Strategjia e MPJD-së për njohje të rerja/ Kelmendi: Kjo ministri ka fjetur qe një vit

Politika

Strategjia e MPJD-së për njohje të rerja/ Kelmendi: Kjo ministri ka fjetur qe një vit

Nga: A.Z Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 22:05
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka hartuar strategjinë për njohje të reja me qëllim të ndërtimit të një qasjeje sistematike me shtetet jo njohëse. Ndërkohë ka vendosur listën e prioriteteve për aplikim në organizata ndërkombëtare. 

Në tryezën e diskutimit të organizatës joqeveritare “PIPS”, Kreshnik Ahmeti, paraqiti punën e MPJD-së në 1 vit qeverisje, derisa tha se prioritet fillimisht ka qenë funksionalizimi dhe riorganizimi në këtë dikaster. 

“Në planin tonë vjetor kemi pasur që të ndërtojmë një strategji për njohje dhe kemi një të tillë. Ideja jonë ka qenë që t’i analizojmë secilin shtet që nuk e njeh Kosovën dhe të ndërtojmë një qasje më sistematike drejtë raporteve me këto shtete. Aty ku mund të bëjmë hapa të mëdhenj të bëjmë, ndërsa aty ku nuk mundemi, të bëjmë hapa të vegjël. Përveç njohjeve ne po punojmë gjithashtu që të nënshkruajmë marrëveshje për marrëdhënie diplomatike me shtetet që ende nuk kemi marrëveshje të tilla dhe së shpejti do të nënshkruhen disa… Ne po punojmë në diskrecion, por mund të them që Kosova ka pasur vizita dhe delegacione të vendeve të ndryshme që nuk e njohin Kosovën në aktivitete të ndryshme që i kemi organizu, por në fund të fundit nuk është në dorën e Kosovës se kur ato vende vendosin të na njohin”, tha ai. 

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se ka kohë që dëgjojmë se po punohet nga MPJ për njohje të reja, por sipas tij, nuk po shihet ndonjë punë konkrete, madje ai thotë se MPJ që një vit ka fjetur. 

“Ndërtimi i strategjisë nuk e pengon punën e MPJ dhe të Diasporës. Ka kohë që dëgjojmë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës se Kosovës se po punohet apo është ndërtuar strategjia për njohje të reja të shtetit të Kosovës. Kjo e thënë ka marrë kohë që një vjet. Duket edhe më gjatë. Nuk dihet fare se çka është punuar nga MPJD në këto kohët e fundit. Në Kosovë nuk dihet aktiviteti diplomatik dhe as kjo strategji. Askush nuk sheh ndonjë punë konkrete. Ka vazhduar njëjtë veprimtaria, pa suksese. MPJ dhe Diasporës ka fjetur qe një vit. Ajo fare nuk është ndier e gjallë në aktivitet. Nuk shihen fare punët e saj. Nuk kemi njohje të reja”, tha ai. 

Tutje theksoi se MPJD po i fsheh të dhënat, sepse nuk ka të dhëna të qarta dhe nuk raportohet mbi zhvillimet e tyre. 

Kelmendi shtoi se krejt çka dihen janë vetëm largimet e diplomatëve nga puna. 

“Kemi pasivizim të njohjeve. As anëtarësimet në ndonjërën organizatë rajonale a evropiane, përtej oqeani nuk është bërë. Është bërë bajat fjala strategji. Disa njohjet të shtetit të Kosovës janë pasivizuar. Reagime nga MPJD nuk kemi. Nuk ka as të dhëna të qarta. MPJD i ka fshehur të dhënat. Nuk ka raportuar mbi zhvillimet e kësaj ministrie dhe punën e bërë apo për mos punën. Ajo që dihet janë largimet e shumë diplomatëve nga puna dhe vendosja e shumë të tjerëve në listën e diplomatëve. Tjetër gjë nuk ka të dhëna. Kudo nëpër Evropë e qendra të vendosjes nuk kemi prezencë të Kosovës”, shtoi Kelmendi. 

Më tej, ai ka potencuar se veprime të diplomacisë së Kosovës nuk kemi as në Bruksel, e as në disa shtete të tjera, pra kjo është një dështim sipas Kelmendit. 

Tutje ai u shpreh se shteti duhet të funksionojë, sepse digasterët funksionojnë në çdo kohë. 

Madje Kelmendi potencoi se për dështime të tilla kërkohet dorëheqja e ministrit. 

As në Bruksel, në Londër e në Parisë, në Berlin a në Vjenë, në Uashington, nuk ka veprime të diplomacisë së Kosovës. Për më shumë se me vite është një heshtje totale e Kosovës. Është një tërheqje pa asnjë veprim. Kemi një dështim. Natyrisht se strategji duhet të ketë kjo ministri, si çdo ministri tjetër dhe tërësisht Qeveria. Mirëpo, kjo nuk e pengon asnjë digastër të Qeverisë në punë. Shteti duhet të funksionojë. Mungesa e strategjia nuk e ndalë punën. Çdo herë dhe në çdo kohë funksionojnë digasterët. Tëra ministritë janë në punë. Ajo nuk ndalet. Thjeshtë është vetëm një arsyetim bajat për dështimet e mëdha të MPJ dhe të Diasporës. Me dështimet e tilla kudo do të kërkohej dorëheqja e ministrit. Arsyetim për dështime nuk ka”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat