Kur urrejtja shndërrohet në dashuri

Politika

Kur urrejtja shndërrohet në dashuri

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 5 prill 2022 Në ora: 23:03
Ramush Haradinaj dhe Edi Rama

Kur flasim për dy figurat politike, Ramush Haradinajn dhe Edi Ramën, nuk kemi se si të mos e kujtojmë tavolinën e famshme në samitin e Berlinit, në maj të vitit 2019.

Atë ditë edhe filloi tensionimi i raporteve mes dy kryeministrave, Rama dhe Haradinaj. Në një moment, me gjasë gjatë pushimeve mes punimeve të samitit, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, i kishin mbledhur afër një tavoline, Thaçin dhe Haradinajn. Atë botë, Hashim Thaçi si president dhe Ramush Haradinaj si kryeministër e përfaqësonin shtetin e Kosovës.

Sipas deklaratave të Haradinajt, aty filloi presioni për pezullimin e taksës 100% nga krerët e Gjermanisë dhe Francës, me premtimin që këta të fundit do të angazhoheshin edhe personalisht që Kosova ta fitojë liberalizimin e vizave në këmbim të pezullimit të tarifës për produktet që importoheshin nga Serbia.

Image
Pamje nga samiti

Ndonëse askush nuk e kishte ftuar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, afrohet dhe imponohet në debatin që kishte nisur, e që sigurisht edhe pa ia kërkuar, Rama kishte filluar ta jepte mendimin e tij. Askush nuk do të kishte problem nëse Edi Rama do të shprehte qëndrimin e tij si përfaqësues i Shqipërisë, por problem qëndronte diku tjetër.

Insistimi i Ramës, që si aleat e kishte edhe presidentin Thaçi dhe kundërshtia e Haradinajt edhe përmes reagimeve me duar, kishin krijuar imazhin më të pakëndshëm të Samitit, e që fatkeqësisht në mes qëndronin liderët e dy shteteve më të fuqishme evropiane.

Ndonëse Haradinaj nuk kishte qëndruar edhe shumë gjatë në pozitën e kryeministrit të Kosovës, rreth 2 muaj pas mbajtjes së samitit, zhurma e debatit dhe polemikat asnjëherë nuk kishin ndaluar.

“Ndalova grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiq dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por, unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”, ishte shprehur Haradinaj pas asaj që kishte ndodhur në Berlin.

Pa vonuar shumë, kësaj akuze iu kishte përgjigjur, kryeministri Rama, i cili ishte shprehur se Haradinaj është një gënjeshtar dhe se po gënjen pastër sipas asaj që ka deklaruar. Kliko ">KËTU për ta parë deklaratën.

Për më tepër, Edi Rama kishte deklaruar se Haradinaj është një “i paditur klasik dhe politikan folklorik”. Ngjarja mori vëmendje edhe më të madhe kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në janar të vitit 2020 kishte deponuar një padi për shpifje në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj kryeministrit të atëhershëm në detyrë, Ramush Haradinajt.

“I padituri (Ramush Haradinaj), pa asnjë bazë të vetme fakti e në mënyrë të përsëritur, ka lansuar akuza në adresë të Paditësit (Edi Rama) për mbështetjen e idesë së ‘ndarjes së Kosovës’, ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufirit’”, thuhej në mes tjerash në padi.

Edi Rama e kërkonte edhe një shumë simbolike sipas tij për dëmtim të imazhit, në vlerën e 10 mijë eurove.

Krejt këtyre ngjarjeve Ramush Haradinaj, u ishte përgjigjur me etiketimet se Edi Rama është vetëm një hajgaregji dhe asgjë më shumë.

Por, me sa kuptohet nga deklaratat e Haradinajt, këtij të fundit i kishte mbetur shumë hatri që Rama e kishte quajtur të paditur. Gjatë një vizitë të kryeministrit Rama në Kosovë, në qershor të vitit 2021 – Haradinaj kishte deklaruar se nuk ka logjikë të takohet me dikë që e ka paditur në gjykatë.

E për më tepër, Haradinaj kishte ironizuar me Ramën, duke deklaruar se një i paditur si ai nuk mund të takohet me të diturin, pra Edi Ramën.

Debatet në distancë, për më tepër se 2 vite kishin krijuar një tension, i cili në bazë të deklaratave dhe kronologjisë së ngjarjeve kishin prodhuar një urrejtje mes dy figurave politike. Por, sikur edhe çdo gjëje, kësaj krisje apo urrejtje i erdhi fundi.

Papritmas, një vizitë e Haradinajt në Shqipëri, gjatë ditës së sotme, ka arritur që t’i jap fund gjitha debateve dhe akuzave të ndërsjella ndër vite.

Në një postim në Facebook, të Haradinajt, ai tregon për takimin që ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë, e përmes imazheve të transmetuara, shihet se këta të fundit kanë ndarë momente të mira me njëri tjetrin, duke e harruar të kaluarën.

Pas një stuhie me etiketime dhe akuza, Rama dhe Haradinaj kanë arritur që ta vendosin prapa krahëve të kaluarën dhe të rregullojnë raportet tashmë për një kohë të acaruar.

Urrejtja e cila ishte krijuar është zhdukur, dashuria po mbizotëron dhe se tash është koha për “muajin e mjaltit politik”, mes Ramës dhe Haradinajt.

Image
Ramush Haradinaj dhe Edi Rama
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat