“Çdo marrëveshje do ta mbështesim financiarisht”/ A është afër fundi i dialogut? “Këtë nuk e lejon Serbia, por as Kosova”!

Politika

“Çdo marrëveshje do ta mbështesim financiarisht”/ A është afër fundi i dialogut? “Këtë nuk e lejon Serbia, por as Kosova”!

Nga: N. Sh. Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 22:52
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pas vizitës dy ditëshe që zhvilluan në Kosovë, ata vazhduan edhe në Serbi.

Pas takimit të tyre më liderët shtetëror të Serbisë, kanë bërë thirrje për përparim të shpejtë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë deklaruar vazhdimisht se janë të gatshëm të shkojnë në Bruksel, kur të jenë të ftuar, si dhe që janë të përkushtuar ndaj procesit.

“Ju kujtohet që pas dy takimeve të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar, ne thamë se donim që takimi i tretë mes Kurtit dhe Vuçiqit të sillte rezultate konkrete. Muajt e fundit kemi punuar për përgatitjen e këtij takimi. Ju nuk keni parë shumë dialog, por ndërkohë ka pasur shumë proces dhe përparim. Sot mund të them se jam optimist. Çështja është se kur do të ndodhë ai takim dhe jo nëse do të ndodhë ai”, tha Lajçak.

Kurse Gabriel Escobar tha se SHBA-ja nuk është pjesë e dialogut, por se e mbështetë atë dhe është e gatshme të ndihmojë.

Ai shtoi se qëndrimi i SHBA-së është që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të diskutohet dhe se për këtë i takon të dyja palëve të arrijnë pajtimin gjatë dialogut.

“Çdo marrëveshje që do të arrijnë, ne do ta mbështesim, financiarisht, politikisht dhe teknikisht”, theksoi Escobar.

Në lidhje me marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, ka folur juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani

Ai thotë se nuk ka sinjale e as zhvillim domethënës dhe nënkuptues që mund të ketë ndonjë shpresë për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Kjo çështje është larg, së paku për momentin dhe kjo është përshtypja ime. Unë nuk besoj në zgjidhje të përhershme me një marrëveshje të plotëfuqishme. Këtë nuk e lejon Serbia të ndodhë për një kohë të gjatë. Serbia nuk ka interes të zgjidhjes së përhershme dhe unë nuk kam ndonjë optimizëm”, shprehet Burjani për gazetën “Bota sot”.

Juristi shton se, marrëveshja nëse nënshkruhet mund të jetë në dëm të Kosovës, por sipas tij, Kosova nuk lejon një marrëveshje të tillë.

“Marrëveshje në dëm të Kosovës nuk e lejon Kosova për tërritorin dhe sovranitetin e saj për të cilën është e interesuar Serbia. Prandaj besoj që gjasat nuk janë që të ndodhë ndonjë marrëveshje që do të thuhej se kjo çështje përmbyllet”, potencon ai.

Sipas Burjanit, nuk ka seriozitet deri tash të mjaftueshëm ndërkombëtar për të përfunduar kjo çështje.

“Këto janë ndërhyrje të buta, kur thuhet se palët vet i zgjidhin problemet, kjo është e pamundshme përderisa BE dhe SHBA nuk do të kenë një kornizë dhe një dokument rekomandues për palët”, përfundon Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat