MPJ hesht, qytetarët e Kosovës vazhdimisht po arrestohen në Serbi

Politika

MPJ hesht, qytetarët e Kosovës vazhdimisht po arrestohen në Serbi

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 prill 2022 Në ora: 08:35
Ndërtesa e MPJ-së

Para pak ditëve në Serbi është ndaluar një qytetar i Kosovës, i cili udhëtonte përmes shtetit serb. Abaz Beqiraj, i cili është arrestuar të dielën nga policia serbe në kufirin Hungari-Serbi, është liruar të martën. Lajmin për lirimin e tij e ka dhënë avokati i familjes, Arianit Koci, nëpërmjet një postimi në Facebook, i cili ka njoftuar se Beqiraj është liruar gjatë pasdites së 29 marsit.

“Abaz Beqiraj, personi që është arrestuar të dielën nga policia serbe, posa është liruar”, ka shkruar Koci.

Arsyet që kanë çuar në arrestimin e Beqirajt as të martën nuk janë bërë të ditura.

Për këtë arrestimika reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme për shtetasin e Republikës së Kosovës..

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga mediat që, në kufirin Hungari-Serbi, autoritetet serbe mund të kenë ndaluar një qytetar të Republikës Kosovës”, shkruan ata në një deklaratë në Facebook.

Gazeta ka kontaktuar MPJ-në lidhur me këtë rast dhe ҫfarë do të ndërmarrë Kosova më tutje që qytetarët e saj të mos kenë probleme të tilla. Mirëpo, ata nuk kanë komentuar këtë ҫështje.

Maxharraj: Serbia kërcënon Kosovën me ushtri duke e sjellë atë në kufijtë e saj

Profesori dhe njohësi i ҫështjeve politike, Binak Maxharraj duke u ndërlidhur me këtë rast thotë se, raportet e Serbisë me Kosovën nuk janë hiq të mira gjatë këtyre dy dekadave të pasluftës. Serbia nuk pajtohet me Pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimisht e kundërshton pavarësinë e saj.

Image
Binak Maxharraj

“Ajo gjatë dialogut bukur të gjatë nënshkroi disa marrëveshje, të cilat nuk i realizon sepse nuk e ka qëllimin e përmirësimit të të drejtave të serbëve në Kosovë, sepse serbët e Kosovës kanë të drejta më të mëdha se shumë pakica tjera në Evropë, por asaj i intereson ta ndajë Kosovën dhe për këtë arsye e ka bërë rrëmujë dialogun për të gjitha këto vite. Serbia me Vuçiqin ekstrem në krye mundohet që vazhdimisht të pengojë Kosovën që të inkuadrohet në organizatat ndërkombëtare, ndikon te disa shtete labile, te cilat edhe i blenë ç’njohjet e Kosovës. E kërcënon Kosovës me ushtri duke e sjellë atë në kufijtë e saj”, thotë Maxharraj.

Ai thotë më tutje se, Serbia anipse deklarohet për ndonjë lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve, ajo vazhdimisht është pengesë e tyre.

“Njerëzit, sidomos nga Kosova nuk janë të lirë të lëvizin nëpër Serbi. Në këto dy dekada të fundit shumë persona madje edhe me peshë të madhe politike ndalohen ne Serbi, burgosen, keqtrajtohen pa asnjë shkas, vetëm pse janë shqiptarë të Kosovës. Rasti më i freskët është kur një qytetar i Kosovës u arrestua në Serbi pa asnjë shkas, i cili pas pak u lirua si i pafajshëm. Këtë Serbia e bën me qëllim duke i vënë tiketa të ndryshme personave që i arreston si njerëz të rrezikshëm për Serbinë”, thekson ai.

Maxharraj thotë se arrestimet e shqiptarëve nëpër Serbi po ndodhin qe dy dekada, pa asnjë arsye, veç sa për t’i vënë njollë të keqe Kosovës para botës duke i kualifikuar, si ekstremistë, etj.

“Këto trajtime të shqiptarëve që kalojnë nëpër Serbi nuk do të ndalohen, përderisa Serbia është një shtet ekstrem, derisa vazhdon nacionalizmi ekstrem serb i urrejtjes kundër shqiptarëve. Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën, përderisa Serbia nuk i normalizon marrëdhëniet me Kosovën si shtet i pavarur pa ndonjë pretendim territorial siç po ndodh tani. Është interesant se edhe qytetarët, madje ekstremistë dhe vrasës të shqiptarëve, kanë lëvizë lirshëm në veri të Kosovës, bile disa edhe ushtarakë me pozita të larta në Serbi, që kanë bërë gjenocid në Kosovë, janë arrestuar nga Policia e Kosovës, por ҫuditërisht pa ndonjë bujë të madhe pas një ose dy ditësh është liruar, në vend se të përgjigjen para drejtësisë, bile Kosova në të shumtën e rasteve as që janë ankuar për këto veprime të Serbisë duke futë qëllimshëm njerëz ekstremë, vrastarë në Kosovë veç sa për ta vështirësuar situatën politike. Kosova për rastet e këtilla të arrestimeve dhe keqtrajtimeve të qytetarëve tanë të pafajshëm duhet më fuqishëm ta ngre zërin në institucionet ndërkombëtare sidomos në BE dhe SHBA për këto veprime të qëllimshme të Serbisë që kanë për qëllim tendosjen e raporteve midis dy vendeve”, vlerëson profesor Maxharraj për ‘Bota sot’.

Mulliqi: Serbia, me hipotekë të gjenocidit, nuk po e pranon tashmë faktin se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Skender Mulliqi thotë se Serbia ka bërë arrestime të shqiptarëve të Kosovës, pothuaj krejt pasluftën. Kanë arrestuar të rinjtë tanë duke kaluar nëpër Serbi, për të migruar në shtetet perëndimore.

Image
Skender Mulliqi

“Më së shumti ky shtet ka bërë arrestime të ish pjesëtarëve të UҪK-së, duke i dënuar ata edhe me burg. Këto arrestime Serbia e Vuҫiqit, po i bën duke e llogaritur Kosovën pjesë të saj. Ky shtet dihet se ende nuk e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës dhe nuk e ka hequr nga preambula kushtetuese si pjesë përbërëse të saj. Dihet për arrestimin edhe të një ish pjesëtari të UҪK-së, e që ka apeluar disa herë tek organet e Kosovës që t’i dalin në ndihmë për ta liruar. Ky shtet me hipotekë të gjenocidit, nuk po e pranon tashmë faktin se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur”, thotë Mulliqi.

Ai thotë tutje se, kjo çështje e arrestimeve të vazhdueshme, u la në heshtje deri më tash nga institucionet e shtetit.

“Ka ardhur koha që mos të heshtet ndaj arrestimeve që po i ndërmerr ky shtet krejt i pareformuar, i cili madje po kërkon që me luftë ta bëjë ndarjen e Kosovës, mbi baza etnike. Kur jemi te çështja e arrestimeve, nevojitet me shumë kujdes nga qytetarët tanë, edhe nga ish-pjesëtarët e UҪK-së, që mos ta frekuentojnë pa ndonjë nevojë të madhe këtë shtet. Kjo mos të bëhet tash siç ka ndodhur edhe arrestimi më i ri, kur dihet së Serbia së bashku më Rusinë, janë duke i fry zjarrit të luftës edhe në Ballkan. Serbi Vuҫiq, i cili po e ndjek rrugën e Millosheviqit, do të shfrytëzojë ҫdo situatë për inskenimin e incidenteve. Edhe arrestimi i fundit ka qëllime të caktuara politike, në kohën kur janë zgjedhjet në Serbi, që ta forcojë pozitën e luhatur të Vuҫiqit. Kosova duhet të jetë shumë më e rreptë në reagimet e saj ndaj këtyre arrestimeve. Po të ishte arrestuar ndonjë serb në Kosovë, dihet se çfarë drame do të kishte bërë Serbia para bashkësisë ndërkombëtare. Ne, duhet të kërkojmë ndalimin e një praktike të tillë të Serbisë, në çdo instancë relevante ndërkombëtare, madje edhe te qarqet e larta politike të Evropës”, thotë ai.

Mulliqi thotë për ‘Bota sot’ se, shovinistit Vuqiq, duhet t’i ndalet turri si iu ndal Millosheviqit me luftë. Serbia dhe drejtuesit e saj kanë mbetur me logjikën e shekullit të kaluar.

“Këta njohin vetëm gjuhën e forcës. Nëse mendojnë se me inskenime të akteve të dhunës në Kosovë, dhe me arrestime të shqiptarëve, do t’i arrijnë objektivat e tyre politike dhe pushtuese, duhet ta dinë se do të dështojnë. Gabojnë rëndë, siç gabuan në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar, me rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Inskenime e tilla të turpit siç janë mësuar serbët duke i vrarë edhe pjesëtarët e vet, nuk do të pinë më ujë kurrë. Serbia nuk do të arrijë kurrë ta pushtojë Kosovën. Për arrestimin më të ri, duhet të ngritet zëri dhe të kërkohet që ai sa më shpejt të lirohet”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat