Pse nuk po dënohen serbët për krimet e luftës në Kosovë?

Politika

Pse nuk po dënohen serbët për krimet e luftës në Kosovë?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 prill 2022 Në ora: 11:53
Foto ilustruese

Krimet e Serbisë të kryera në Kosovë po qëndrojnë të heshtura. Në shumë pak raste ka vepruar Prokuroria e Kosovës. Në gjithë rrjedhën e bisedimeve duket se nuk i është kërkuar fare, që Serbia duhet të bashkëpunojë me Kosovën, për të krijuar kushte për hetimin e krimeve shtetërore serbe.

Moszgjidhja e kësaj çështje po vazhdon të jetë “plagë” për shoqërinë, viktimat e mbijetuara dhe familjarët e viktimave.

Institucionet bënë pak

Mirëpo, institucionet relevante në Kosovë, politike dhe shkencore, vlerësohet se nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të mbledhur fakte dhe prova, që do t’i dokumentonin krimet e forcave të Serbisë gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999.

Mosangazhimi i institucioneve për t’i mbledhur këto dëshmi e lë pa mbështetje narracionin e Kosovës, me të cilin do ta kundërshtonte propagandën e autoriteteve të Serbisë, thonë njohës të së drejtës ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, por edhe të shoqërisë civile.

Shteti serb vazhdimisht i mohon krimet që kanë bërë forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe masakrën në Reçak.

Një ndër masakrat më të mëdha të Kosovës mbetet ajo e Krushës së Madhe, në Rahovec.

Më datë 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, forcat serbe kanë masakruar 243 persona, ku nuk u kursyen as gratë, pleqtë e fëmijët.

Kjo masakër është ndër më të mëdhatë që regjimi i Millosheviqit e ka kryer në Kosovë mbi popullsinë civile.

Me 28 mars të vitit 1999 forcat serbe sulmuan shqiptarët civilë të strehuar në Izbicë të Skenderait, duke masakruar 147 civilë të pafajshëm.

Për këtë masakër, duket se për herë të parë është ngritur një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të dyshuarit M.A, i nacionalitetit shqiptar, i cili jetonte në Beograd, shtetas i Republikës së Serbisë.

Aktakuza është ngritur javën e kaluar, 23 vjet pas masakrës, me akuzën “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, i sanksionuar në nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krime lufte në shkelje të rëndë” të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari është 48 vjeçari Muhamet Alidemaj, nga Kërrnina e Istogut, dhe është arrestuar vitin e kaluar, teksa po udhëtonte me dokumente të Serbisë. Familja e tij besohet se kishte marrë ndihma nga Kosova, në emër të familjarit të tyre ‘të zhdukur’.

Në mesin e viktimave në këtë masakër ishte edhe Dafina Qelaj 6 muajshe, eshtrat e së cilës u gjetën në Serbi në vitin 2017, kur edhe u rivarros në Izbicë.

Ende janë të zhdukur trupat e 109 fëmijëve nga rreth 1500 që u vranë mizorisht nga shteti serb!

Një tjetër masakër tronditëse ishte ajo në Burgun e Dubravës, ku janë vrarë rreth 160 të burgosur shqiptarë, ndërsa më shumë se 300 të tjerë janë plagosur.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, sipas dëshmive të mbledhura janë kryer mbi 400 masakra nga forcat shtetërore të Serbisë.

Por ajo se çfarë po mbetet ende preokupim për të gjithë është mos dënimi i serbëve që kanë kryer krime në Kosovë.

Gashi: Tri probleme pse shumë pak raste të krimeve të luftës nga serbët po hetohen

Image
Tomë Gashi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, avokati Tomë Gashi, tregoi tri probleme kryesore që shumë pak raste të krimeve të luftës nga serbët po hetohen.

Ai tregon që Serbia ka vrarë shumë civilë shqiptarë dhe ka shumë pak hetues të angazhuar në zbulimin e atyre krimeve.

Ndërsa, sipas tij problemi i tretë është që dëshmitë po zbehen dhe dëshmitarët përgjegjës për këto krime lufte po vdesin.

“Problemet kryesore në hetimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat okupuese serbe gjatë luftës janë shumë. Por së paku 3 probleme janë evidente:

1. Janë krime të shumta që ka bërë Serbia, ka vrarë mbi 15.000 civilë shqiptarë.

2. Ka shumë pak hetues dhe prokurorë të angazhuar në zbulimin, hetimin, dokumentimin dhe akuzimin e kriminelëve të luftës.

Problemi i tretë është se dëshmitë po zbehen. Dëshmitarët po vdesin dhe përgjegjësitë për krime lufte deri në gjenocid janë në Serbi dhe është e pamundur me i sjellë kriminelët serbë në Kosovë për tu përballur me krimet e tyre”, u shpreh Gashi për “Bota sot”.

Kelmendi: Pse nuk po dënohen kriminelët serbë për dhunën në Kosovë?

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa juristi Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që serbët kanë bërë shumë krime në vendin tonë dhe kanë lënë shumë civilë të vrarë e femra të dhunuara.

“Në Kosovë gjatë pushtimit serb janë mbytur, vrarë e masakruar me mijëra shqiptarë. Vetëm në vitet 1998/99 janë të mbytur, vrarë e masakruar rreth 14 mijë civilë shqiptarë. Këtu nuk hyjnë forcat e UÇK-së që ranë për liri dhe për pavarësi. Nga 14.000 shqiptarë të vrarë janë rreth 1500 fëmijë dhe deri edhe beba të mbytura. U përdhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare. Edhe sot janë rreth 1600 shqiptarë të pagjetur. Ata gjenden në varret masive në Serbi. Pas luftës ishte një gjykatë në Dean Hagë. Ajo u morë me disa kriminelë. Por, mbetën me mijëra kriminelë të tjerë dhe neofashistë serbë të lirë”, shprehet ai.

Në bisedë e sipër Kelmendi përmend Hagën, e cila po gjykon shqiptarët, të cilët nuk kanë kryer krimet që kanë kryer serbët në vendin tonë dhe vetëm UNMIK-u është merr me këto krime.

“Nga Dean Hagë nuk po akuzohen kriminelët serbë. Nuk ka as Gjykatë të kësaj natyre. Në Dean Hagë po akuzohen njerëzit e UÇK-së. Ndjekja nga Serbia e kriminelëve nuk bëhet. Krimineli Vuçiq dhe qeveritë serbe kurrë nuk u distancuan nga regjimi i Millosheviçit. Së këndejmi i mbrojtën vrasjet dhe masakrat e bëra mbi shqiptarët në Kosovë. Vetë në Kosovë ishte UNMIK që merrej me këto krime. Ky mekanizëm ndërkombëtar nuk mori askënd nga kriminelët serbë në përgjegjësi. I akuzoi vetëm shqiptarët dhe dhanë edhe dënime të shumta. Kështu veproi edhe EULEX-i. Ky sistem juridik evropian e vazhdoi rrugën e UNMIK-ut. Akuzoi shqiptarë. Nuk mori askënd nga serbët në përgjegjësi penale”, theksoi juristi.

Në fund ai shton që po veprohet ngadalë për këto krime pasi ka shumë fakte.

“Këto veprime ishin tipike antiligjore. U rrënua një komb dhe u vranë me mijëra vetë dhe askush nuk u akuzua! Pse? Thjesht frika e BE-së nga miqtë e serbëve, Rusia imperialiste, e cila bllokonte çdo veprim dhe e frikësonte luanin e përgjumur dhe të sëmurë. Mirëpo, po veprohet shumë ngadalë dhe sukseset janë të vogla. Nuk mendoj se nuk ka fakte dhe prova. Përkundrazi! Ka dëshmitarë të shumtë që janë në jetë. Ka edhe fotografi dhe shumë fakte tjera. Këto nuk po përdoren nga PSK-ja. Shkaqet nuk dihen”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

Ndoshta një hetim parlamentar ndaj institucioneve të drejtësisë, do të mund të hidhte dritë, se pse institucionet e Kosovës së pavarur nuk arritën dhe nuk nxorën para drejtësisë serbët dhe të tjerë përgjegjës për vrasjen masive të shqiptarëve dhe të krimeve të tjera individuale.

Ky hetim do të mund të zbulonte edhe shkaqet e tjera, të cilat nuk janë evidentuar apo që do të mund t’i zbulonte vetë hetimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat