Cili është gabimi që bëri kushërira e Ukshin Hotit përball Kryeministrit Kurti?

Politika

Cili është gabimi që bëri kushërira e Ukshin Hotit përball Kryeministrit Kurti?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 27 mars 2022 Në ora: 18:33
Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca gjatë nderimit të të rënëve në Krushë

Banorët e Krushës së Madhe të Komunës së Rahovecit, dje (26 mars 2022) përjetuan një nga ditët më të rënda. 241 viktimave të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, iu shtuan edhe eshtrat e 7 burrave, 23 vite pas vrasjes e zhdukjes.

Në një ngjarje të tillë, të përshkuar nga dhimbjet e mërzia nuk kishte se si të mungonte kryeministri i vendit Albin Kurti, i cili theksoi se data 26 mars 1999 dhe forcat serbe të regjimit gjenocidal të Beogradit janë emërues të përbashkët të këtyre krimeve

Sado që përkujtimi për martirët ishte i dhimbshëm dhe lotët e familjarëve nuk pushonin, vëmendja u vendos edhe në diçka tjetër.

Në ditën, kur më së shumti duhej t`i tregohej botës për krimet makabre të Serbisë mbi popullin e pafajshëm të Kosovës, dikujt iu kujtua të ankohej për një padrejtësi që i është bërë brenda institucioneve të vendit.

Kryeministri Albin Kurti, gjersa po i vizitonte varret e martirëve, “u zu në pritë” , nga motra e një dëshmori, njëherësh edhe kushërira e politikanit të shquar dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hotit.

Ajo, në prani të medias kërkoi llogari nga kryeministri se përse është shkarkuar nga puna si diplomate e Kosovës.

“Më vjen mirë që keni ardhur sot. Por, si është e mundur që unë para një jave jam pushuar nga puna si diplomate e Kosovës, duke dalë nga ky gjak, sakrifica e këtyre dëshmorëve më ka dërguar të shkollohem në Austri dhe unë sot me padrejtësinë më të madhe, para një jave shkarkohem nga puna si diplomate”, dëgjohet duke i thënë ajo, Kurtit.

Kryeministri iu përgjigj se nuk është i informuar për rastin, ndërsa i premtoi zonjës se do të interesohet tek ministrja Donika Gërvalla lidhur me këtë.

“Do të interesohem për çka bëhet fjalë. Do ta shikojë për çka bëhet fjalë”, iu përgjigj kryeministri.

Ajo sërish insistoi duke i treguar Kurtit se ka pasur padrejtësi gjatë shkarkimit të diplomatëve.

Mbase zonjës në fjalë i është bërë padrejtësi e madhe dhe për këtë janë një sërë organesh që duhet ta vërtetojnë, por a ishte pikërisht dita e përkujtimit të të rënëve për liri, momenti i duhur për ankesa burokratike?

Në fakt, qytetarët e Kosovës, ata të thjeshtët (vdektëtarët) ka 23 vjet që përballen me padrejtësi të shumta. Pra, nëse para lufte Kosova ishte “Djep Lirie”, paslufte Kosova u bë “djep padrejtësie” për qytetarët e saj.

Ky “djep” ka përkundur edhe shumë të këqija të tjera që ia kanë zënë frymës të ardhmes së vendit. Mjafton t`i shohim se sa qytetarë janë të interesuar ta braktisin vendin.

Dikur në mënyrë ilegale e tash në mënyrë legale, synimi kryesor i një të riu të Kosovës sot është ikja jashtë vendit.

Fatkeqësisht, janë me qindra të rinj të shkolluar në nivelet më të larta, të cilëve u është mohuar e drejta në punësim, për shkak të atyre që janë privilegjuar vetëm se kanë pasur familjarë të rënë në luftë, apo edhe të afërt me pushtetin.

Qytetarët e Kosovës janë ngopur me politikanë që mbi të gjitha ua kanë vjedhur shpresën për të jetuar.

Andaj, kryeministrit Kurti dhe të tjerëve duhet kërkuar llogari për shumë gjëra. Por, kjo do të duhej të bëhej në një rast më të përshtatshëm se në ditën e përkujtimit të të rënëve për liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat