Eksperti amerikan: Ja nga kush varet anëtarësimi i Kosovës në NATO, çka duhet të bëjnë 4 vendet mosnjohëse

Politika

Eksperti amerikan: Ja nga kush varet anëtarësimi i Kosovës në NATO, çka duhet të bëjnë 4 vendet mosnjohëse

Nga: A.ZH Më: 4 mars 2022 Në ora: 22:30
Kosova e ka bërë të qartë se ku qëndron, me solidaritet të plotë me Ukrainën dhe me qëndrimet e BE-së dhe NATO-s

Eksperti dhe ligjëruesi i Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin "Johns Hopkins", në Uashington Edward P. Joseph, ka folur për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Bota sot", Joseph ka thënë se avancimi i marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n ndikon në stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.

"Kosova e ka bërë të qartë se ku qëndron, me solidaritet të plotë me Ukrainën dhe me qëndrimet e BE-së dhe NATO-s. Është mjaft e habitshme që Kosova sapo ka bërë kërkesë për anëtarësim në NATO, gjë që është një tipar kyç i raportit tonë të Qendrës SAIS-Wilson. Ne besojmë se avancimi i marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n avancon stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit", ka thënë profesori amerikan.

Image
Edward P. Joseph

I pyetur për deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se Kosova brenda 6 muajve mund të bëhet anëtare e NATO-s, ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Aleancë varet nga dy faktorë.

"Anëtarësimi i Kosovës në NATO varet, së pari, nga pozicioni i katër anëtarëve jonjohëse të Aleancës: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania; dhe së dyti, mbi hapat e vetë Kosovës për të përmbushur kriteret e NATO-s, duke përfshirë zhvillimin e demokracisë së saj, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe trajtimin e drejtë të qytetarëve nga të gjitha komunitetet e Kosovës, përfshirë komunitetin serb të Kosovës", ka thënë Joseph për "Bota sot".

Ai ka theksuar se 4 vendet që nuk e njohin Kosovën, tani duhet të rishqyrtojnë qëndrimin, pas rreshtimit të Serbisë me Rusinë. Sipas tij, interesat e Spanjës përputhen me Kosovën dhe jo Serbinë.

"Sa i përket katër mosnjohësve të NATO-s, secili tani ka arsye të mira për të rishqyrtuar qëndrimin e tyre, duke pasur parasysh rreshtimin e Serbisë me Rusinë. Dhe Rusia është në linjë me forcat që duan të copëtojnë shtete si Spanja. Kremlini ka mbështetur separatistët në Katalonjë. Pra, interesat e Spanjës në fakt përputhen me Kosovën – jo me Serbinë, e cila ndihmon në promovimin e agjendës ruse të fragmentimit", ka shtuar Edward P. Joseph.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke folur dje para deputetëve në Kuvend, ka deklaruar se Qeveria do ta përshpejtojë aplikimin në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Vitin e kaluar bëmë të ditur se ne do të aplikojmë për anëtarësim këtë vit në Bashkimin Evropian, këtë proces do ta përshpejtojmë, njëjtë siç do të përshpejtojmë aplikimin për anëtarësim për Këshill të Evropës dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, njëkohësisht do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejt anëtare e NATO-s, duke filluar së pari me Partneritetin për Paqe”, ka thënë Kurti në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat