Iniciatorët serbë dhe bashkëpunëtorët shqiptarë të Serbisë mundësuan dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve me dhunë e terror nga veriu 

Politika

Iniciatorët serbë dhe bashkëpunëtorët shqiptarë të Serbisë mundësuan dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve me dhunë e terror nga veriu 

Nga: A.SH Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 20:53
Masakra në Mitrovicë

Ditë më parë janë bërë 22 vjet nga masakra ku në natën midis 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, të ashtuquajturat ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.  

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) kishte thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.  

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo ishte ngjarje terrori, ku u bë spastrim kolektiv.  

Sipas tij, shqiptarëve të dëbuar, jo vetëm që nuk u doli askush në ndihmë, UNMIK-u as KFOR-i, por atyre nuk u ndihmuan as vet shqiptarët dhe partitë politike të Kosovës.   

“Siç dihet tanimë, në fillim të muajit shkurt u bën plot 22 vite që nga ngjarja tragjike e holokaustit të shqiptarëve në veri, kur, bandat kriminale serbe të ndihmuara nga shërbimet e fshehta të Serbisë, bën spastrimin kolektiv, me dhunë dhe terror të shqiptarëve nga Veriu i Kosovës, i cili ishte aq i rëndë dhe masiv, sa që brenda vetëm 24 orëve u dëbuan deri në 14 mijë shqiptar, nga shtëpitë dhe trojet e veta stërgjyshore autoktone. Që kjo ngjarje e rëndë të bëhej edhe më tragjike, përkundër dhunës dhe terrorit të pa-parë, shqiptarëve të dëbuar dhe të përndjekur mizorisht nga bandat e organizuara kriminale serbe, jo vetëm që nuk u doli askush në ndihmë, UNMIK-u as KFOR-i, por atyre nuk u ndihmuan as vet shqiptarët dhe partitë politike të Kosovës. Kështu që numri i të dëbuarve, para dhe pas lufte, nga veriu i Kosovës, nga disa burime, thuhet se kalon shifrën e rreth 20 mijë shqiptarëve, të cilët , për shkak të mosmbështetjes dhe mungesës së përkrahjes shtetërore dhe politike, nuk mundën kurrë të kthehen në vatrat e veta stërgjyshore, sepse udhëheqësit e shitur shqiptarë lejuan blerjen e trojeve dhe shtëpive të tyre, në mënyrë të imponuar nga Serbia fashiste”, ka thënë ai.   

Qarri fajëson politikën në Kosovë, duke thënë se ajo nuk u mor me trajtimin ligjor të rikthimit të të paktën 14 mijë shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga Veriu i vendit.  

Ai rikujton po ashtu se, Hashim Thaçi nënshkroi variantin e parë të marrëveshjes për krijimin e asociacionit një etnik serb dhe pas tij Isa Mustafa nënshkroi edhe variantin e dytë-shtesë të asaj marrëveshjeje kundër kushtetuese.  

“Për aq më keq, qeveritë e udhëhequra nga partitë e inkriminuara politike, në vend se të merreshin me trajtimin ligjor të rikthimit të të paktën 14 mijë shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga Veriu i vendit tonë, pas lufte nga bandat kriminale serbe, Thaçi & Co shkonin në Bruksel tu jepnin po atyre bandave edhe kompetenca shtetërore e territoriale, për ta bosnjëzuar edhe vet Kosovën. Madje më 19 prill të vitit 2013 kuislingu Thaçi nënshkroi variantin e parë të marrëveshjes për krijimin e asociacionit një etnik serb dhe bosnjëzimin e Kosovës, ndërsa me 25 gusht të vitit 2015, renegati jugokomunist Isa Mustafa, nënshkroi edhe variantin e dytë-shtesë të asaj marrëveshjeje kundër kushtetuese, për veshjen e asociacionit antiligjor, një etnik serb edhe me kompetenca ekzekutive dhe formimin edhe të një "republika srpska" në truallin e Kosovës, për vetëm 20-30 mijë serb në veri, duke harruar më se 20 mijë shqiptarët e dëbuar me dhunë, para dhe pas lufte nga kjo pjesë e vendit tonë”, nënvizon ai.   

Qarri dekaron se është koha vendimtare që përfundimisht të nisin hetimet rreth këtij rasti të rëndë e tragjik, dhe për të gjithë ata që organizuan dhe realizuan me dhunë e terror dëbimin e rreth 14 mijë shqiptarëve nga veriu i Kosovës.  

“Duke qenë se edhe Presidentja e vendit zonja Vjosa Osmani vije nga Mitrovica dhe njeh nga afër ato vuajtje e përjetime të rënda të shqiptarëve, vetëm ajo dëshmoi, se njëmend nuk e ka harruar kurrë holokaustin e 3 dhe 4 shkurtit ku u vranë e masakruan, të paktën 10 shqiptarë të pafajshëm dhe plagosën më se 25 të tjerë, të mbetur në duart e kriminelëve serb, pa asnjë mbrojtje të shtetit as bashkëkombësve të tyre. Ndaj Presidentja deklaroi me arsye dhe plotë të drejtë, se kujtimet e atyre netëve të tmerrit do të mbeten të gjalla dhe do të rëndojnë pareshtur mbi ndërgjegjet tona, përgjithmonë, përderisa kriminelët e bandave të veriut, autorët e vrasjeve dhe dëbimit të 1664 familjeve të shqiptarëve me rreth 12-14 mijë anëtarë, të mos dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Pra, është koha vendimtare që përfundimisht të nisin hetimet rreth këtij rasti të rëndë e tragjik, për të gjithë ata që organizuan dhe realizuan me dhunë e terror dëbimin e rreth 14 mije shqiptareve nga veriu, duke vrarë e plagosur disa dhjetëra prej tyre, si dhe vendosjen para drejtësisë të udhëheqësve të asaj periudhe, të cilët në kooketim me bandat serbe, për interesa dhe përfitime personale, nuk u erdhën në ndihmë shqiptarëve të pambrojtur, që edhe 22 vite pas asaj tragjedie, as sot e kësaj dite, nuk guxojnë të kthehen në shtëpitë dhe trojet e të parëve, duke vdekur qindra nga ata, nëse jo më tepër, pa i parë më kurrë vatrat e veta me sy”, ka thënë Qarri.  

Ai thotë se qeveritë e udhëhequra nga Thaçi & Co, lejuan jo vetëm serbët e veriut, por edhe Serbinë okupatore, ti blejë me detyrim, pronat dhe shtëpitë e shqiptarëve, të shkul me rrënjë edhe themelet e tyre, për të zhdukur gjurmët e jetesës së shqiptarëve atje.  

“Për aq më keq, qeveritë e udhëhequra nga Thaçi & Co, lejuan jo vetëm serbët e veriut, por edhe Serbinë okupatore, ti blejë me detyrim, pronat dhe shtëpitë e shqiptarëve, të shkul me rrënjë edhe themelet e tyre, për të zhdukur gjurmët e jetesës së shqiptarëve atje, dhe të ndërtojë mbi to, shtëpi të mëdha shumëkatëshe për banime kolektive të serbëve, shpesh herë duke përdorur firmat shqiptare, për ngritjen e tyre, pa reaguar asnjëherë qeveritarët e shantazhuar të Kosovës, për të gjitha këto, sikur të ndodhnin dikund në mes te Serbisë dhe jo në veriun e vendit tonë, në shtetin e Kosovës së pavarur. Prandaj vetëm pas burgosjes së kuislingut Thaçi me shokë dhe ndryshmeve politike në vend, guxoi të ri aktualizohej, sërish kjo çështje e ndjeshme dhe është Presidentja e vendit, ajo e cila mori iniciativën ta përmend edhe drejtësinë e pavendosur tash e mbi dy dekada, për dëbimin e rreth 14 mijë shqiptarëve të vrarë e të terrorizuar ku mbetën të vrarë së paku10 viktima shqiptare, e 25 tjerë të plagosur rëndë e lehtë, pa asnjë faj tjetër, përveç faktit se ishin shqiptar. Është koha e fundit që Presidentja, Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës, të koordinohen sa më parë dhe përfundimisht të urdhërojnë nisjen e hetimeve, për këtë rast të paprecedent, të rëndë dhe tragjik, kur dihet mirë, se në Veriun e Kosovës, nuk janë të vendosur vetëm serb vendor por nga Serbia janë sjellë edhe kolonist klasik, të ardhur kundërligjshëm nga Bosnja dhe Kroacia, të cilët janë dëshmuar si pjesa më problematike dhe që nuk lejojnë asnjëherë të qetësohet gjendja e shtrihet rendi e ligji edhe në këtë pjesë të vendit tonë, duke mos lejuar as regjistrimin e popullsisë në këtë territor tash e mbi 22 vite”, deklaron tutje analisti.   

Në fund shton se hetimi i dëbimit me dhunë do duhej të shoqërohej me formimin e një komisioni shtetëror për regjistrimin e banorëve të kësaj pjese të vendit tonë.  

“Kështu që, hetimi i dëbimit të shqiptarëve me dhunë e terror nga veriu, do duhej të shoqërohej me formimin e një komisioni shtetëror për regjistrimin e banorëve të kësaj pjese të vendit tonë për të parë kush është i lindur në Kosovë dhe secili prej të tjerëve, të dihet se nga ka ardhur dhe si është vendosur aty, si dhe një ekip qeveritar për kthimin e shqiptarëve në mënyrë të organizuar me mbështetje shtetërore, duke rindërtuar shtëpitë e tyre të shkatërruara, si dhe krijuar kushtet dhe ofruar mundësitë, për një jetë të qetë e normale në vatrat e veta shekullore.Vetëm në këtë mënyrë, hetimi i hollësishëm i dëbimit markant e të pashembullt të dhjetëra mijëra shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës, përfundimisht do të zbulonte se si ndodhi kjo tragjedi kombëtare, pas lufte, si dhe kush ishin iniciatorët serb dhe bashkëpunëtorët shqiptar të Serbisë të cilët mundësuan dëbimin e mese 14 mijë shqiptarëve pa asnjë reagim të organizuar politik në Kosovën e pas luftës, duke nxjerrë para drejtësisë të gjithë udhëheqësit e këtij akti kriminal dhe bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës, të cilët ndihmuan apo përkrahën dhe mbështetën kriminelët serb, për dëbimin e rreth 14 mijë shqiptarëve nga veriu i Kosovës, duke mos guxuar më kurrë të kthehen në vatrat e veta autoktone, prej se mbahet mend jeta dhe njerëzimi”, përfundon Qarri.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat