Situata e vështirë po vazhdon në Ukrainë.
Rusia e pandalshme ndaj shtetit të Ukrainës ka arritur të sjellë një destabilizim në gjith botën.
Kjo krizë e krijuar po vë në lëvizje krejt vendet e botës, edhe Kosovën.
Së fundmi është kryeministri Kurti ai i cili në një intervistë për të përditshme “La Republica” tha se Ballkani është në rrezik pasi Rusia ka tentakulat e veta në këtë rajon.
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, historisë e diplomacisë, Gurakuq Kuçi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Serbia është e gatshme në çdo kohë ta shfrytëzoj momentin, që ta sulmoj Kosovën dhe për këtë e ka përkrahjen e Rusisë.
Sipas Kuçit, kryeministri Kurti e ka të qartë këtë pjesë për këtë arsye është i shqetësuar.
“Serbia në situatë lufte si kjo tani është e gatshme t’i shfrytëzojë në çdo moment dhe për këtë e ka përkrahjen e Rusisë dhe madje kjo e fundit edhe insiston që të hapet një vatër e re lufte, si në Kosovë.
Kryeministri Kurti e ka të qartë këtë dhe duke e pasur parasysh se si kryeministër i vendit ka qasje edhe në informacione të klasifikuara kjo e bënë edhe më serioze tërheqjen e vërejtjes nga Kryeministri”, u shpreh ai.
Më tej, profesori thotë që Kosova gjendet para një rreziku real dhe duhet të jetë në gjendje gatishmërie që në rast të një eskalimi të situatës, qytetarët duhet ta mbrojnë shtetin e tyre.
“Rreziku bëhet edhe më real kur e dimë që Rusia dhe Serbia nuk po arrin në asnjë mënyrë të shtyjë përpara përfitime për dalje ekskluzive në Adriatik nëpërmjet Kosovës, ta arrijë asociacionin dhe deri në zhdukjen e shtetit të Kosovës.
Kosova gjendet para një rreziku real dhe duhet të jetë në gjendje gatishmërie që në rast të një eskalimi situate qytetarët duhet të mbrojnë shtetin e tyre, ashtu siç po bëjnë Ukrainasit. Serbia dhe Rusia në Ballkan po marrin më shumë kurajë nga qasja e BE-së ndaj Kosovës”, thotë Kuçi për “Bota sot”.