Shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar / Qëllimi përfundimtar, serbizimi i territoreve historike shqiptare

Politika

Shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar / Qëllimi përfundimtar, serbizimi i territoreve historike shqiptare

Nga: A.Z Më: 5 prill 2022 Në ora: 16:44
Fushata e partive politike shqiptare

Në Serbi, të dielën është votuar për zgjedhjet e rregullta presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në 14 qytete.

Sipas rezultateve nga numërimi i më shumë se i dy të tretës së votave të zgjedhjeve parlamentare, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka marrë 0.3 për qind, ndërsa Alternativa Demokratike Shqiptare ka marrë 0.1 për qind. Ndërsa në nivel vendi në Serbi, shumicën e votave i ka marrë partia e Vuçiqit, presidentit aktual.

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se në Serbi populli shqiptar është i diskriminuar, dhe përveç kësaj, gjatë votimeve ka pasur edhe parregullsi, duke filluar nga vjedhja e votave e deri tek detyrimet për ta votuar Vuçiqin.

Image
Muhamet Kelmendi

“Shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar, është shumë vështirë të jepet ndonjë mendim për rezultatet e zgjedhjeve në Serbi. Nga agjencitë informative të huaja konkludohet se votimi në Serbi nuk ka qenë i rregullt. Ka mungesa dhe parregullsi të shumta. Disa fakte dalin si faktor kryesor për parregullsi.

1. Vjedhja e shumtë e votave nga partia e Vuçiqit.

2. Blerja e votave nga partia në pushtet dhe

3. Detyrimi me dhunë i votuesve për të votuar Vuçiqin dhe partinë e tij. Këto janë parregullsitë e vërejtura nga opozita dhe faktori ndërkombëtar në zgjedhjet në Serbi. Duke u mbështetur në këto fakte vërehet se rezultatet e zgjedhjeve nuk janë adekuate me vullnetin e votueseve”, tha ai.

Sipas Kelmendit, qëllimi i serbëve ishte se sipas tyre shqiptarët nuk ekzistojnë si çështje në Serbi, kështu sipas tyre, nuk duhej t’i lejohej as votimi, gjë që shumë nga ta u fshin edhe nga regjistri i shtetësisë të shtetit serb.

“Këtu është edhe shkaku i humbjes së votave të shqiptarëve në Kosovën Lindore të pushtuar nga shteti serb. Qëllimi i kësaj është për të treguar se shqiptarët si popull nuk janë çështje që ekziston në Serbi. Natyrisht, se qëllimi përfundimtar është, serbizimi i territoreve historike shqiptare. Zvogëlimi i përqindjes shqiptare tregon synimet shoviniste serbomadhe. Shumë votues shqiptar që vijnë nga Medvegja, Bujanovci dhe Presheva, e të cilët jetojnë në Kosovë, po duke mos hequr dorë nga shtetësia e shtetit serb, nuk iu lejua votimi. Ata u fshinë nga regjistri i shtetësisë të shtetit serb dhe kështu mbetën pa shtetësi”, shtoi Kelmendi.

Tutje shtoi se shqiptarët nuk i kanë të drejtat e tyre atje siç i kanë serbët në Kosovë, andaj sipas tij, Kosova Lindore duhet të bashkohet me Kosovën.

“Tërë pasurinë e kanë në Luginë dhe prapëseprapë nuk iu njohë e drejta e votimit. I tërë ky zhvillim nacionalimperialist serb e ka mbështetjen tek ideologjia raciste dhe antikombëtare shqiptare. Atje, në Kosovën Lindore, nuk i njihen shqiptarëve të drejtat. As në një përqindje të vogël nuk i kanë të drejtat si minoriteti serb në Kosovë. Pabarazia, urrejtja, kufizimet në punësim dhe në liritë njerëzore kombëtare e qytetare janë evidente. Shqiptarët në Serbi nuk kanë perspektivë. Kosova Lindore kërkohet të bashkohet me Kosovën. Ishte deri më 1956 Kosovë dhe prapë duhet të bëhet Kosovë”, përfundon Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat