeministrat që e nënshkruar atë të jenë aktualë tani.

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë mjaft të diskutuar në ngjarjet aktuale politike, derisa aktual është dhe asociacioni i nënshkruar prej tyre.

Për shumë kjo shihet si tradhti ndaj shtetit të Kosovës dhe se formimi i asociacionit e bosnjëzon Kosovën.

Fajtorë për nënshkrimin e asociacionit i ka quajtur ata edhe presidentja Vjosa Osmani, Thaçin e Mustafën.

Lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se pushteti duhet të ndërmarrë veprime dhe jo të ankohet dhe për çdo veprim antishtetëror të drejtohet në organet e drejtësisë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Pushteti i ka votat për t'i zgjidhur problemet, e jo veç për tu ankuar. Veprimet antishtetërore që nga Presidentja, Qeveria a qytetarët, mendohet se janë vepra penale, sidomos ato nga pozitat e shtetit, i dërgohen si lëndë Prokurorisë Speciale dhe ajo vendos për hapjen apo jo të hetimeve për ish-udhëheqësit e vendit. Mbi faktet që mblidhen, nga PS ngritët apo përfundon procedura kundër çdo të dyshuari”, është shprehur ai.

Kelmendi tregon se si e përcakton dënimin Kodi Penal.

"Në Kodin Penal theksohet taksativisht vepra penale që kryhet nga pozitat e pushtetit. "Kush me vetëdije apo pa të, nënshkruan marrëveshje që dëmton pjesërisht apo në tërësi tërësinë territoriale ose e vënë një pjesë të Republikës nën sovranitetin e huaj, dënohet më së paku me 5 vjet deri me burg të përjetshëm". Ky është përkufizimi juridik nga nenet 120/123 të Kodit Penal. Ky është dënimi që është sanksionuar”, ka shpjeguar profesori.

Ai shton se i takon gjykatës që të vendos nëse marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa është vepër penale.

“Tani a konsiderohen dy marrëveshje, ajo e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, të nënshkruara nga z.Thaçi dhe z. Mustafa, në vepër të tillë penale, i takon gjykatës në shqyrtim kryesor dhe me aktgjykim të vendos”, ka vlerësuar ai.

Por, sipas profesorit, nuk arsyetohet që krerët e shtetit apo politikanët që janë në pushtet t’i arsyetojë dështimet me nënshkrimin e asaj marrëveshje, pasi ata tani janë në pushtet dhe duhet të gjejnë zgjidhje.

“Ajo që nuk arsyetohet kurrsesi është fakti se as Presidentja, as Kryeministri apo ndonjë Ministre, deputet i pozitës, nuk ka të drejtë që dështimet t'i arsyeton me nënshkrimin e z.Thaçi dhe të z.Mustafa, të dhënë për Asociacion. Populli i ka zgjedhur dhe i ka vendosur në pushtet për t’i zgjidhur çështjet. Këtej edhe për Asociacion dhe çështjet tjera të shtetit. VV dhe z. Kurti e z. Osmani i morën votat. Ankesat janë pa vend. Një a dy herë përsëriten gabimet, por jo vazhdimisht dhe më keq, i përsëritin për të arsyetuar eventualisht dështimet e pushtetit. Kështu nuk ecën çështja”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat